Vendimi, ndryshojnë kriteret për kreditë
Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re për sa i përket kritereve që duhet të zbatojnë bankat e nivelit të dytë gjatë dhënies së kredive. Me anë të kësaj rregulloreje bankat detyrohen që të realizojnë një llogaritje të normave të interesit me anë të një metodike të caktuar. Ky interes duhet që t’i bëhet i ditur klientit dhe të jetë pjesë e kontratës që duhet të lidhë me bankën. Rregullorja e nxjerrë nga ana e BSH është një material që ka munguar deri tani në marrëdhëniet kontraktuale. Klientët e bankave ndjehen të diskriminuar shpeshherë për shkak të mungesës së informacionit dhe problemeve që vijnë nga mosbërja transparente e kushteve të një kredie. Pas miratimit të kësaj rregulloreje bankat janë të detyruara që të rrisin transparencën për kreditë dhe produktet e tjera financiare që ofrojnë.
Transparenca e munguar
Rregullorja parashtron kërkesa që lidhen kryesisht me mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare të ofruara, për publikimin në veçanti të normave efektive të interesit të depozitave/kredive, për metodën e llogaritjes së normës efektive të interesit për kreditë, për elementet e kontratës së kredisë dhe depozitave, për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, trajtimin e ankesave të klientëve nga bankat dhe evidentimin e veçantë të tyre etj.
Rregullorja “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja” është hartuar në mbështetje dhe zbatim të kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe tëkërkesave të shtyllës së tretë – Disiplina e Tregut, të Marrëveshjes së Re të Kapitalit (Bazel II) të Komitetit të Baselit.
Klientët të pambrojtur
Është bërë traditë tashmë për pjesën më të madhe të kredive, kryesisht ato konsumatore që bankat nuk japin një informacion të mirëfilltë për interesin efektiv dhemënyrën se si llogaritet ai. Një pjesë e madhe e klientëve të bankave janë të detyruar që të marrin shpjegime vetëm për këstet e kredive dhe mbi bazën e tyre, llogaritet edhe shlyerja si edhe të ardhurat. Në vende të zhvilluara ka një strukturë të mirëfilltë ku klientët e bankave mbrohen nga mungesa e transparencës. Rregullorja e miratuar dje merr në konsideratë Standardet e Komitetit të Bazelit për rritjen e transparencës bankare, Direktivat Evropiane si dhe eksperiencat e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e procesit të transparencës së bankave në ushtrimin e veprimtarisë së tyre bankare dhe financiare.
Makthi i kredive
Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti ka vendosur disa herë që të forcojë rregullat për të ulur risqet e kredisë. Një nga rregulloret e rëndësishme është ajo e riskut. Rregullorja paraqet kriteret e autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Në rregullore parashihen ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit "Për bankat", vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha. Rregullorja e re vjen në një kohë që kemi një rritje të madhe të kredisë së keqe në sistem.