Zbulohen prioritetet e vitit të ri ekonomik

Projekti historik: Shqipëria, me statusin e vendit të zhvilluar, brenda vitit 2017
Nëse mendime të ndryshme do të ndaheshin në qëndrimin se, tranzicioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë për Shqipërinë, falë një plani konkret masash, qeveria shqiptare i jep fund aludimeve të skeptikëve, duke shpalosur një program të tërë, për zhvillimin e Shqipërisë brenda vitit 2017.
Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave për këtë vit, shefi i ekzekutivit Sali Berisha parashtroi një pjesë të objektivave të qeverisë mbi bazën e të cilave qeveria do të ecë përpara në projektin madhor, “Shqipëria, vend i zhvilluar brenda 2017”.
“Qeveria mblidhet në mbledhjen e parë të vitit 2011 me një optimizëm, vendosmëri e qartësi, për ta shndërruar këtë vit, në vitin e një zhvillimi të fuqishëm, në vitin ndër më të rëndësishmit në projektin ‘Shqipëria vend i zhvilluar brenda vitit 2017’. Objektivat e viteve që vijnë janë të mëdha. Qytetarët shqiptarë do të informohen me hollësi nga ju. Ndërkohë brenda 5 ditëve do të paraqisni objektivat tuaja për këtë vit. Ka një thënie ky popull që burri lidhet nga fjala, ndaj dhe ne do tua bëjmë të qartë shqiptarëve se çfarë ne do të bëjmë këtë vit me buxhetin më të madh në historinë e tyre. Do të dalim para tyre me objektivat më të qarta, do ti informojmë ata dhe do tu japim mundësinë të kontrollojnë një për një zbatimin e tyre. Ndaj dhe të nderuar zotërinj ministra është e domosdoshme që të riformulojmë edhe njëherë objektivat e kristalta të cilat ju dhe unë do ti shpallim para mediave, në mënyrë që çdo qytetar shqiptar të njihet me detyrimet që merr përsipër qeveria, në interesin e tre më të mirë gjatë viti 2011”, u shpreh Berisha. Duke specifikuar objektivat, kryeministri tha se primare mbeten rritja e rrogave dhe pensioneve, integrimi evropian, lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe rritja e standardit të jetesës së shqiptarëve. Për realizimin e këtyre objektivave madhore, kryeministri Berisha kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës. “Përpjekje të gjithanshme për të përmbushur detyrimet tona në procesin e integrimit evropian, mbetet kjo shtylla kryesore, objektivi ynë më madhor. Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga qeveria. Natyrisht ftojmë opozitën të bashkëpunojë me këtë axhendë jashtëzakonisht të rëndësishme, por është në tagrin e saj të marrë vendimet që do. Axhenda jonë është axhenda jonë dhe kjo axhendë nuk mund të pengohet nga asgjë. Imagjinoni ju sikur këto arritje të ishin future në kuti. Pra shqiptarëve iu mbeten vizat, u mbeten rrogat dhe pensionet, u mbetet një sistem i ndryshuar arsimor, iu mbetet një hov i madh cilësor në fushën e teknologjisë dixhitale. U mbeten arritje madhore në ekonomi, financa dhe të gjitha fushat. Dikujt tjetër i mbetet kutia. Unë i kam dalë borxhit dhe i dal përsëri. Jam i gatshëm të bashkëpunoj, por përndryshe axhenda ime është intensive dhe jam i papërmbajtur në zbatimin e saj. Me një pasion dhe përkushtim të pakufizuar kam punuar dhe do të punoj me agjendën e kësaj qeverie që është dhe interesi personal i çdo qytetari shqiptar. Janë 800 mijë familje shqiptare që presin rritjen e rrogave dhe të pensioneve, që presin krijimin e vendeve te reja të punës, që presin luftën e mëtejshme te suksesshme kundër korrupsionit. Pra axhenda do të vazhdojë. Unë e ftoj opozitën të bashkëpunojë në interesin e saj më të mirë. Ndaj dhe të kemi parasysh që objektivat duhet të jenë të tilla që të konsolidojnë themelet e objektivit historik dhe madhor “Shqipëria vendi zhvilluar brenda vitit 2017”, deklaroi kryeministri.
