E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, tre doktorët marrin gradat e mohuara nga viti 2001

30/03/2005  TIRANË – Tre doktorë të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", kanë fituar duelin me eprorët e tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Jul Bushati, me titull "Profesor, Doktor", Hasan Hafizi me titull "Mjeshtër Kërkimi" dhe Albert Sotiri me titull "Profesor i Asociuar", fituan të drejtën e dëmshpërblimit, përkatësisht me nga 8 milionë, 6 milionë dhe 3 milionë lekë. Kjo e drejtë, tre doktorëve të sipërpërmendur i është mohuar nga Drejtoria Spitalore që nga viti 2001. Në këtë vit, me vendim të Këshillit të Ministrave, tre doktorët morën gradën përkatëse. Por, edhe pse vendimi i KM-së u botua në fletoren zyrtare, Drejtoria Spitalore nuk ishte dakord për dhënien e pagesës shtesë. Përfaqësuesi i Drejtorisë Spitalore ka paraqitur pretendimet e veta para gjyqtares Manjola Bejleri. Ai është shprehur se, tre doktorët që kanë fituar gradën përkatëse me vendim të KM-së, nuk e meritojnë atë. Por pretendimet e palës së paditur janë hedhur poshtë me provat e paraqitura nga avokati mbrojtës i doktorëve, Klojda Dashi. Sipas vendimit të gjykatës, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", me pa të drejtë u ka mohuar dhënien e pagës shtesë për gradën tre mjekëve, të cilët janë cilësuar me vendim të KM-së si të suksesshëm në fushën e tyre. Mjekët me vendim të gjykatës duhet të marrin shtesën e pagës së mohuar që nga viti 2001. Gjithsej shuma që duhet të paguhet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është 17 milionë lekë të vjetra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›