Vendimi, kur shpallen rezultatet
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatet zgjedhore, për çdo kuti votimi menjëherë sapo Grupet e Numërimit të Votave të përpunojnë rezultatet dhe të plotësojnë tabelat përkatëse.
Falë teknologjisë së lartë elektronike, që pritet të përdoren në këto zgjedhje, KQZ do të tentojë të bëjë më transparente se kurë më parë të gjithë procesin pas zgjedhor. Kështu përveç se kësaj rradhe do të mundet që falë kamerave mediat të ndjekin direkt procesin e numërimit, një tjetër risi e këtyre zgjedhjeve, do të jetë dhe shpejtësia e përpunimit dhe nxjerrjes së rezultateve paraprake për çdo qendër votimi.
Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, KQZ pritet të miratojë nesër projekt-udhëzimin, sipas të cilit, përcaktohet se rezultatet e zgjedhjeve për çdo Qendër Votimi dërgohen menjëherë, pas plotësimit të tabelës nga GN-ja, në rrugë elektronike në KQZ. Po kështu përcaktohet se edhe tabela përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor dërgohet menjëherë në KQZ, përfshirë dhe rrugën elektronike të komunikimit.
Nisur nga këto përcaktime të Kodit Zgjedhor, është përgatitur projektudhëzimi i lartpërmendur, i cili ka për qëllim të përcaktojë procedurat që do të zbatojnë KZAZ-të dhe KQZ-ja për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 2009. Kështu, ndërmjet të tjerave është sanksionuar se me marrjen e informacionit nga KZAZ-të, KQZ bën publikimin në dinamikë në rang zone zgjedhore.
Publikimi i informacionit të mësipërm bëhet në sallën e mediave, elektronikisht e në letër, dhe në faqen e KQZ-së në internet.