Duke folur në veçanti për objektivat e secilës Ministri, kryeministri u shpreh se objektivi kryesor i diplomacisë është që së bashku me ministrinë e Integrimit të ecë përpara drejt integrimit në BE.
“Orientimi i diplomacisë sonë është drejt një diplomacie ekonomike. Ne besojmë se lidhjet më të mira politike realizohen nëpërmjet konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike”, u shpreh Kryeministri.
Gjatë prezantimit të objektivave madhore të qeverisë për 2011, kryeministri Berisha u ndal në mënyrë të veçantë edhe tek dikasteri që sipas tij përmbushi me sukses reformat për lëvizjen e lirë, dikasteri i drejtuar nga ministri Basha.
“Ministria e Brendshme ka detyra të rëndësishme që kanë të bëjnë me garancinë e jetës, luftë më zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dhe mbeten objektiva të kësaj Ministrie”, tha Berisha.
Kryeministri u ndal në prioritet e këtij viti për arsimin, duke bërë të qartë se tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek cilësia.
“Në fushën e arsimit është bërë një progres shumë i madh, i jashtëzakonshëm do ta cilësoja, në rrafshin e treguesve të ndjekjes së shkollës së mesme dhe të lartë, internetit. Por tani përqendrimi ynë total do te jete tek cilësia. Kam insistuar dhe insistoj që universitet të mos kenë asgjë të përbashkët me repartet ushtarake. Një frymë shumë e gjerë lirie duhet të fryjë tek universitet tona, por kriteret duhet të jenë gjithnjë e më të rrepta dhe më të qarta”, u shpreh kryeministri.
Porsa i takon shëndetësisë, kreu i qeverisë tha se objektiva madhore janë vendosja e sigurimeve të reja shëndetësore, për të cilat do të miratohet dhe ligji, si dhe kompletimi sa më shpejt i reformës në shëndetësi.
“Vetëm me një sistem shëndetësor eficent që i ofron ndihmën çdo qytetari, Shqipëria mund të jetë një vend i zhvilluar”, tha kryeministri.
Lidhur me prioritetet në fushën e mjedisit, kryeministri tha se objektiva kryesore mbetet mbrojtja dhe zhvillimi i tij. Duke u ndalur te infrastruktura, kryeministri u shpreh se vetëm një Shqipëri, me një rrjet rrugor të ri dhe modern mund të konsiderohet Shqipëri Evropiane.
“Kemi 91 komuna të palidhura me rrugë automobilistike me akset kombëtare. 45 do të lidhen brenda këtij viti. Ky është një objektiv madhor që nuk lëviz”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo do të nxiste maksimalisht prodhimet bujqësore, për t’i dhënë kështu një hov domethënës, projektit të madh të farorëve, arrave, lajthive, gështenjave, bajameve dhe shegëve.
Një tjetër objektiv i konsideruar më rëndësi jetike nga qeveria, është ai për asnjë familje shqiptare në mjerim. Shumë shpejt do të kalojë në parlament ligji për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, sipas familjeve në nevojë. “Asnjë familje shqiptare në mjerim dhe i kemi hedhur bazat e forta, kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë këtij viti. Kalojmë së shpejti dhe ligjin dhe ne në emër të asaj që quhet një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave do të bëjmë që shqiptarët të mos jetojnë më në mjerim”, tha kryeministri.
Turizmi, Shqipëria e bukura e dheut
Një vëmendje të veçantë kryeministri Berisha i kushtoi edhe turizmit, ku deklaroi se viti që shkoi ishte një vit i bekuar. Kryeministri solli në vëmendje kronikat e rrjetit prestigjioz amerikan, CNN, i cili e shpalli Shqipërinë destinacionin turistik gjatë 2011-ës.
