E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurodeputetët interesohen për çështjen e gazetës “TemA”

Nga Tema

Ndërkombëtarët vazhdojnë ta kenë vëmendjen të përqendruar te çështja e gazetës “TemA”. Një grup eurodeputetësh holandezë, të mbërritur në vendin tonë në mision monitorimi, kanë shprehur interesim për çështjen në fjalë. Bastiaan Belder, Leen van der Waal, Dr. Wybren Yogsma dhe Gert Niwenhuis kanë nisur një vizitë në vendin tonë. Bastiaan Belder ka takuar drejtorin e gazetës “TemA”, Mero Baze, për t’u njohur më në detaje me çështjen dhe ka deklaruar se çështja në fjalë do të ngrihet në Parlamentin Evropian. Diplomatë të vendeve të BE prej kohësh iu kanë shprehur shqetësim zyrtarëve shqiptarë për çështjen e gazetës “TemA”, madje iu kanë kërkuar atyre që të shprehen me anë të një raporti në lidhje me qëndrimin e qeverisë për këtë çështje. Raporti në fjalë po përgatitet nga Ministria e Jashtme dhe pritet të pasqyrojë qëndrimin e qeverisë, e cila refuzon të zbatojë një vendim gjykate në favor të gazetës “TemA”, dhe po pengon gjithashtu Përmbarimin ta ekzekutojë atë.

Çështja e gazetës “TemA” ka ngritur një valë reagimesh të ashpra.

Fillimisht reagoi Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju-Jork, i cili iu bëri thirrje autoriteteve ta lejojnë gazetarin Mero Baze të kthehet përsëri në ndërtesë, të ndërpresin përndjekjen e gazetës dhe të mos pengojë gazetarët të bëjnë punën e tyre. Në vend që autoritetet të bëjnë gjithë këto përpjekje për të ndërprerë punën e gazetës, thekson Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ato duhet patjetër të hetojnë incidentin e shpërthimit të makinës së zotit Baze.

Më pas reaguan dhe Reporterët pa Kufij, të cilët kërkuan që t’i jepet fund dëbimit të gazetës “TemA”. Kjo organizatë do sjellë së shpejti një grup monitorimi për këtë çështje në vendin tonë.

Në një deklarate për shtyp të bërë publike para një jave, Reporterët pa Kufij i kërkonin ministrit Nishani të zbatonte vendimet e gjyqësorit dhe të lejonte futjen e gazetarëve të “TemA”-s, në ambientet e punës. Deklarata shton se qeveria duhet t’i japë fund përdorimit të aparatit shtetëror, për sulmet ndaj shtypit. Organizata ndërkombëtare e njohur për mbrojtjen e lirisë së medieve në botë kujton se gazeta “TemA” ka shkruar një numër artikujsh investigativë që denoncojnë afera korruptive, në të cilat janë përfshirë anëtarë të qeverisë dhe partisë në pushtet. Organizata gjithashtu denoncon prishjen e njëanshme të kontratës së rregullt 20-vjeçare që gazeta “TemA” kishte me Ministrinë e Ekonomisë dhe ngre alarmin për mosrespektim të vendimit të Gjykatës, që kërkonte pezullimin e bllokimit.

Së fundi, ishte Transparency International që reagoi për këtë çështje. “Sipas informacioneve të marra nga burime publike, Ministria e Ekonomisë prishi në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim të mëtejshëm kontratën 20-vjeçare të gazetës me ndërtesën. Një bllokadë e papritur policore vazhdoi, dhe punonjësit e gazetës u dëbuan nga zyrat e tyre. Policia nuk dha shpjegime zyrtare.

Ne kuptojmë që ka një mosmarrëveshje ligjore mbi kontratën; por jo më pak e rëndësishme, ne besojmë që, përderisa mosmarrëveshja nuk është zgjidhur me një vendim të prerë të gjykatës, atëherë urdhri për dëbim nuk është lëshuar. Për më shumë, për aq sa ne dimë, vendimi më i fundit i gjykatës është në favor të gazetës.

Dëbimi i gazetës “TemA”, e cila ka kritikuar shpesh korrupsionin e zyrtarëve, shikohet nga shumë si një shenjë e rritjes së presionit politik kundër zërave kritikë në media”, - thuhet në një letër që drejtori për Evropën dhe Azinë në këtë organizatë, Miklosh Marschall i dërgoi kryeministrit, Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›