E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi që prek fundin e durimit

Kostas Karamanlis, Kryeministri konservator grek, ka deklaruar ditët e fundit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, edhe pse një pjesë jo e vogël e anëtarëve më të rinj të kabinetit të kryesuar prej tij, e vlerësojnë këtë zgjedhje si preludi i një humbjeje të paralajmëruar. Nga ana tjetër, kjo përbën edhe paradoksin e politikës në Greqi. Pasi grupi që e kundërshton fort një zgjidhje të tillë politike, deri më tani as nuk ka dhënë dhe as nuk ka ofruar qoftë edhe një argument të qenësishëm, për të kundërtën e kësaj lëvizjeje të z. Karamanlis. Gjithsesi, vendimi në vetvete, aq më tepër i marrë mbi shpinë nga një forcë politike qeverisëse, nxjerr në pah diçka më thelbësore: se e tërë politika në vend po shkon drejt një udhe pa krye.

Trualli politik në të cilën do të mbahen këto zgjedhje të parakohshme, nuk është aspak i qëndrueshëm, për shkak se edhe opozita socialiste ka deklaruar për të disatën herë me radhë, se nuk do ta jepte miratimin e saj për të rizgjedhur në postin e kreut të shtetit, Presidentin në detyrë Karolos Papoulias. Në këtë mënyrë, Greqia do t’i hynte një spiraleje të gjatë krizash zgjedhore, të cilat do të shkatërronin me themel jo vetëm ekonominë e vendit. Me këtë lëvizje politike, Karamanlis është duke e lënë topin e përgjegjësisë në derë të opozitës socialiste, e cila ka kohë që i mëshon fort qëndrimit se “zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”. Kësisoj, ajo duhet të përgatitet, po ashtu si edhe mazhoranca, për të paguar politikisht faturën e vendimeve dhe të zhvillimeve të mëtejshme politike në vend. Kryeministri grek, Kostas Karmanlis, e ka shënjestruar sfidën politike me kundërshtarët socialistë, më tepër si një duel personal mes tij dhe kreut të PASOK-ut, George Papandreou, të cilin ai e vlerëson si një kundërshtar që e ka nën vete. Në një farë mase, duket sikur do të na bëjë me dije se beteja fitohet prej prijësve. Ndoshta ka të drejtë. Por, ka gjasa që kryekonservatori grek po e nënvlerëson pak si tepër kreun e socialistëve, pikërisht ashtu siç bënë në të shkuarën me të rivalët e tij brenda radhëve të PASOK-ut. Mjaft specialistë dhe ekspertë të zhvillimeve politike në raste mbajtjesh të zgjedhjeve të parakohshme, aq më tepër kur konsiderohen njerëz të afërt me “Nea Demokracia”-n, janë të mendimit se PASOK-u nuk do të fitojë dot mazhorancën absolute - edhe sondazhet tregojnë që diferenca mes këtyre partive nuk është e konsiderueshme - ndërkohë që ultranacionalistët e LAOS-it do t’i shtojnë konsiderueshëm përqindjet e përkrahësve e tyre. Ky konfiguracin i spektrit politik do të mundësonte një koalicion të gjerë qeverisës të konservatorëve me ultranacionalistët. Por, nëse nuk del me sukses edhe kjo lloj qeverisjeje me të tillë koalicion, atëherë vendi detyrohet të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve të radhës. Sakaq, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri zgjedhor, PASOK-ut do t’i bëhej i mundshëm përfitimi i më se 10 deputetëve, qoftë edhe duke mbajtur të pandryshuar përqindjen e mbështetjes popullore. Vendimi që ka marrë mbi vete Karamanlisi, paraqet rrezik të një shkalle të lartë. Ai shpreson e beson fort se rezultati i fitores në zgjedhje do të vendoset duke u bazuar te besueshmëria në popullatë e udhëheqësve të dy prej forcave kryesore në vend, konservatorëve dhe socialistëve. Por, këto mund të mos jenë ndjesitë dhe mendësitë e votuesve të thjeshtë, të cilët mund të shtyhen të mendojnë se ndërprerja e qeverisjes do të thotë lodhje e dështim nga ana e konservatorëve, e që më pas duhet diçka ndryshe, për të çuar më tej reformat e nevojshme. Askush në këto çaste nuk mund t’i japë përgjigje të saktë kësaj dileme. Gjithsesi, zhvillimet e fundit politike vërtetuan rrënimin, apo thënë pak më ndryshe, kalbëzimin e sistemit politik në vend (the decay Greece’s political system).

Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›