E Diel, 1 Nëntor 2026

Geni magjik në prozën bashkëkohore

29/03/2005  Alban Bala

Pasi iu ndërpre muza për afro dhjetë vite, Alban Bala nuk tërhiqet për të thënë se po “flinte gjumë”, apo siç e ngacmuan kolegët e tij, se i paskësh “humbur” ambicja.

Në diaren e botimeve të përditshme, shkrimtari Zija Çela do t’i jepte heshtjes së tij virtytin e ndërgjegjes së brendshme në këtë rikthim të Balës, me përmbledhjen e novelave të sapobotuara. “Ikje nga shtrati”, kolana “Ideart” bëri dje paraqitjen në “Friend’s book house”, duke e vendosur shkrimtarin e ri përballë gjykimit racional të prozatorëve të njohur. Duke i shkruar prozat në dorëshkrime, që prej viteve ’96, Bala thotë se ndroja e vetme ishte situata e sotme e tregut të librit, që e bëri të mos ngutej fort. Ndërsa përvoja jetësore që zhbiron në pjesën e fshehtë, misteriozen, aty ku ngecin pothuaj shkrimtarët, i takonte indit magjik. Për autorin, zeja e vjetër e alkimisë e shtron rrafsh tek e përditshmja për të mbërritur deri te shpirti. Në thelb, një prejardhje të tillë prozatorët e njohur si Zija Çela dhe Lazer Stani e thanë troç, se ka të bëjë me realizmin magjik, që “paragjykohet” aq shumë në letërsinë e sotme bashkëkohore shqiptare. Një hap që ndalon te mitet, legjendat, bestytet apo në ritet misterioze, që veç besohen e trashëgohen. Por rasti i Balës i ngjet dhe asaj dileme se kush jepet më fort në letërsi; jeta është imitim i artit apo arti imitim i jetës.

Lazer Stani do ta përmblidhte se kjo vepër “të bën të ndjehesh mirë”, ku mjafton për të selektuar krijimtarinë e fundit të Balës si prezantimin më të mirë pas asaj heshtjeje të gjatë, me veten, si autor, por jo me letërsinë. Dihet meraku që ka prozatori L.Stani, kur i duhet të flasë për një vepër; geni i gjuhës, i rrëfimit e tërhoqi për të shpjeguar se Bala ka “çvjetëruar gjuhën” në këtë vepër, ku çdo fjali vjen si e re. Por në brendësi të veprës, Stani ka ngulur mendimin në thelbin e qenies që paraqet kjo prozë, duke gjetur shkak për ta renditur atë në prozën bashkëkohore shqiptare.

Katër novelat e këtij vëllimi gjallërojnë njëherazi shqisën e shijimit të një teksti, shkruar mirëfilli për prozë, pa qasjet e ndërmjetme e të drojtura të rishtarit dhe ngashnjyesit të lexuesit me lëndë ezoteriko-erotike dhe pa dinakërinë e zanatçiut që rreket se e di përherë atë do lexuesi.

Këto novela nuk të ofrojnë çudira të pandodhura që rrëfehen në mënyrë të pangjashme, por as me frutat e serës nuk ngjasojnë. Janë katër proza, ku aroma e gjuhës krijon njëherazi personazhe dhe atmosferë, ku subjekti rrëfehet dhe vetërrëfehet mes një loje jo pa gracka të kuptimit intelektual dhe drithërimës emocionale, ku siguria në përdorimin e teknikave të narracionit nuk e vret dhe nuk i merr frymën asaj që thuhet, ku psikikja kolektive shfaqet pambarimisht në variacione personazhesh dhe ku autori i shpëton paq vizatimit të vetvetes dhe asaj që ai di të shohë. Novelat e Alban Balës nuk premtojnë, ndaj arrijnë të shprehin gjer aty ku autori kërkon të ndalë për të vënë pikën, pikërisht, ashtu siç i pëlqente Fluabert-it, kur shkruante se asnjë vepër nuk përfundon, ajo thjesht braktiset nga autori.

Katër novelat e përmbledhjes “Ikje nga shtrati” janë pra, pamje të menduara gjendjesh emocionale që shtyjnë dhe zëvendësojnë njëra-tjetrën, fabula të ngjizura me unin ballkanik, mistikë e lexuar si Fat - kur përfundon mirë - dhe si Fatalitet - kur realizmi magjik na ofron risqe paralelë që na lidhin me botën përmes kuptimit se njeriu është një, kudoqoftë ai dhe se masa e tij është po një: humanizmi, siç ndihet herë me dhimbje, herë me ironi e herë me kapriço në këto proza që lënë shenjë teksa lexohen nga ai lexues që pranon ftesën e autorit për bashkëpunim, për një copë udhë meditativo-emocionale.

