E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, një histori kontradiksionesh

Në pamundësi objektive për të ndjekur stacionet televizive shqiptare, po kërkoja në internet për filmime të regjistruara nga Kongresi i Partisë Socialiste i mbajtur më 29 gusht, por rezultatet ishin zero. Për një moment mendova se isha një i ri i paaftë për të përdorur internetin dhe u zhgënjeva nga vetja, vazhdova të kërkoj këmbëngultazi dhe zbulova disa regjistrime. Fillova t’i shikoj, ishte fjalimi i Ramës, por i shumëfishuar. Nuk po i besoja syve se si ishte e mundur që një humbës të ishte kaq arrogant dhe kaq megaloman. I vetmi “mesazh” që mund të merrje nga ai fjalim ishte se në liderin Rama, morali nuk kishte lënë gjë tjetër përveç telave dhe mekanizmit të tij. Një fjalim i mbushur me inat e me vrer, ndjenjë kjo që i tejçohej me sukses të gjithë atyre 1450 delegatëve që ndodheshin në Pallatin e Kongreseve, i cili ngjante më i zymtë se kurrë atë ditë. Ai tremb...

Që pas 28 qershorit vihet re se Rama mundohet t’i fajësojë të gjithë për humbjen e zgjedhjeve, Berishën, Metën, Nanon, madje edhe vetë socialistët. Është absurde se si kryetari i një partie që konkurron për të ardhur në pushtet me anë të sistemit elektoral proporcional, te propozuar nga ai vetë, mundohet deri në dëshpërim që ta largojë sa më shumë qendrën e gravitetit të fajit nga vetja. Ai luan me pushtetin e viktimës...

Të mos lejosh mediat që të marrin pjesë në kongresin e një partie politike, e cila konsiderohet pasuri publike e shqiptarëve, në demokraci do të thotë të bësh hapa prapa dhe këtë e bën pikërisht njeriu i cili “kultivon” demokraci, ai që me qëndrimin në krye të PS-së pandeh se do të sjellë demokracinë në një vend që e ka atë. Ai është kontradiktor në brendësi të tij, aty ku ai pohon me fjalë mohon me veprime...

Pothuajse në çdo dalje për mediat të Ramës apo të zëdhënëses së tij, në fund do të thuhet fraza e zymtë “Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”. Ai gabon sërish, pasi tani më shumë se kurrë, koha është e shqiptarëve, ata i thanë jo “politikës së re” që do e merrte peng Shqipërinë prej tyre dhe do ja servirte të gatshme Ramës dhe seidëve të tij. Ai ndjehet i zënë mat dhe mallkon...

Nga sa paraqitet më sipër vihet re me lehtësi se në piktorin Rama është koncentruar një sasi e madhe energjish negative, nëse vazhdon të pikturojë gjithë këtë energji mund ta shndërrojë në një abstraksion interesant me ngjyrë të zezë, por nëse ka hequr dorë nga piktura, si dhe pas disa vitesh merr në dorë drejtimin e vendit, piktura që ne do shohim do jetë ajo e një populli që vrapon me të katra në të katër anët e pikturës. Ai është hakmarrës... Ky kongres solli plot risi në Partinë Socialiste, njëkohësisht dhe në arenën politike shqiptare. Pas deklaratës së kandidatit Malaj për t’u tërhequr nga gara për kryetar dhe pas shpalljes së kandidaturës së Lakrorit duket se paradoksi vazhdon. Dy kandidatët për kryetar janë individë politik jodeputetë, Rama me një karrierë partiake të barabartë me vitet si kryetar i kësaj partie, por që nuk e kandidoi veten si deputet, kurse Lakrori me një karrierë të gjatë në parti dhe në parlament, por që “aksidentalisht” kësaj here nuk u vendos në listën e kandidatëve për deputet. Kazusi politik që po zhvillohet në PS, i cili nga gjasat duket se u mbyll që me kongresin e 29 gushtit, është nga ato kazuse sui generis ku çdo zgjidhje të çon në humbje dhe çdo humbje të çon në ripërsëritje. Ai po e fut Partinë Socialiste në një rreth vicioz...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›