“Vendimi për liberalizimin e vizave merret në muajin maj të këtij viti”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu merr mbështetjen e Presidencës spanjolle të BE
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka marrë garancinë e Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda muajit maj të këtij viti. Gjatë një takimi të zhvilluar në Madrid me Sekretarin e Shtetit, Diego Lopez Garrido dhe Komisionin Parlamentar për BE-në, Aria Canete Miguel, ministres Bregu i është konfirmuar një mbështetje e plotë e Spanjës, për integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane.
Sekretari i Shtetit për BE, pohoi se pritet raporti i Komisionit Evropian në mënyrë që të vendoset për aprovim në muajin maj, në axhendën e Këshillit Evropian, ç’ka do të mundësojë hyrjen e menjëhershme në fuqi të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Në këto takime Ministrja Bregu bëri një pasqyrim të plotë të situatës politike në Shqipëri duke theksuar vullnetin e qeverisë për të arritur në kompromis, duke respektuar kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve, me qëllim hyrjen e opozitës në parlament, një hap ky që do të ndihmonte përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ministrja Bregu informoi mbi të dhënat e fundit për plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave duke theksuar reformat e bëra për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve dhe ecurinë e mbarë të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaportat biometrike.
Më tej, Ministrja Bregu shprehu vlerësimet për bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Spanjës, pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes dy vendeve në 2007-n, memorandum ky që mundësoi realizimin e disa projekteve në fushën e drejtësisë, bujqësisë, trajnimit të administratës shqiptarë për procesin e integrimit etj. Në këto takime u theksua se ky memorandum do të vazhdojë më tej me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të tjera të rëndësishme, edhe nëpërmjet Unionit për Mesdheun e gjithashtu duke projektuar twinning në infrastrukturë, arsim etj.
Sekretari i Shtetit për BE-në Diego Lopez Garrido theksoi se Presidenca spanjolle ka si prioritet të saj nxitjen e procesit të integrimit për Ballkanin Perëndimor, e Shqipërinë në veçanti.
Në lidhje me liberalizimin e vizave Garrido deklaroi se liberalizimi i tyre për Shqipërinë është një çështje teknike që nënkupton përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit.
“Ne presim raportin e Komisionit Evropian në mënyrë që ta vendosim për aprovim në muajin maj, në axhendën e Këshillit Evropian, ç’ka do të mundësojë hyrjen e menjëhershme në fuqi të liberalizimit të vizave për Shqipërinë”, tha ai.
Me tej Garrido u shpreh se gjatë presidencës spanjolle mund të ketë mes dy vendeve një bashkëpunim shumë dimensional për të ndihmuar Shqipërinë në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në BE.
“Ne do të bashkëpunojmë edhe për menaxhimin e fondeve evropiane për përmirësimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit e çështjeve të tjera të lidhura me vlerat e demokracisë evropiane”.
Pasi u njohën me situatën politike, anëtarët e Komisionit e Parlamentar për BE-në, e cilësuan bojkotin e opozitës si një paradoks politik që nuk çon në asnjë zgjedhje, në interes të vendit.
Deputetët theksuan gjithashtu se janë të gatshëm të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e opozitës shqiptare për rëndësinë e përfaqësimit në parlament, në institucionin ku duhet të miratohen ligjet e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.