Vendimi, rregulla të reja për kompensimin e ish-pronarëve
Të gjithë pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim, do të shpërblehen në të holla për vitin 2011, sipas një skeme të re, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Qeveria vendosi dje në mbledhjen e radhës, rregullat dhe kriteret për shpërndarjen e fondit për kompensim. Sipas vendimit të qeverisë, pronarët në fjalë do të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse përmbushet vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, i cili duhet të jetë përfundimtar dhe i ekzekutueshëm dhe gjithashtu nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Kurse, përsa i përket vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt të klasifikimit, do të merret në konsideratë numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi i pronarëve, sipas vendimit të qeverisë, do të bëhet vetëm në truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës e cila do të kompensohet. Skema sipas të cilës qeveria ka vendosur të kompensojë ish pronarët për pronën truall parashikon që për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit të jetë 200 (dyqind) m2, për pronat mbi 1500 (një mijë e pesëqind) deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m2, për mbi 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m2, për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m2 dhe për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m2. Vendimi i qeverisë parashikon se subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011. Përsa i përket dokumentacionit që ish-pronarët duhet të paraqesin pranë AKKP-së, vendimi parashikon kërkesën për kompensim në të holla, titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, planvendosjen përkatëse, si edhe planin e rivlerësimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive, dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, dokumentin e identifikimit dhe mandat pagesën. Vendimi në fjalë parashikon gjithashtu se subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008 dhe 2009, do të paraqesin si dokumente kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dëshminë e trashëgimisë dhe prokurën e posaçme. Sipas VKM së djeshme, procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 1 muaj. I gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor.
Tabela
1500 m2 kompensimit 200 (dyqind) m2,
Mbi 1500 deri në 3 000 m2 kompensimi 300 m2,
mbi 3 000 deri në 5 000 m2 kompensimi 400 m2
mbi 5 000 deri në 10 000 m2 kompensimi 500 m2
mbi 10 000 m2 kompensimi 600 m2.