E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, qeset plastike nuk do të lejohen të përdoren pas 1 janarit 2013

TIRANË- Pas datës 1 shtator të këtij vitit, kompanitë prodhuese të ambalazheve nuk do të lejohen të prodhojnë apo hedhin në treg qese plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë.

Ndërkohë që pas datës 1 janar 2013, nuk do të lejohet përdorimi dhe tregtimi i qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare. Kjo përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar në mbledhjen e djeshme, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, qëllimi i të cilit është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre.
Vendimi përcakton se “ndalohet prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve, kur nuk respektohen nga subjektet përgjegjëse kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe”, si dhe “e qeseve plastike nën 30µ (mikro) (15 për çdo anë)”.

Vendimi përcakton gjithashtu ndalimin e “transportit të mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake”. Vendimi synon të parandalojë mbetjet nga gjenerimi i ambalazheve, të nxitë grumbullimin e diferencuar, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve nga ambalazhet, duke reduktuar sasitë e tyre që asgjësohen përfundimisht, si dhe të vendosë rregulla për prodhimin e ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe të përcaktojë subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre.

Zbatimi i vendimit prek të gjitha llojet e ambalazheve të hedhura në treg në Shqipëri dhe të gjitha mbetjet nga ambalazhet, të përdorura ose të hedhura nga subjektet shtëpiake, bujqësore, industriale, si dhe nga shërbimet e tjera tregtare, përfshi edhe sektorin publik, pavarësisht nga lloji i materialit ambalazhues.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›