E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi për Ballukun, ja ku dhe kur mblidhet Grupi Parlamentar i PS-së

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet të enjten, në orën 11:00, në Pallatin e Brigadave, për të vendosur lidhur me rastin “Balluku”.

Mbledhja vjen pas asaj të Këshillit të Imunitetit ditën e hënë, ku socialistët u shprehën se masa e pezullimit nga detyra është e mjaftueshme.

Në mbledhje do të prezantohet qëndrimi i grupit dhe do të hartohet raporti, ku pritet që të mos aprovohet arrestimi i zv/kryeministres.

Raportin e socialistëve do ta hartojë Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherazi edhe anëtar i Këshillit të Imunitetit.

Edhe PD do të dalë me raportin e saj. Në fund, të dyja do të kalojnë për votim në Kuvend në seancën e 5 marsit.

Në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit që u zhvillua të hënën me dyer të mbyllura, SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut duke thënë se pozita e saj është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg.

Prokuroria e Posaçme u shpreh se masa e arrestit është e nevojshme duke thënë “ne kemi nevojë që ajo të jetë e izoluar, pa mundësi për të komunikuar me të tjerët, sepse nëse është jashtë, dhe mban komunikime me vartësit, ajo mund të kryejë veprime të kundraligjshme përmes vartësve të saj. Ajo ka emëruar vetë në pozicione kyçe si drejtorë, të besuarit e saj. Dhe kontakti me ta është një lloj sikur në detyrë publike të ishte vetë ajo”.

Balluku akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lote të Unazës së Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›