Vendimi i qeverisë, kartat e identitetit shiten pa TVSH, kur ligji e ndalon qartë këtë
Blerja e kuponëve të kartave të identitetit dhe shpërndarja e kartave që pritet të nisë pas dy ditësh është duke u bërë pa paguar tatimin mbi vlerën e shtuar në kundërshtim me ligjin shqiptar. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, është autor i kësaj shkeljeje, pasi ai, kur ka shpallur të hapura procedurat e tenderit për kompaninë që do të merrte të drejtën e prodhimit të kartave, në dokumentacionin e këtij tenderi është shprehur se kartat do të shiten pa TVSH. Në atë kohë ligji nuk e lejonte. Ligji nuk e lejon as tani këtë gjë. Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë dërguar për miratim në parlament dy ditë më parë ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, ku kërkojnë që kartat e identitetit të shiten pa TVSH nga kompania “Sagem”. Në fakt, shitja e kartave ka filluar që prej dy javësh (e kuponëve, por kjo është në fakt shitja e kartave), dhe është duke paguar tatimin mbi vlerën e shtuar, sepse në kontratën që “Sagem” ka me qeverinë shqiptare, është e shkruar se ato do të shiten pa TVSH. Qeveria e ka miratuar këtë kontratë përkundër asaj që kërkon ligji. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili është mbikëqyrësi i këtij procesi ka qenë edhe iniciuesi dhe përpiluesi i procedurave të tenderit për kartat e identitetit dhe ai është njeriu që e ka shkaktuar këtë thyerje të rëndë ligjore. Në Shqipëri sot shitet një mall pa TVSH kundër legjislacionit shqiptar dhe është vetë qeveria ajo që e ka miratuar këtë gjë me vendime të saj. Një situatë e ngjashme ka ngjarë edhe me tenderin e prodhimit të pasaportave disa vite më parë dhe për këtë gjë atëherë shkuan në burg një zëvendësministër i Brendshëm dhe disa drejtorë të rëndësishëm, vetëm se atëherë thyerja pati pasoja financiare. Këtë herë thyerja e kryer nga zëvendësministri i Brendshëm nuk ka pasoja financiare, por, gjithsesi, është shkelje e hapur dhe e rëndë e ligjit. Arsyet pse zëvendësministri e ka bërë këtë gjë dhe pse qeveria shqiptare ka miratuar një kontratë të tillë nuk janë të qarta dhe as janë bërë ndonjëherë nga zëvendësministri i Brendshëm. Koha ka qenë shumë e mjaftueshme që zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, të kërkonte ndryshimin e ligjit për TVSH shumë muaj më parë, para se të shpallte tenderin për kartat e identitetit. Sot, jemi në gjendjen ku shitet një mall (disa milionë kopje me vlerë totale prej miliona dollarësh), dhe nuk paguhet TVSH, ndonëse ligji e ndalon qartë këtë gjë.