E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vizat, merita e reformave tona

 Një vit pas vendimit për liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha e konsideron këtë një sukses të reformave të qeverisë së tij. Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se reformat e shndërruan Shqipërinë në një prodhues stabiliteti në rajon dhe më gjerë.

Një vit më parë, ata që morën këtë vendim, e bënë këtë mbi bazën e reformave të thella të kryera nga qeveria. Vendimi ishte i drejtë dhe sepse qytetarët u sollën me përgjegjësinë më të lartë. Në këtë proces, Shqipëria ka rekordet më të mira në Ballkan. Koha provoi se shqiptarët e meritonin, tha Berisha.

Kreu i qeverisë shigjetoi sërish opozitën, duke u shprehur se një vit më parë shqiptarët kanë qenë fatlumë se procesi i liberalizimit të vizave nuk mbështetej në ligje që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament.

Ata ishin fatlumë se përpjekjet e mëdha, unike në historinë e Europës të kreut të opozitës për të bllokuar procesin e vizave, thirrjet e tij Hap kutitë, të çliroj vizat, letrat e tij se po hoqët vizat, 1 milion shqiptarë do të derdhen në rrugët e Europës pati zero efekt. Europa u çudit se si një politikan në krye të opozitës bën çdo gjë për të bllokuar procesin. Shqiptarët ishin me fat sepse ky proces ndonëse bazohej në reforma dhe ligje, nuk bazohej në ligje me 3/5 që opozita mund ta bllokonte siç bën tani.

Në fund të konferencës, Berisha prezantoi para mediave edhe këshilltarin e tij të ri për marrëdhëniet publike, Ilir Kadia, gazetar dhe publicist me eksperiencë në BBC.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›