E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i GJND-së, ditë gri për diplomacinë serbe

Sapo u shpall pavarësia e shtetit më të ri në botë, erdhën menjëherë njohjet e para. Fillimisht, këtë pavarësi e ka njohur zyrtarisht Afganistani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria e më pas Turqia.

Më vonë, shtetin e ri e kanë njohur edhe shtete të tjera, ku vlen të theksohet se kanë njohur pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian, përveç Spanjës, Rumanisë, Greqisë dhe disa vendeve të tjera. Deri më tani, shtetin e ri e kanë njohur 69 shtete të botës.

Por, që në momentin e shpalljes së pavarësisë, Serbia u hodh në një ofensivë tjetër diplomatike, kësaj here për të penguar njohjet e saj, ndërsa ka theksuar vazhdimisht se Kosova nuk do të bëhet kurrë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sot, pas dy vitesh pavarësi, shteti i Kosovës ka bërë shumë përpara por ka ende shumë për të bërë, për shkak të vështirësive të shumta veçanërisht në veriun e “ngrirë” të saj, ku qeveria serbe “shtrinë dorën” vazhdimisht.

Por, përveç lobimit nëpër shtete të ndryshme nga ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, Beogradi zyrtar çoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kërkesën për shqyrtimin nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në tetor të vitit 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte ftuar GjND-në ta japë mendimin e vet këshillues mbi atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Shqyrtimi i padisë serbe të bërë në Hagë nisi më dhjetor të vitit të shkuar.

Në Hagë dërguan argumentet e tyre “pro” dhe “kundër” dhjetëra shtete. Sigurisht shtetet që e kishin njohur këtë pavarësi të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë faktet e tyre pro, ndërkohë që vendet e tjera si Rusia të cilët mbështetën që në krye të herës Serbinë, dhanë argumentet e tyre kundër.

Por, vendimi i një dite më parë i gjyqtarëve të gjykatës më të rëndësishme në botë, i dha një shuplakë të mirë Beogradit, megjithëse vendimi nuk ka ndonjë rëndësi të madhe ligjore. Vendimi i GJND-së, ishte një fitore jo vetëm për Prishtinën por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe bllokut të vendeve përkrah saj.

Tashmë, kryediplomati serb Jeremiç, duhet t’i përvishet punës se çdo të duhet të kërkojë më mbi atë që ai e quan si “pavarësinë e padrejtë” të djepit të Serbisë. A ka më fakte për të bindur shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës?

Vendimi është një cenim i madh i imazhit të Serbisë, që për hir të së vërtetës, nuk ka histori të mirë për sa i përket cenimit të së drejtës ndërkombëtare dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

Tashmë, me opinionin e dhënë dje, priten të shtohet numri i shteteve që do të njohin Kosovën, të paktën mbi atë çka është deklaruar nga zyrtarët kosovarë por edhe zyrtarët e lartë amerikanë.

Vendimi i djeshëm nuk është pritur kurrsesi mirë në Beograd, e madje edhe mediat atje duket se ishin si në “ZI”. Megjithatë, ka edhe nga ato që shkruajnë kundër mënyrës se si politika e Beogradit “luan” në fushën politike. Titujt e shtypit janë të thjeshtë.

Titulli kryesor i agjencisë së lajmeve “Blic” është: “Vendimi politik i GJND-së!”. Ndërsa agjencia tjetër e lajmeve serbe, “Tanjug”, pothuajse të gjitha lajmet kryesore janë ato pro serbe. /Saimir Lleshi/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›