“Këtu do të rendis si një nga lajmet më pozitive në historinë e këtij vendi, lajm, i cili sot qarkullon në mediat më serioze të botës dhe për të cilin çdo ditë shkruhen artikujt më shumë se për çdo gjë tjetër për këtë vend, ‘Shqipëria miss bota’, ‘Shqipëria e bukura e dheut’. Një ditë marr një telefonatë nga një mik i imi, i cili më thotë: sot e gjithë ditën CNN transmeton këtë lajm e ndjehem i lënduar, se si unë nuk kam parashikuar, imagjinuar apo menduar që Shqipëria të shpallet për vitin 2011, destinacioni kryesor turistik i planetit. Kjo përbën lajmin më pozitiv që qytetarët e botës kanë marrë ndonjëherë për këtë vend. Të shpallesh destinacion kryesor turistik, në një kohë kur 6 vjet më parë nuk ke ekzistuar në hartën turistike të botës, do të thotë të kapërcesh ylberin dhe kjo jo në sensin e vjetër shqiptar, por në sensin e ri, se e bukura është vajzë, jo burrë. Ky lajm do të thoja është mirësi e vërtetë, pasi Shqipëria destinacion kryesor turistik është mirësi e mbarësi për këtë vend”, tha Berisha.
Stabiliteti ekonomik, arsyeja që Shqipëria qëndron në krye të ekonomive evropiane
Kryeministri Berisha solli në vëmendje se investimet e vitit të kaluar janë dhe treguesit më të mëdhenj të qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri tha se vetëm në rrugë janë investuar më shumë se 1 miliardë dollarë.
“Ekonomia shqiptare, e cila është leva e Arkimendit e kësaj qeverie për të ndryshuar dhe ndërtuar Shqipërinë europiane, sërish qëndron në krye të ekonomisë europine. U investuan mbi 1 miliard dollarë në rrugë, shkolla, spitale, ujësjellës, kanalizime për qytetarët shqiptarë, u rriten me rreth 30 për qind investimet e huaja. Por, mbi të gjitha, u rritën rrogat e pensionet. Gjithnjë në këtë situatë më vjen ndër mend inversi i asaj që shkruan Dante ‘S’ka dhimbje më të madhe se të kujtosh kohët e lumtura në mizerje’, por unë do të thosha nuk ka lumturi më të madhe që në kohë të vështira të jesh mirë. Në një kohë kur sheh si ulen rrogat e pensionet, si hiqen mbështetjet sociale, ti bën rritjen më të madhe të tyre për qytetarët, atëherë ke shumë arsye të ndjehesh i privilegjuar, ke shumë arsye të falënderosh Zotin, qytetarët dhe reformat, të cilat kanë bërë që kjo ekonomi të qëndrojë më mirë se çdo ekonomi tjetër ndaj krizës më të rëndë që Europa ka njohur ndonjëherë”, tha kryeministri.
Berisha shtoi se ekonomia shqiptare mbylli vitin ndofta me rritjen më të madhe të eksporteve si përqindje në botë.
“Ata, të cilët predikuan dy herë në javë krizën duhet të ndjehen të lënduar, sepse unë informoj shqiptarët se nga 1 miliard dollarë që ishin eksportet në vitin 2009, në vitin 2010 janë 1 miliard e 670 milion dollarë. Asnjë vend nuk ka shënuar ndonjëherë një rritje të tillë eksportesh, aq sa ka shënuar Shqipëria. Ky është hopi më i madh që ky vend ka bërë në historinë e tij drejt balancimit të bilancit tregtar të saj dhe ajo çka është më pozitivja, në rast se përpara raporti i eksporteve të prodhuara në vend me rieksportet ishte 3 me 1 në favor të këtyre të fundit, tani janë ‘dhëmbë për dhëmbë’, janë të barabartë. Kjo është ekonomia shqiptare, ky është vibrimi dhe entuziazmi i kësaj ekonomie. Ne jemi të bindur e të vendosur që viti që vjen do të jetë edhe më i mbarë”, tha më tej kreu i qeverisë.
Qeveria, gati vendimi për ngritjen e teatrit të komedisë
“Objektivat e ministrisë së kulturës janë të mëdha, shumë të rëndësishme. Pres brenda një afati shumë të shkurtër vendimin e qeverisë për ngritjen e teatrit të komedisë. Jemi të vonuar dhe kërkoj mirëkuptimin e të gjithë artistëve dhe publikut që mezi e pret këtë teatër, se reformat nuk janë të rrufeshme. U kalua ligji, u bënë të gjitha, por ky teatër duhet të ngrihet me të gjithë parametrat që i përket atij”.