E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi braktis lekun, kredia e gjitha në valutë

Kredia në valutë mbetet e preferuar nga ana e bizneseve të cilat neglizhojnë edhe kursin e këmbimit

Kredia në valutë ka qenë baza e financimit të biznesit gjatë pjesës së parë të vitit. Bankat e nivelit të dytë kanë dhënë pjesën dërrmuese të kredisë në valutë për biznesin, që mbetet edhe klienti kryesor i bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë ka pasur një rritje të kredisë me 45% në terma vjetorë, krahasuar me 43%; mesataren e muajve të fillimvitit. Përshpejtimi i ritmeve të kredisë nga muaji qershor e në vazhdim është i lidhur me prezantimin e shumë produkteve promocionale për thithjen e depozitave si edhe nga huatë e marra prej bankave mëmë. Pjesa e parë e këtij viti në përgjithësi ka shtuar ofertat promocionale të bankave, të cilat në të vërtetë sipas BSH-së nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim thelbësor në përfitimet e klientëve. Kështu, të dhënat statistikore tregojnë se në muajin qershor, norma mesatare e ponderuar e depozitave në lekë ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel me atë të muajit maj, 5.48 për qind ose 0.70 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë. Interesat e depozitave në euro kanë pësuar një rritje të lehtë, mesatarisht prej 0.04 pikë përqindjeje, në 4.02 për qind.

Interesat e kredive

Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë, sipas BSH-së ka vazhduar të ulet në muajin qershor në 12.32%, 0.61 pikë përqindjeje më pak se një muaj më parë. Norma e interesit për kreditë me afat 6 muaj deri në 1 vit është ulur mesatarisht 0.50 pikë përqindje. Ulje të normës kanë pësuar gjithashtu edhe kreditë me afat të gjatë mbi 5 vjet. Kredia vazhdon që të mbetet një nga faktorët kryesorë për zhvillimet në ekonomi, përgjithësisht në sektorin e ndërtimit.

Kujdes me kredinë në valutë

Kredia në valutë ka treguar se është më e mira për shqiptarët, edhe për ata që kanë të ardhurat e tyre në lekë. Monedha vendëse ka vazhduar që të mbiçmohet duke ruajtur në favor të këtyre klientëve të bankave kursin e këmbimit. Por për kreditë në valutë Banka e Shqipërisë ka vendosur që të miratojë rregulla më të forta pasi rreziku i kursit të këmbimit mbetet prezent. Në këtë kontekst, nisur nga fakti i rritjes së kreditimit në tërësi dhe të atij në valutë, në veçanti nga bankat dhe degët e bankave të huaja, në bashkëpunim edhe me pjesëmarrësit e tregut, Banka e Shqipërisë miraton disa ndryshime rregullative, që kanë për qëllim kufizimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj. Një vendim i tillë sipas autoritetit qendror monetar është në përmbushje të funksionit të saj të mbikëqyrësit të sistemit bankar.  

-----------------------------------Inflacioni frenon interesat

Prodhimi vendës ka frenuar inflacionin sipas BSH-së, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek vendimi për interesin bazë të lekut. Në mbledhjen e djeshme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Ndër zhvillimet e tjera të spikatura sipas BSH-së në këtë periudhë është vlerësimi i monedhës amerikane, çmimi i së cilës pas një periudhe relativisht të gjatë ra nën nivelin 1.5 dollarë për një euro. “Kohët e fundit vihet re një qetësim edhe në tregjet e lëndëve të para dhe energjitike. Çmimi i naftës ka qenë në rënie për pjesën më të madhe të kohës duke u luhatur ditët e fundit rreth nivelit 112 dollarë amerikanë për një fuçi”, bën të ditur BSH. Inflacioni vjetor në vend në muajin korrik rezultoi 3.7 %, duke shënuar rënie për të katërtin muaj nga niveli më i lartë (4.6% në muajin mars) i arritur gjatë 5 viteve të fundit. Në terma mujorë, inflacioni ra me 0.6% në muajin korrik. Sipas BSH është efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor që krijoi kushte për zbutjen e presioneve inflacioniste mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve në këtë periudhë të vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›