E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga kati i tretë i komisariatit 15-vjeçari

Adoleshenti ishte ndaluar më datën 4 mars, ndërsa dyshohej se ishte autor i një vjedhjeje të kryer në bashkëpunim

DIBËR. Një 15-vjeçar i shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë në Peshkopi për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim", është hedhur nga kati i tretë i godinës së këtij komisariati, duke vënë në rrezik jetën, ndërsa është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës pas thyerjes së këmbës dhe disa traumave që ka pësuar. Ende nuk dihen motivet e hedhjes së adoleshentit të shoqëruar në polici, ndërsa kjo e fundit në një komunikatë për shtyp e ka cilësuar si aksidental rastin në fjalë.


15-vjeçari E. Lleshi u shoqërua në polici më datën 4 mars, pasi akuzohet nga policia vendore si pjesëmarrës në një vjedhje në bashkëpunim me dy persona të tjerë po nga ky qytet. Shoqërimi i adoleshentëve është bërë në prani të prindërve të tyre, ndërsa janë vënë në dhomat e izolimit, por mbrëmjen e së dielës rreth orës 23:00, 15-vjeçari sapo ka dalë nga dhomat ku është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore, është hedhur nga kati i tretë.

Ai ka qenë duke qëndruar me babanë e tij në korridorin e kësaj godine, ndërsa ka gjuajtur një moment pakujdesie të shërbimit duke dalë në një sallon për t'u hedhur nga kati i tretë tej rrethimit me kangjella të komisariatit, duke pësuar fraktura në këmbë. Nga rënia në një lartësi të konsiderueshme i mituri pos thyerjes së këmbës ka pësuar dhe disa fraktura të tjera duke u vënë në rrezik për jetën.

Ndërkaq policia e ka marrë dhe e ka dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet së bashku me të atin dhe efektiva të policisë. Ende nuk dihen arsyet e kësaj hedhjeje nga një lartësi e madhe ku 15-vjeçari mund të rrezikonte jetën, ndërsa policia e lidh thjesht me faktin e një rasti aksidental.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›