E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i qeverisë: Të pastrehët, kushtet e reja për të marrë shtëpi

Nga një mbledhje qeverie

Ndryshon llogaritja e të ardhurave për familjet.

Kritere të standardizuara për përzgjedhjen e përfituesve nga programet sociale për të pastrehët. Tri kategori të reja i janë shtuar listës së mëparshme. Po kështu ka ndryshuar tërësisht llogaritja e nivelit të të ardhurave mesatare që duhen për t’u bërë pjesë e listës së përfituesve. Këto janë vetëm disa nga ndryshimet e bëra nga qeveria në ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Në të janë saktësuar të gjitha detajet për mënyrën si do të zbatohen dy projektet e strehimit, ai i banesave sociale me qira dhe ai i kreditimit të lehtësuar për banesa me kosto të ulët. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit jepen ndryshimet e bëra në ligj. Tri kategoritë e reja që përfitojnë janë emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë dhe viktimat e dhunës në familje. Sa i përket llogaritjes së të ardhurave, ato nuk do të jenë më rast pas rasti. “Një procedurë e tillë lë vend për subjektivizëm, ndaj do të përdoret referenca e të ardhurave mesatare në nivel kombëtar ose lokal”, thuhet në vendim. Janë saktësuar konceptet e të ardhurave familjare dhe ato mesatare. “Jo më pak se 80% e familjeve që trajtohen në banesa sociale me qira, duhet të kenë të ardhura deri në 100% të të ardhurave mesatare të njësive vendore përkatëse”, thuhet në vendim. Sipas tij, pjesa tjetër mund të përzgjidhet brenda intervalit 100%-120% të nivelit të të ardhurave mesatare. Kjo kategori paguan një qira më të lartë se kategoritë e tjera, por jo më shumë se 30% të të ardhurave mujore. Është shtuar koncepti i granteve, si dhe kushtet e kategorive që i përfitojnë. Në nenin 6 është specifikuar procedura e miratimit të sistemit të pikëzimit nga Këshilli Bashkiak. Me ndryshimet e bëra, pushteti qendror do të ketë mundësi të ndërhyjë në sistemin e pikëzimit për kategori prioritare. “Prioritet për të përfituar kanë familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore, familjet me më shumë se katër fëmijë, çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç. Janë saktësuar kriteret e nevojshme për të përfituar, si dhe një nen i veçantë (neni 7) që garanton transparencë lidhur me dokumentacionin dhe procedurën që do ndiqet nga njësia vendore për përfituesit. Për herë të parë, në ligj është futur një koncept i ri për standardet e administrimit të banesave. Sa i përket programit të banesave sociale me qira është shtuar një pikë e re për lidhjen e kontratave. “Në fund të periudhës së qiramarrjes, pronësia e banesës i kalon familjes përkundrejt kushteve specifike”, thuhet në vendim. Ndryshimet e bëra parashikojnë nxjerrjen e akteve të tjera në vijim nga Këshilli i Ministrave, për të përcaktuar procedurat e dhënies së bonusit të strehimit për kategori të veçanta.

3 kategori të reja janë shtuar si përfituese nga dy programet e strehimit që zbatohen aktualisht për të pastrehët.

Kriteret e reja për të pastrehët
Neni 4

Përcaktimi i familjeve që përfitojnë nga programet sociale të strehimit
Sipas këtij ligji përfitojnë strehim:
Individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, të cilat në momentin e aplikimit plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a-Nuk kanë në pronësi një banesë
b-Zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje, ose banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi.
c-Kanë mbetur të pastrehë si rezultat i një fatkeqësie natyrore
2. Përfshihen në njërën nga shkronjat a,b,c vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme, sipas përcaktimeve të neneve 6 e 19 të këtij ligji
3-Përfitojnë sipas programeve të përcaktuara në krerët III dhe IV edhe shtetas të huaj me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin:
a: Punëtor emigrant
b: Azilkërkues
4-Administrimi i kërkesave për përfitimin nga programet sociale të strehimit dhe caktimi i përparësive bëhen nga strukturat përkatëse të organeve të qeverisjes vendore dhe miratohen me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, përveç rasteve kur në ligje të veçanta përcaktohet ndryshe.
5-Dokumentacioni që duhet të paraqesë familja për të përfituar strehim sipas njërit prej programeve sociale të strehimit dhe afatet e procedurat përkatëse, përcaktohet në vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 5
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
1-Përzgjedhja e familjeve përfituese bëhet sipas një sistemi pikëzimi, me anë të të cilit vlerësohen:
1.1 kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
a-nuk disponojnë banesë në pronësi
b-banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje
c-banojnë në banesa të mbipopulluara sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi
ç-kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore ose zbatim të një vendimi gjyqësor
1.2 kushtet familjare në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi rastet e mëposhtme
a)familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë
b)të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për tu strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore
c-Familjet me më shumë se katër fëmijë
ç-Çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç
1.3 Kushtet sociale në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi rastet e mëposhtme:
a-Personat me aftësi të kufizuara në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori
b-Personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore në moshën 30 vjeç.
c-Emigranti i rikthyer, punëtor emigrant
ç-Familjet e policëve të rënë në detyrë
d-Viktimat e dhunës në familje
1.4 Gjendja ekonomike, në bazë të së cilës përcaktohen familjet sipas grupeve të të ardhurave.
2-Sistemi i pikëzimit miratohet me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për çdo program që zbatohet në një njësi të qeverisjes vendore dhe bazohet në kriteret e përcaktuara në pikën 1.
Kur programi zbatohet me financim të plotë ose të pjesshëm të buxhetit të shtetit, Ministria që mbulon çështjet e strehimit në raport me masën e financimit dhe në bashkërendim e në marrëveshje me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse, mund të kushtëzojë një sistem pikëzimi që favorizon kategori, të cilat kanë përparësi në politikat kombëtare si personat me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore deri në moshën 30 vjeç. Personat me aftësi të kufizuara, punëtorët emigrantë, emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë. Marrëveshja përveç sistemit të pikëzimit, për kategoritë e mësipërme përfshin angazhimin për mbulimin e shpenzimeve sipas pikës 2.
Në objektet e reja që ndërtohen, organet e qeverisjes vendore në përzgjedhjen e përfituesve marrin parasysh si kriter edhe përzgjedhjen e përfituesve dhe përzierjen e grupeve të ndryshimeve sociale, me qëllim që të shmanget veçimi social.
Neni 7
Transparenca
Organet e njësive të qeverisjes vendore duhet të sigurojnë:
Informacion të plotë, të lehtë për tu gjetur, të kuptueshëm dhe të lexueshëm edhe nga persona me mungesë shikimi. Informacioni duhet të përmbajë:
a-Llojin e programit social të

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›