E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi/ ska konsensus për ligjet që duan 84 vota

14/06/2010 PS kushte për Kuvendin deri në hapjen e kutive

Kërkesa për hapjen e kutive të fletëve risjell në skenë të tjera kushte të Partisë Socialiste në adresë të mazhorancës qeverisëse. Kështu, ndër nismat e ndërmarra nga kupola rozë në funksion të realizimit të një kësaj kërkese, në ditët në vijim do të jetë grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ai i cili do të bllokojë në Kuvend të gjitha ligjet të cilat kërkojnë 84 vota. Ligjvënësit socialistë do të vendosin një embargo të tillë për shumicën parlamentare deri kur të hapen kutitë. Madje, një vendim i tillë, i cili pritet të formalizohet në mbledhjen e radhës së grupit kuvendor socialist, mësohet se vjen dhe për një tjetër arsye, e kjo për shkak të penalizimeve të deputetëve të PS-së. Ndërkohë që deputeti i kësaj partie, Damian Gjiknuri, duke saktësuar dhe më tej një pozicion të tillë të parlamentarëve socialistë, bëri me dije se vota e socialistëve do të jetë kundër në një Kuvend ku mbizotëron atmosfera agresive. “Kuvendi është në ditën e tij më të zezë. Në këto kushte, kur klima është acaruar, do të ishte shumë e vështirë që të realizohej konsensusi i nevojshëm për ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Patjetër që Partia Socialiste është për ecjen përpara, për reformat e këtij vendi, por duhet të krijohet klima e nevojshme në këtë vend për çështjet më themelore që i takojnë qoftë parlamentarizimit, qoftë dhe kushtetutshmërisë së qeverisjes në këtë vend”, vuri në dukje Gjiknuri lidhur me një situatë të tillë ku është përfshirë klasa politike. Në këtë mënyrë, edhe pse grupi parlamentar i PS-së është kthyer në sallën e Kuvendit, sërish shihen tendenca të cilat shtojnë tensionimin e mëtejshëm të kësaj atmosfere, ku një moment që ka krijuar jo pak konflikt mes palëve është dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit dhe ndryshimi i pagesës së deputetëve. “Nëse ka një kompromis politik, nëse ka dhe një zgjidhje për krizën e thellë politike në të cilën jemi futur, nëse Kuvendi trajtohet si arenë debati dhe jo arenë force nga ana e mazhorancës për të ndryshuar rregullat brenda natës, patjetër që çdo gjë është e diskutueshme dhe ne jemi atje për të bërë politikë”, vlerësoi Gjiknuri gjatë fjalës së tij.

Gramoz Ruçi

Opozita paralajmëroi refuzimin prej saj të dhënies së votës për projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, në këmbim të një marrëveshjeje politike në seancën parlamentare të 10 qershorit. “Nga 22-23 ligje që keni këtu, gati dhjetë apo 11 janë ligje kodesh, që duan shumicë të cilësuar. Ky institucion duhet të përmbushë misionin e tij jo me ngjyra partiake, po për ti dhënë qëndrueshmëri vendit. Theksoj se kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e plotë, ku opozita nuk është garnitura e mazhorancës”, tha kreu i kuvendorëve të PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë fjalës së tij në Parlament.

Ligjet që kërkojnë 84 vota

Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligi “Për faljen”.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”

Reagimi i PS

Imeraj: Berisha të bëjë transparencën e ekonomisë

Replikat dhe kundërreplikat mes dy partive kryesore në vend vijojnë të jenë prezente çdo ditë. Në deklaratat për shtyp të bëra nga selitë përkatëse, përfaqësuesit socialistë e ata demokratë nuk kursejnë gjuhën e akuzave për njëri-tjetrin. Kështu, pas reagimeve që vijnë nga PS-ja, do të jetë PD-ja ajo e cila do të kundërreagojë, ose e kundërta. E njëjta situatë ishte dhe dje. Zëdhënësja për shtyp e PS-së, Armela Imeraj, gjatë një deklarate për shtyp tërhoqi dhe një herë tjetër vëmendjen e shumicës parlamentare për ti hapur rrugë transparencës së ekonomisë. “Ka kohë që Sali Berisha e ka humbur qetësinë e që dëgjojmë të nxjerrë nga goja e tij apo tellallëve të tij fjalë e akuza të pavërteta. Deri diku është e kuptueshme, njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Po të vjen keq kur sheh se Sali Berisha dëshpërohet ngaqë e vërteta po del në shesh, se transparenca po fiton mbi kutitë e mbyllura, e se të gjithë miqtë ndërkombëtarë janë rreshtuar në mbështetje të hetimit të zgjedhjeve. Në këto momente Sali Berisha bën mirë të ruajë qetësinë. Të hapë kutitë e të bëjë transparencën e ekonomisë, të cilën ky njeri po e shkatërron çdo ditë”, vlerësoi Imeraj gjatë fjalës së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›