Dy variante për amnistinë fiskale, si do të realizohet
Qeveria e ka marrë seriozisht kërkesën e biznesit për amnistinë fiskale, duke parashikuar edhe një variant rezervë, nëse opozita nuk jep konsensus për amnistinë e përgjithshme. Kryeministri Sali Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë i ka kërkuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, të iniciojë projektin për amnistinë. Berisha bëri të ditur se, qeveria do të bëjë amnisti fiskale për bizneset, një kërkesë kjo e kahershme e këtij komuniteti. Ai deklaroi se, do të aplikohet amnistia fiskale për bizneset, por të parandalohet ajo ndaj parave që vijnë nga trafiqet apo nga droga. Kryeministri i ka bërë thirrje edhe opozitës të bashkohet me këtë iniciativë të qeverisë, pasi kjo është në interes të biznesit. Kryeministri tha se, do të përdoren dy variante për amnistinë. “Duhen aplikuar mirë dy qëndrimet: Ai i amnistisë dhe ai i faljes, pasi kjo e fundit do të jetë për të gjitha detyrimet dhe gjobat. Ato duhet të jenë një shans i ri për të gjitha bizneset. Por si amnistia dhe falja, duhet të jenë më të plota për biznesin e vogël dhe kjo për faktin se 80 për qind e të punësuarve në sektorin provat, janë në kuadrin e tij dhe se ai është gjenerator i fuqishëm i ekonomisë”, u shpreh Berisha. Por nga ana tjetër, Kushtetua përcakton 3/5 e votave, si kusht për t’u shpallur. Por nëse opozita refuzon, qeveria është gati të aplikojë variantin falje fiskale, që kërkon shumicë të thjeshtë në Kuvend, por që ka rreze më të ngushtë veprimi.
Varianti i parë
Kërkesa e biznesit dhe nisma e qeverisë për amnistinë fiskale është për një aplikim të plotë të saj. Mirëpo kjo kërkon vullnetin e 3/5 e Kuvendit ose 84 vota, për të cilat në këtë periudhë parazgjedhore dhe tensioni të lartë politik ka pak gjasa të ofrohet konsensus nga opozita. Amnisti fiskale do të thotë amnisti e taksave dhe legalizim i kapitalit. Amnisti e taksave do të thotë falje e borxheve që kompanitë ose individët kanë ndaj autoriteteve taksambledhës. Legalizim i kapitalit do të thotë deklarimi vullnetar nga individët ose personat juridik i pasurive monetare, pasurive të paluajtshme dhe i pasurive të tjera të fituara prodhuar brenda ose jashtë vendit. Që amnistia fiskale të jetë e suksesshme, së pari, ajo duhet të zbatohet vetëm një herë, që zgjat disa muaj dhe mos të përsëritet kurrë; dhe, së dyti, të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Nëse aplikohet ky variant, kryeministri Berisha ka propozuar që ligji që do të bëjë të mundur amnistinë fiskale të përjashtojë tërësisht amnistinë e taksave dhe legalizimin e kapitalit, që janë produkt i krimit dhe aktiviteteve terroriste. Bazuar në praktikat e vendeve të tjera, nëse aplikohet kjo lloj amnistie, qeveria mund të aplikojë një gjobë në përqindje për çdo vlerë që kërkohet për amnistim nga subjektet e interesuara.
Varianti i dytë
Ky variant ka më shumë gjasa të aprovohet dhe është në dorën e pakicës dhe qeverisë, duke mos kërkuar shumicën e cilësuar në Kuvend. Mirëpo kjo lloj amnistie është shumë e kufizuar në spektrin e përfitimit të dyanshëm. Qeveria ka në dorë të falë vetëm gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e papaguara në dogana dhe tatime. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar dhe që do të amnistohet, mund të vihet një përqindje, por sigurisht kjo lloj amnistie lë jashtë kapitalet. Kjo më së shumti ka të bëjë me shlyerjen e borxheve të këqija të shtetit, që në shumtën e rasteve janë pa shpresë arkëtimi. Një lloj falje e tillë u shpall edhe në vitin 2008. Nga kjo falje përfituan ndërmarrjet shtetërore, institucionet shtetërore, buxhetore e jobuxhetore, ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital të përbashkët me shtetin si dhe bizneset. Të gjithë këtyre u falën 100 për qind gjobat dhe 50 për qind e kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gjithashtu, përfituan edhe bizneset, debitorë ndaj administratës doganore, për automjetet e importuara, të evidentuara dhe kontabilizuara deri më datën 31.12.2000, u falet detyrimi doganor, me të gjithë komponentët e tij, si kamatëvonesa, gjoba dhe ditëqëndrimi.