Ish- kyepolici: Militantët me uniformë
Dilaver Bengasi, ish- Drejtor i Policisë së Shtetit, hodhi akuza për mungesë profesionalizmi në radhët e bluve
"Shumë prej profesionistëve janë larguar nga detyra dhe janë zëvendësuar me njerëz që s'kanë lidhje me policinë"
Tiranë- "Policia e Shtetit, është kthyer në një organizatë bagëtie e bujqësie, në të cilën janë afruar njerëz që nuk kanë lidhje profesionale me policinë.
Në të janë afruar njerëz të të gjitha profileve, kryesisht ato që kanë të bëjnë me ekonominë dhe kulturën buqjësore dhe blegtorale, si agronomë, veterinerë, zooteknikë, por jo kuadro që janë arsimuar dhe specializuar mirëfilli, për të punuar në strukturat antikrim të shërbimit të Policisë".
Kështu e përkufizoi gjendjen e sotme të institucionit të Policisë së Shtetit, ish- Drejtori i Përgjithshëm i saj në periudhën e viteve, 1982- 1990, Dilaver Bengasi, aktualisht me profesion të lirë avokat.
Bengasi i bëri cilësimet e tij, duke hedhur akuza se shumë prej atyre njerëzve që shërbejnë aktualisht në Policinë e Shtetit, janë kthyer në militantë partiakë dhe jo në njerëz të vërtetë profesionisë. Sipas tij, profesionistët e uniformës blu, ia kanë lënë vendin njerëzve që nuk kanë lidhje këtë detyrë dhe profesion.
Këto cilësime ish- kreu i Policisë, i bëri dje në mesditë gjatë takimit të përvitshëm të ish- efektivëve blu në lirim apo në reformë, që u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve në kryeqytet, i cili ishte përgatitur nga Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim, që drejtohet nga ish- funksionari i lartë blu, Besnik Bakiu. Bengasi më tej hodhi akuza të rënda në drejtim të policisë duke, pohuar se kriminaliteti në ditët e sotme është në nivele të frikshme.
Ai iu referua rastit të vrasjes së katër punonjësve të Policisë së Shtetit në mujin gusht të vitit të kaluar në qytetin e Durrësit, duke bërë një krahasim me një periudhë kur problemet social- ekonomike e politike të vendit ishin të tjera nga ato të sotmet.
Përkundër takimit, për ditën e krijimit të Policisë Shqiptare zhvilluar nga të liruarit, Instituticioni i Policisë së Shtetit anuloi kremtimin e saj për shkak të situatës së përmbytjeve në veri të vendit.
Për të pestin vit radhazi, festa e krijimit të Policisë së Shtetit nuk i shpëtoi as këtë vit ndarjes mes efektivëve dhe drejtuesve që kanë shërbyer në kohën kur në pushtet ishte një parti tjetër politike. Kështu ndodhi edhe dje, kur të larguarit nga Policia e Shtetit pas vitit 2005, u mblodhën në një takim të zhvilluar në sallën e teatrit të Akademisë së Arteve në kryeqytet.
Jo më tepër se dy qind metra larg kësaj salle, në ditën e shënuar të krijimit të Policisë shqiptare, 13 janarit, në një ceremoni simbolike iu dorëzoi 297 automjete të reja të blera prej këtij institucioni, për përdorim nga patrullat e përgjithshme dhe të policisë rrugore në vend.
I vetmi moment që lidhte të dy këto organizata me njerëz që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Policinë e Shtetit, ishte prania e kryetarit të Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadedin Fishta, në takim.
Pas fjalës së Drejtorit Ekzekutiv Besnik Bakiu, e ish- kreut të Policisë Fadil Canaj, Fishta tha se përpjekjet e Sindikatës, do të jenë gjithmonë për të qenë pranë efektivëve që janë aktivë, por edhe atyre në reformë apo në pension, pa asnjë dallim duke i konsideruar të gjithë pjesë të saj, ndërsa premtoi bashkëpunim edhe në të ardhmen për çështje që do të jenë në interes të të gjithë atyre që shërbejnë apo kanë shërbyer në radhët e uniformave blu.
Në takim ishin të ftuar të gjithë ish- drejtuesit e Policisë së Shtetit, ish- ministrat e Brendshëm, drejtori aktual i Policisë së Shtetit, Burgaj dhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Për shkak të angazhimeve të tyre në Veri të vendit, këta të fundit nuk ishin të pranishëm.
Burgaj: Puna e sotme e Policisë, në lartësinë e duhur
Menjëherë pas deklarimit të ish- kreut të Policisë së Shtetit, në periudhën e viteve 1982- 1990, Dilaver Bengasi, për mungesë profesionalizmi dhe se Policia është kthyer në vend, ku punësohen militantët dhe ka mungesë profesionalizmi, reagoi edhe kreu aktual i bluve, Hysni Burgaj.
