Standardi i “debatit të brendshëm” në PD
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nisur dje dhe publikisht një sulm ndaj deputetit të PD, Aleksandër Biberaj, për shkak të detyrës së tij formale si kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Disa ditë më parë, zonja Topalli e ka zëvendësuar zotin Biberaj nga detyra e tij si kryetar i këtij delegacioni dhe lajmi është bërë publik nga mediet. Biberaj ka reaguar në mënyrën e vet duke treguar problemet që krijohen nga ky gjest i kryetares, ndërsa kjo i është kundërpërgjigjur me disa shkresa, bileta avioni të papaguara. Ky është ilustrim perfekt i keqkatandisjes së debatit politik brenda një partie, ku askush nuk flet për asgjë dhe ku mbi të gjitha askush nuk ka leje të flasë dhe të vendosë për ndonjë gjë me kokë të vet. Me aq sa e shoh nga jashtë, ky është rasti kur zonja Topalli ka vepruar me kokë të vet dhe si të thuash e ka të lejuar këtë veprim nga shefi i saj, dhe po ashtu rasti ku Biberaj po mbrohet në emër të interesave të grupit parlamentar, që shihet qartë që nuk e dëshiron.
Partia në pushtet ka kaluar një periudhë të vështirë, së paku nga pranvera e vitit të kaluar, kur në adresë të pushtetit të saj janë ngritur akuza të rënda dhe të verifikueshme. Dy deputetë të kësaj shumice po shkojnë drejt sallës së gjyqit, për abuzime të frikshme financiare me pasojë shuma që shkojnë deri në 300 milionë euro nga një anë dhe me pasojë vdekjen e 26 personave nga ana tjetër. Kjo shumicë ka heshtur për këto gjëma. Asnjë zë, asnjë debat dhe asnjë frymë nuk është ndjerë brenda PD dhe rrotull saj për imazhin që i krijohet shumicës në pushtet nga përpjekja për të mbrojtur perversitete të tilla. Kemi parë zonjën Topalli të bëhej agresive dhe t’i “hidhej” në fyt kryeprokurores, Ina Rama, përse nuk i quante fajtorë ushtarakët, por quante fajtor Fatmir Mediun. E kemi parë atë t’i diktonte akuzës rrugën e hetimit dhe përfundimin e tij, me qëllim që të mos prekej Fatmir Mediu dhe natyrisht me këtë të rast të mos prekej as djali i kryeministrit që ka lobuar për kontratën. Një mungesë e madhe morali u vërejt gjatë gjithë vitit që shkoi, sa herë që PD kishte nevojë për moral lidhur me abuzimet e saj me pushtetin. Kemi parë deputetë qesharakë që kanë mbrojtur Damir Fazlliçin, sikur të ishte i dërguar i Zotit dhe jo thjesht një hajdut batakçi që e përdor familja e kryeministrit për të mbuluar bizneset e veta. Kemi parë gjeste të turpshme të pushtetit kundër medias, linçime të kryeministrit kundër saj, akte dhune, siç kanë qenë ato ndaj makinës sime dhe biznesit të gazetës “TemA” dhe asnjë zë nuk është ndjerë. Ka pas diplomatë të huaj që ua kanë referuar këto probleme dhe s’kanë guxuar as t’i citojnë. Kanë shkuar në kancelari dhe ua kanë vënë para këto dosje, dhe kanë ulur sytë sikur s’dinë të lexojnë. Nuk janë ndjerë, se nuk kanë leje të flasin, nuk kanë leje të dëgjojnë gjëra të tilla, dhe mbi të gjitha e kanë të ndaluar të mendojnë rreth qëndrimeve politike që duhet të reflektojë shumica në opinion publik.
Rasti i sherrit Topalli-Biberaj është emblematik, pasi ky është standardi i “sherrit” që i lejohet Topallit. Jam i bindur se kështu si e ka degraduar ajo, dhe mbi të gjitha siç po e justifikon, me siguri që do ta zemërojë kryeministrin, por është brenda stekës së lejuar të debatit. Për këto gjëra kryeministri i lë të lirë të debatojnë. Ata mund të zihen për dietat, për biletat e udhëtimit, për agjencinë ku i presin, kanë të drejtë të marrin benzinë tek cila pikë karburanti të duan apo dhe të flenë në cilin hotel të duan, kur të dalin jashtë. Këto janë liri që ua ka mundësuar kryeministri. Më tej ata s’mund të debatojnë. Dhe ky debat thelbin e vet nuk e ka se ku i ka prerë biletat Aleksandër Biberaj, dhe a i ka paguar ato. Ky është një fakt që nuk ia kërkon njeri ta referojë në takimet e tij në Strasburg. Imazhi i Shqipërisë në Asamblenë e KE nuk varet nga shkresat që ka zbuluar Jozefina, të marra prej agjencive turistike në Tiranë, por nga shkresa që i ka dërguar Strasburgut, në të cilën është njoftuar shkarkimi i një kryetari delegacioni pa e pyetur. Ky është standard që ata në Strasburg mund t’i shqetësojë. Nëse Biberaj e vlente të hiqej, mund të hiqej, por për këtë duhen argumente politike dhe jo shkresa agjencish turistike. Për më tepër, një ndërrim i tillë në sesionin e fundit, ku rrezik Asambleja nuk mblidhet asnjë herë deri në maj, është qesharak dhe tendencioz dhe kuptohet më shumë si një nevojë e zonjës Topalli për të demonstruar pushtetin e saj ndaj atyre që ajo i konsideron “grup armiqësor” sesa një nevojë logjike e Kuvendit. Por thelbi i këtij sherri banal është ajo që thashë më lart, është kufiri deri ku ata kanë të drejtë të bëjnë debat dhe arsyeja përse kanë të drejtë të debatojnë. Ky është një mjerim më i madh se çdo zënkë mes Topallit dhe kundërshtarëve të saj në PD.