Vendimi për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë, historianët e kënaqur

Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni ka theksuar se është e kënaqur me vendimin e Parlamentit për të përfshirë disa nga ngjarjet historike dhe jubiletë të historisë shqiptare, në kuadër të programit shtetëror për 2012 për shënimin e ngjarjeve historike.
“Për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, kuvendi republikan u dha peshën dhe rëndësinë e duhur institucionale tetë datave të rëndësishme për shqiptarët. Shtatë nga këto data janë propozime të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, kurse njëra është propozim-projekt i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Ky institut, për herë të parë institucionalisht do ta shënojë festimin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar”, thekson SHHSHM.
iNgjarjet dhe personalitet e rëndësishme historike shqiptare që do të përkujtohen sivjet nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, janë:
• 100 vjetori i emërimit të Mehmet Pashë Derallës, si ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, të drejtuar nga flamurtari i Vlorës Ismail Qemali,
• 100 vjetori i formimit të orkestrës muzikore "Zani i Maleve” në Shkup, nga i ati i Nënë Terezës (Kolë Bojaxhiu), enkas me rastin e çlirimit të Shkupit nga ana e kryengritësve shqiptarë më 12 gusht 1912,
• 100 vjetori i shkollës së parë private shqiptare në Tearcë të Tetovës, si një nga dritat e para të iluminizmit shqiptarë në rajonin e Sharrit,
• 100 vjetori i marrëveshjes shqiptaro-osmane të Shkupit, më 18 gusht 1912, kur u pranuan 12 nga 14 kërkesat kombëtare të patriotit Hasan Prishtina,
• 100 vjetori i formimit të komitetit “Shpëtimi” në Shkup, i cili ka organizuar kuvendin e 14 tetorit 1912, ku është marrë vendimi për të kaluar shqiptarët nga kërkesa për autonomi në atë për pavarësi kombëtare,
• 50 vjetori i botimit të revistës për shkencë, kulturë dhe art “Jehona” në Shkup, si një nga organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar në Maqedoni e më gjerë,
• 20 vjetori i themelimit të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, si bartëse e shumë nismave dhe aktiviteteve me rëndësi të veçantë kombëtare.
Sipas SHHSHM, një arritje madhore për shqiptarësinë e Shkupit përbën edhe vendimi i Qytetit të Shkupit për emërimin e 45 rrugëve, shesheve e bulevardeve me emra shqip. Tani shqiptarët e Shkupit me krenari do të mbajnë nëpër shtëpitë dhe dokumentet e tyre adresat me emrat e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Azem Maranës,Dervish Himës, Jusuf Gërvallës, Ilirisë, Arbërisë, Tiranës, Shkodrës, dhe emra të tjerë që u përkasin trungut të tyre kombëtar.
Këto emërime ishin propozime të Institutit të Trashigimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, me përkrahje të këshilltarëve shqiptarë të Kuvendit të Shkupit dhe lidershipit të komunës së Çairit.