BE, më 30 nëntor takimi i Presidencës për aplikimin
Presidenca e Bashkimit Europian organizon një takim të radhës me rëndësi për Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Pikërisht në fund të këtij muaji, më datën 30 nëntor në Stokholm do të zhvillohet grupi i diplomatëve dhe ekspertëve të Bashkimit Europian, i cili do të përgatisë draftin përkatës për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Njoftimi bëhet e ditur nga axhenda e Presidencës Suedeze të BE-së, por në këtë dokument nuk bëhet e ditur apo jo që do të jetë në rendin e ditës shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Në njoftimin përkatës, theksohet se më 30 nëntor do të mblidhet grupi punues për Ballkanin Perëndimor, i cili është përgjegjës për çështjet shqetësuese për Ballkanin Perëndimor që përfshin: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën. Ky takim do të vërtetojë procesin e stabilizim-asociimit, instrumentin e parafinancimit, por edhe zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Realisht pritet që dy çështjet kryesore që do të shqyrtojë do të jetë ta vendosë apo jo aplikimin e Shqipërisë, pasi Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi e kanë kaluar këtë hap, madje kanë përfituar edhe nga liberalizimi i vizave. Aplikimi i Shqipërisë është dorëzuar që në muajin prill nga Kryeministri Berisha, në kohën kur Presidencën e kishte Çekia, por ende kjo shkresë ka mbetur në sirtarët e Brukselit. Shtyrja, sipas deklaratës së ministrit të Jashtëm Suedez, Karl Bildt, është bërë për shkaqe teknike, por realisht Gjermania dhe Holanda kanë kërkuar rishqyrtimin e raportit të progresit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Ndërkaq, disa media europiane përmendin se ka pasur edhe arsye të tjera. Në një artikull të saj, e përditshmja italiane online, "Monza notizie", duke cituar burime nga Bashkimi Europian, thekson se axhenda e Brukselit ka pasur një avancim gjithnjë e më të madh për Kroacinë, ndërkohë që ka futur Shqipërinë në grupin e vendeve të fundit. Sipas kësaj medie, është Kroacia vendi më afër Bashkimit Europian ndërmjet të gjithë kandidatëve të tjerë të zonës juglindore. Për Zagrebin hyrja në BE ka shumë pengesa dhe negociatat mund të mbyllen pozitivisht brenda vitit të ardhshëm. Kështu theksohet në strategjinë vjetore të zgjerimit, që sapo është prezantuar nga Komisioni Europian, ku progreset janë shumë të rëndësishme, pavarësisht krizës ekonomike që ka goditur të gjithë.