E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi/Qeveria rrit pagat dhe pensionet. Berisha: Opozita e drejtuar nga miliardierët shpalli katastrofale rritjen e pagave dhe pensioneve

02-07-2011 / Gazeta 55

Këshilli i Ministrave miraton platformën ekonomike për vitin 2011 dhe vitet e ardhshëm, me rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe mbajtjen në kufijtë e pandryshueshëm të borxhit publik dhe deficitit buxhetor


Shefi i ekzekutivit Sali Berisha mblodhi Qeverinë për herë të dytë brenda javës, për të marrë vendimin më të rëndësishëm të këtij sesioni, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Sot, Qeveria bëri realitet atë që premtoi pak ditë më pare, rritjen e rrogave dhe pensioneve në të gjithë Shqipërinë. “Kjo është mbledhja e dytë në këtë javë, pasi sot ne vendosim zbatimin e ligjit të parlamentit mbi buxhetin e shtetit, sot vendosim, rritjen e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri”- tha kryeministri, duke shtuar se ky vendim i Qeverisë, vjen pasi treguesit ekonomikë janë optimistë.


Sipas kryeministrit, Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. “Ky vendim, sot është një vendim shumë i pazakontë për shkak të krizës së thellë ekonomike që ka pllakosur Europën dhe botën këto vitet e fundit dhe po gulmon me krizën e borxheve. Kjo rritje mund të tingëllojë si paradoksale, si një kundër rrymë pasi rregulli i sotëm është jo- rritje por ulje shumë domethënëse e rrogave dhe pensioneve dhe në variantin më të mirë ngrirja e tyre. Ndërsa ne për të gjashtin vit më radhë vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave se çdo vend tjetër në Europë dhe më gjerë”- u shpreh Berisha.


Duke bërë një parashikim për rritjen ekonomike të vitit 2011, Berisha tha se ajo do të jetë në shifrat e 5 për qind.


“Në 6 vite, rrogat e arsimtarëve krahasuar me rrogën fillestare janë rritur me 120%, po kaq janë rritur ato të mjekëve, infermierëve. Të gjitha pensionet e ulëta kanë qenë ato të fshatit. Kjo politikë bazohet tërësisht dhe kryekëput në suksesin e modelit ekonomik të kësaj mazhorance, te kësaj qeverie. Është ky model ekonomik dhe perfomanca në këtë model që mundësoi rritje konstante te përvitshme te rrogave dhe pensioneve. Jashtë kësaj perfomance, jashtë suksesit të modelit ekonomik ekzistues, rritja e rrogave do të ishte tërësisht e paimagjinueshme. E vërteta është se funksionimi i reformës ekonomike, performanca ekonomike ka bërë të mundur këtë vendim për 6 vite me radhë dhe kjo rritje do të vazhdojë. Në vendosim sot rritjen e të gjitha rrogave dhe pensioneve në vend sepse treguesit flasin se sërish ekonomia e vogël shqiptare, do të kryesoje rritjen ekonomike në Europë. Kjo rritje bëhet në një kohë që kriza financiare po godet në themel ekonominë botërore”- ka deklaruar më tej në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha.


Gjithashtu, shefi i ekzekutivit është shprehur se Qeveria do të mbajë të pandryshuar shifrën e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor. Aktualisht borxhi publik është në shifrën e 59. 7%, të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa deficiti buxhetor është në shifrën e 3.5 %.


“Borxhi publik do të jetë 59 .7 %, nuk rritet. Ky është zotimi ynë para FMN. Deficiti buxhetor nuk rritet dhe nuk do pranojmë të rritet. Po shkurtojmë shpenzimet operative që të qëndrojmë besnikërisht në një deficit buxhetor jo mbi 3.5 %. Ky është zotim dhe ligj i kaluar në Parlament. E ne nuk po e ndryshojmë ligjin”- tha Berisha. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›