"Ka ikur, koha drejtuesve të Policisë që funksionin me metoda të tilla si ato të para viteve '90. Aktualisht ka ndryshuar tërësisht metodologjia e funksionimit të Institucionit të Policisë dhe të strukturave në varësi të saj,- deklaroi Burgaj, gjatë një bisede telefonike me "Shekullin".
Sipas tij, ka një grup oficerësh të cilët kanë vite që janë jashtë strukturave të Policisë, të cilët e konceptojnë funksionimin e saj sipas metodologjive të vjetra, ndërsa sot sipas tij ka ndryshuar tërësisht konceptimi i punës së saj. "Aktualisht kryhen trajnime të përditshme, dhe merren në mënyrë të vazhdueshme koncepte të reja të policimit dhe të hetimit të krimit.
Për sa i përket nivelit të kriminalitetit, unë mund t'u them se ne kemi statistika të krahasuara për krime të ndryshme të cilat kanë qenë në nivele shumë herë më të larta në vitet e drejtimit të Bengasit, krahasuar me ato aktualet, por që nuk bëheshin publike,- shtoi Burgaj.
Sipas tij, vetëm në pak ditë ishin goditur disa rrjete dhe organizata kriminale që vepronin në vend, kryesisht në drejtim të trafiqeve dhe krimit ekonomik "Unë sot kam shpërndarë për herë të parë 297 automjete për shërbimet e ndryshme të policisë, e cila ka ndodhur për herë të parë. Këto janë gjërat që më interesojnë më tepër mua sot"- tha kreu i aktual i bluve, Burgaj.
Ceremonia
Dorëzohen automjetet e reja të Policisë
Në një ceremoni të thjeshtë që ka zgjatur fare pak minuta kryepolici Hysni Burgaj ka shpërndarë 297 automjete, uniformë për shërbimet e Policisë së Shtetit, kryesisht patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e policisë rrugore. Automjetet e reja, të blera nga Policia e Shtetit, janë marrë në dorëzim nga efektivët e Policisë që do të punojnë me to duke kryer patrullime dhe shërbime të ndryshme.
Sot, në datë 13.01.2010, në sheshin para stadiumit "Qemal Stafa" është zhvilluar ceremonia e shpërndarjes së 297 automjeteve të reja të blera me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit. Burgaj dhe krerët e tjerë të Policisë që morën pjesë në ceremoni thanë se 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa çereku i mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë.
"Kjo sasi automjetesh do të ndikoje drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit", theksoi Z. Burgaj. Pas kësaj ceremonie Burgaj u nis në drejtim të Shkodrës, ku situata e përmbytjeve vazhdon të jetë kritike.
Paniku
Zjarr në konviktin e vajzave tek Inxhinieria
TIRANË- Një nga dhomat e konviktit të studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit është përfshirë dje në mëngjes nga flakët, por pa shkaktuar të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.
Rezistenca e ngrohjes e harruar ndezur dyshohet të jetë shkaku i rënies së zjarrit dje në mëngjes rreth orës 6 e 20 minuta, në njërën prej dhomave të konviktit të vajzave.
Pasi është konstatuar zjarri në godinë janë lajmëruar forcat e zjarrfikësve të cilat kanë mbërritur në vendngjarje duke bërë të mundura shuarjen e flakëve dhe mos përhapjen e tyre në dhomat e tjera të konviktit të studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit që ndodhet pranë "21 dhjetorit" në Tirane.
Forcat e zjarrfikësve kanë mbërritur në dhomën e konviktit pa u përhapur zjarri, duke bërë të mundur që të shuhet në një kohë të shkurtër. Vetë studentet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit njoftuan policinë e cila edhe ajo mbërriti në vendngjarje për të normalizuar situatën.
Disa prej studenteve janë marrë në pyetje nga policia për shkaqet e rënies së zjarrit në ambientet e konviktit. Zjarri përfshiu një prej dhomave të katit të dytë të ndërtesës së konviktit.
Ndërhyrja në kohë e zjarrfikëseve shmangu përhapjen e gjerë të flakëve që do të sillte pasoja të rënda nëse do të përhapej në dhomat e tjera të godinës pesë katëshe.
Nga flaket mësohet se është djegur një krevat dhe një batanije . Edhe pse zjarri nuk solli të lënduar nga radhët e studentëve, rënia e tij u shoqërua me panik mes tyre nga frika e përhapjes në dhoma të tjera.
Mësohet se në momentin e rënies së zjarrit ka pasur studentë në dhomë të cilat janë larguar menjëherë pa pësuar asnjë dëmtim. Shuarjen e menjëhershme të flakëve e ndihmoi edhe fakti se shumë pranë godinës ku ra zjarri ndodhet njësia e shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit.