Zhdukja e doktorit, rihapet dosja
SKRAPAR/ DILAVER XHELILI
Rihapet dosja e doktorit të zhdukur tetë vite më parë në Skrapar. Duket se misteri për 29-vjeçarin Neim Braho nga komuna Kondak po merr rrugën e zbardhjes. Burime nga komisariati i Skraparit bënë të ditur se për mungesë të provave të dokumentuara ligjërisht, dy persona të dyshuar për vrasjen e Brahos janë ende të lirë. Në hetim për këtë ngjarje janë personat që kanë pasur kontaktin e fundit me viktimën mbrëmjen e 15 marsit të vitit 2001. Sipas shefit të Komisariatit të Policisë në Skrapar, Arben Jaupi, të dyshuar për autorësinë e kësaj ngjarjeje janë ish-shefi i financës së komunës Kondak, Shpëtim Seferaj si dhe roja i kësaj komune, 48-vjeçari Çelik Dervishi. Në sajë të hetimeve paraprake dhe dëshmive të siguruara nga rimarrja në pyetje e personave që mund të kishin dijeni, blutë kanë mundur të rindërtojnë edhe një herë skenarin e kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, policia po heton në disa pista, nga ku deklarohet se doktori është zhdukur, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat e dyshuar si të implikuar në këtë çështje. Viktima mësohet se mbrëmjen e 15 marsit të vitit 2001, kishte shkuar në komunë për të marrë një sasi ilaçesh për 5 fshatra të kësaj zone. Në orët e vona të natës, pasi kishin konsumuar edhe alkool, Neim Braho është nisur drejt fshatit të tij, Zhepë bashkë me Shpëtim Seferajn dhe Çelik Dervishin. Burime nga grupi i hetimit në Departamentin e Krimeve të Rënda në Berat, të cilët po merren paralelisht me hetimin e kësaj dosjeje, bënë të ditur se ka dyshime të forta se Neim Braho është vrarë. Ata po mbledhin prova për të dokumentuar autorësinë e të dyshuarve. Ndërsa kryepolici i Skraparit, Jaupi bëri të ditur se dy të dyshuarit, të cilët e kanë shoqëruar atë natën e ngjarjes, janë thirrur në polici dhe prokurori. Ata janë shoqëruar dhe marrë në pyetje brenda afateve ligjore, por më pas janë lënë të lirë për mungesë provash. Sipas policisë, dosja e kësaj zhdukjeje misterioze është drejt kopsitjes dhe autorët shumë shpejt do të dalin para drejtësisë me akuzë konkrete. Neim Braho ishte 29 vjeç në kohën e zhdukjes. Ai ishte babai i një vajze katër vjeçe dhe priste një fëmijë të dytë. Me gjithë kërkimet e familjarëve, skuadrave të kërkimeve, alpinistëve, etj., trupi i tij sot e kësaj dite rezulton i zhdukur në pyllin e Çernicës, ndërmjet Skraparit dhe Gramshit.
Elbasan, në kërkim 2 adoleshente
ELBASAN - Nëna e një 17-vjeçareje nga Elbasani i kërkon ndihmë policisë, pasi vajza e saj prej datës 8 janar rezulton e zhdukur. Sipas deklaratës së dhënë nga Natasha Salla, nënë e pesë fëmijëve, vajza Xhuljana Hoxha ishte larguar pa lënë asnjë gjurmë. Pasi bëri përpjekje për ta gjetur vetë dhe humbi shpresat se e bija do të rikthehej, gruaja në fund vendosi t'i drejtohet policisë. Blutë kanë shoqëruar disa persona, të cilët i ka marrë në pyetje për të verifikuar vendndodhjen e vajzës, por deri tani asgjë e re nuk ka dalë nga hetimet. Largimi i 17-vjeçares nga shtëpia është rasti i dytë brenda këtij muaji. Një javë më parë është denoncuar zhdukja e nuses së sapomartuar, 16-vjeçares Zenepe Bardhi. Për të dyja rastet policia ka nisur hetimet. a.k