Në këto tekste të ngjeshura për nga organizimi, autori i ka shpëtuar qoftë semplizmit për të nxjerrë kunja nga lisi, qoftë ngasjes për të quajtur tigër çdo felin. Ai di të rrëfejë me NE të fortë, damkosëse, kur është fjala për të shënjuar rrjedha kolektive ngjarjesh a mendësish që marrin përpara e fshijnë nga faqja e dheut pa mëshirë çdo UN, ku për çdo mendim ndryshe është e parashkruar shpaga, kur një tipizim ka vlerën jo thjesht të një njeriu të pagjasë, por të një shoqërie të dalë apo në kërkim të daljes nga okultja dhe rrethi i mbyllur e i vetëkrijuar prej njeriut që nuk ka më vend në shpirt për të tjerë, kur njerëzit harrojnë gjuhën njerëzore dhe në ato pak dialogë të ndërkallur në tekst, flasin përmes proverbave dhe zemrës që ngulmon të jetë mendje, e më përtej akoma, në aksiomë, siç ndodh për shembull te “Historia e njerëzve pa të shkuar”, ku simbolika e monedhës së artë me të cilën trokitet në portë merr vlerën e çelësit që hap jo më portat, por mendjet e mbyllura. Por autori di të ndërtojë edhe UN të çartur, brenda atomizmit të gjuhës dhe asaj që kërkon të na rrëfejë përmes copërash të shpëtuara nga kujtesa që e bren përditë personazhin e novelës “Sytë e së çmendurës”, ata sy që kanë vend për kukullat e biçikletat, por jo më për njerëzit që janë përherë tepër. Megjithatë këmbimi nuk merr fund me kaq.

Te proza “Friedhoffstrasse Nr.4” gjësendet ia zënë kaq shumë vendin njëri-tjetrit, sa metafora që ngërthen të gjithë novelën, ajo e vdekjes që ushqen të gjallët, duket sikur nuk është thjesht një trill krijues, jo një horror pa neveri dhe makth, nuk është as nekrofili apo pasion për absurdin e vonuar në art, por një nga mënyrat e pafundme që i ofrohet njeriut për ta përballuar jetën, kur ajo është përmbi gjithë kuptimet, përmbi gjithë artet, qoftë të gdhendjes së gurit për varr, e qoftë të gdhendjes së fjalës nga autori.

“Violina” - novela që mbyll vëllimin “IKJE NGARATI” - është për autorin sfida për të risjellë në vëmendje një temë nga të ashtuquajturat të përjetshme, e në një kohë kur mjaft të tjerë përjetojnë çmitizimin e tyre si shkak të higjienës ndaj ndikimeve të asaj që u shkrua para nesh në format e klisheve Kafka-s, Buzati-t apo Fermine-s. Kjo novelë shtjell fatin e njeriut kur ky e ka braktisur, kur të gjithë përreth janë të mirë, përveç Fatit. Koha e kthyer pas, në retrospektivë, e autorit, veçse të drejton përmes disa fjalëve kyç se ku ndodhesh, në ç’kohë, në cilën shoqëri. Por vëmendja dhe ndjesia vëren ngultazi raportin e njeriut që lindi artist, dhëndër i së bukurës, i përsosmërisë, me dilemën nëse është pikërisht kjo gjendje molla e ndaluar për të, nëse talenti dhe virtyti është i ndëshkueshëm dhe e meriton ndëshkimin, nëse liria e brendshme shndërrohet në burg, edhe kur burgu është jashtë dhe larg njeriut, nëse dashuria që varet herë në tela vibrues violine dhe herë në flokë të butë gruaje arrin ta mbrojë këtë njeri nga zvetënimi? Këto proza ngulmuese dhe të befta njëherazi, qoftë për veçanësinë e subjekteve, qoftë për stilet e rrëfimit, qoftë për laryshinë e gjuhës që bën arpexhe të gjata mbi dialektet e shqipes, të nxisin ta pranosh ftesën sfiduese të autorit për lexim, për t’u takuar pastaj te faqja e fundit, ku mund të shkëmbejmë fjalë nëse ka vlejtur mungesa e autorit dhe prija e lexuesit, pikërisht aty, ka si në një duel pa të mundur, autori, teksti dhe lexuesi takohen pa ndërmjetësim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›