E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Kushtetueses për Presidenten, jo profesional

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me postin e Presidentes dhënë kohë më parë, është cilësuar si jo profesional nga anëtarët e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese. Megjithatë, partitë vazhdojnë të kenë mospajtime sa i përket zgjedhjes dhe mandatit të Presidentes.

Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se LDK-ja nuk e ka bllokuar procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, por sipas tij, ajo ka rezerva te pjesa e Presidentit.

Ai ka shtuar se Komisioni për Ndryshime Kushtetuese shumë shpejt do ta përmbyllë edhe pakon e amendamenteve, që kanë të bëjnë me Presidentin, dhe ka shtuar se pastaj mbetet çështje e partive politike që të arrijnë marrëveshje për votimin e tyre në Kuvend.

“LDK-ja ka rezerva te pjesa për Presidentin, ajo tani është një çështje politike dhe Komisioni menjëherë javën e ardhshme do të takohet që ta përmbyllë atë pako të amendamenteve lidhur me Presidentin dhe ne do ta kryejmë obligimin dhe do t’ia dorëzojmë Kuvendit për miratim. Është në partitë politike që të arrijnë marrëveshje për votimin e këtyre amendamenteve”, ka thënë ai.

I pyetur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Presidentes, Bajrami ka thënë se në mes të anëtarëve të Komisionit për Ndryshime Kushtetuese ekziston një konsensus se ai vendin është “jo profesional”.

“Ne si anëtarë të Komisionit, kemi bërë vërejtje në vendimin e Gjykatës dhe ekziston një konsensus në Komision Kushtetues, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është jo profesional dhe i pabazuar, por është i detyrueshëm, sepse Kushtetuta ia ka dhënë fuqinë detyruese. Është e sigurt se gjatë javëve të ardhshme ne do ta diskutojmë vendimin e Gjykatës dhe do të rekomandojmë për Kuvendin zgjidhje adekuate”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese a lejon hapësirë për implementimin e marrëveshjes tri-paleshe, Bajrami ka thënë se “implementimi i marrëveshjes është çështje politike”.

Kurse Vjosa Osmani, nga LDK-ja, njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se LDK-ja i ka votuar ndryshimet dhe ligjet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit, por ka shtuar se ato nuk mund të hidhen në votim përderisa Presidentja aktuale nuk hapë rrugë për zgjedhje të parakohshme presidenciale.

“Ne i kemi votuar ato ndryshime, i kemi votuar edhe ligjet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit, prandaj Komisioni nuk ka më punë për të bërë. Puna e vetme që ka mbetur për ta bërë, është që ato amendamente të hidhen në votim. Mirëpo, sipas marrëveshjes ato nuk mund të hidhen në votim përderisa Presidentja aktuale nuk hapë rrugë për zgjedhje të parakohshme presidenciale, ashtu siç edhe është marrë vesh ajo vetë me liderët”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur se a lejon vendimi i Kushtetueses implementimin e marrëveshjes tre-paleshe në mes liderëve, ajo ka thënë se vendimi i saj lë hapësirë që Presidentja të vendosë vetë për dorëheqje ose jo.

“Vendimi i Gjykatës len liri që Presidentja të vendosë vetë, në qoftë se do të japë dorëheqje apo jo, dhe ajo këtë zotim e ka dhënë para liderëve, në momentin kur është nënshkruar marrëveshja dhe çdo veprim tjetër nga ana e saj është mashtrim”, ka thënë ajo.

Kurse deklarimet e fundit të Presidentes, e cila ka thënë se nuk ia lejon kushtetuesja të japë dorëheqje, Vjosa Osmani i ka quajtur “absurde”, duke mos dashur t’i komentojë fare.

Ajo ka shtuar se janë Presidentja dhe Kryeministri që po e bllokojnë reformën kushtetuese dhe zgjedhore, dhe jo LDK-ja, sepse tani për tani, sipas saj, topi është te ata dhe kërkohet veprim nga ana e tyre.

Ndërkaq, AAK-ja nuk mërzitet shumë për marrëveshjen tri-paleshe në mes liderëve, pasi që nuk ka qenë pjesë e saj.

Ardian Gjini nga kjo parti dhe anëtar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se AAK-ja nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje politike në mes tre liderëve, por ka thënë se AAK-ja ka marrë pjesë në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe në ndryshimin e Ligjit për Presidentin.

“Aleanca nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes politike në mes tre udhëheqësve të partive politike, por ne kemi marrë pjesë në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimin e ligjit për Presidentin dhe aspekteve kushtetuese që lidhen me Presidentin për një arsye dhe ajo është se nevoja për këto ndryshime, për ne, nuk del prej marrëveshjes, nevoja për këto ndryshime, për Aleancën, del prej faktit se zgjedhjet e fundit janë manipuluar brutalisht dhe prej faktit se ne duhet ta përmirësojmë procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët se a po i bien kjo se AAK-ja është që Presidentja ta mbajë postin e saj, ai ka thënë se “kjo nuk i bien ashtu”, dhe ka shtuar se “nëse ne e ndryshojmë Kushtetutën, edhe Presidentja duhet ta respektojë atë Kushtetutë”./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›