Humbja e zgjedhjeve, Rama zbulon “armiqtë” e Partisë: Shpall fshesën deri në 5 nëntor

-- Ironia e Andis Harasanit: Rama feston “fitoret” në PowerPoint
-- PD i përgjigjet Ramës: Po kërkon të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në 8 maj
-- Blendi Klosi: Baza socialiste, përgjegjëse për 8 majin, reformim deri më 5 nëntor
UPDATE- Partia Socialiste vendos të përndjekë drejtuesit lokalë të saj, të cilët tashmë etiketohen me pa të drejtë si përgjegjësit e humbjes së zgjedhjeve të 8 majit. Asambleja kombëtare e mbledhur sot gjatë paradites, ka afirmuar politikën e shantazhit dhe fshesës në bazën socialiste, për të “shpëtuar” përgjegjësitë e mëdha të Edi Ramës, ndaj sforcos elektorale që pësoi e majta politike, duke humbur edhe bashkinë më të madhe të vendit, atë të Tiranës. Përmes implementimit të politikës së eunukut dhe vandalizmit, Edvin shpalli edhe njëherë kushtëzimin e marrëdhënieve me parlamentin, si shenjë dëshpërimi për humbjen e zgjedhjeve në Tiranë. Ai tha se “bojkoti parlamentar, e ka kryer misionin e vet, ndërsa strategjia dhe beteja dyvjeçare e opozitës për mbrojtjen e votës së lirë e ka dhënë rezultatin e vet të shkëlqyer. Në 8 maj, kur një votë masive u derdh dhe ne fituam bindshëm”- tha Rama, ndërsa shtoi se gjithsesi nevojitet rifreskimi i strukturave të PS. Të vetëshpallesh fitues dhe të paralajmërosh përndjekjen e drejtuesve lokalë, janë dy kontradikta të mëdha që s’përputhen me njëra-tjetrën, por ajo që e nxjerr bllof kryetarin e opozitës, është përpjekja meskine e tij, për të larguar çdo detyrim ndaj lidershipit të tij dhe vendimmarrjes së gabuar të PS-së gjatë 2 viteve me radhë. “Duhet të përgatitemi për jetën parlamentare dhe sezoni i ri duhet të jetë sezoni i nismave të reja ligjore”- tha kryesocialisti, duke kujtuar reformimin e strukturave lokale. Për këtë ai paralajmëroi një hetim të gjatë deri më 5 nëntor kur edhe mblidhet Kongresi Zgjedhor socialist. “Analiza politike e detajuar në bazë do të vazhdojë deri në fillim të shtatorit dhe do mbyllet më 5 nëntor me Kongresin Zgjedhor”- tha ai. Megjithatë, Rama shtoi se pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit më 6 Korrik, puna e kësaj force politike do të vazhdojë, dhe vuri theksin te krijimi i aleancave të reja, duke dhënë siguri se nuk do të ketë asnjëherë bashkim me “politikën e vjetër”. Kryesocialisti bëri apel për solidaritet dhe fokusimin e vëmendjes tek beteja e Tiranës, duke deklaruar se “shpërqendrimi është qëllim i shpallur në pasqyrat mediatike të Saliut”. Gjatë fjalës së tij, kryetari socialist përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Berisha se po çon vendin drejt rrënimit ekonomik. “Ky vend po rrokulliset çdo ditë prej pafuqisë ekonomike dhe mungesës së rendit ligjor. Makina shtetërore ka ngecur në batakun e nepotizmit”- tha Rama.
Blendi Klosi: Baza socialiste, përgjegjëse për 8 majin, reformim deri më 5 nëntor
Më 5 nëntor Partia Socialiste do mbledhë Kongresin për ndryshimet statusore dhe reformimin e strukturave të saj në bazë. Edi Rama tha sot se “kjo do të jetë skuadra fituese e zgjedhjeve të ardhshme në nivel lokal dhe delegatët e Kongresit do të vendosin për strukturat dhe drejtuesit e PS”. Sipas tij, reformimi i strukturave të PS, vjen pas dështimit elektoral në 8 maj.
Ndërkaq, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, tha pas mbylljes së punimeve të Asamblesë se, do ngrihen dy grupe pune; 1) për programin politik dhe 2) për reformat organizative dhe ndryshimet e mundshme në statut. Klosi deklaroi se në Asamblenë e Përgjithshme u vendos që kongresi i Partisë të zhvillohet më 5 nëntor, ndërsa deri më datë 1 shtator duhet të përfundojë procesi për të zgjedhur strukturat e partisë.
Sipas tij, asambleja s’ka marrë ndonjë vendim lidhur me bojkotin e parlamentit, por sipas të gjitha parashikimeve opozita do vendosë sesionin e ardhshëm parlamentar për pjesëmarrjen në Kuvend.
PD i përgjigjet Ramës: Po kërkon të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në 8 maj
“Sot z. Rama, në një akt shantazhi dhe presioni të papranueshëm, ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërmori serialin e tij të sulmeve bajate dhe fund e krye të bazuara në një realitet që nuk ekziston”.
Kështu e nisi deklaratën e saj për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, duke pohuar më tej faktin sesi “Rama shpalli para asambleistëve të tij dhe mediave fitoren madhështore të 8 Majit në mbarë vendin”. “Ai deklaroi se kjo fitore e ka tërbuar kundërshtarin e tij politik. Rama u përpoq sot në mënyrën më joserioze të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke shpallur disfatat për fitore. Ndaj jam sot për t’i shtruar së bashku me ju të nderuar qytetarë, z.Rama pyetjet: Së pari, 140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 % vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe apo një fitore tuajën imagjinare pra fitore që nuk ekziston në realitet? Së dyti, le të pyesim së bashku z. Rama se, 47 mijë vota më pak në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit për ju dhe koalicionin që ju drejtoni, dëshmojnë një humbje të thellë elektorale apo fitoren që ekziston vetëm në imagjinatën tuaj, por jo në realitetin elektoral shqiptar? Sërish le t’i shtrojmë pyetjen tjetër z. Rama nëse, 41 mijë vota më pak të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe komuna, të koalicionit që udhëhoqe, janë humbja juaj e radhës, apo sërish fitorja juaj imagjinare që në realitet nuk ekziston?”, tha ajo.
Duke u ndalur tek 4 garat elektorale të Tiranës, të cilat i vlerësoi si të humbura të gjitha personalisht nga Rama. “Në zgjedhjet vendore të 8 majit, 7 këshillat minibashkiakë që humbët, shënojnë humbjen e radhës tuajën personale apo fitoren imagjinare që në realitet nuk ekziston? 7 kryetarë të minibashkive që humbët në Tiranë janë humbja juaj personale apo fitorja juaj imagjinare? Parlamenti i kryeqytetit që humbët më 8 maj, është disfata juaj e radhës apo fitore juaj personale imagjinare realisht e paekzistueshme? 21 mijë vota që humbët në Tiranë krahasuar me vitin 2007, dhe 93 vota më pak se kandidati demokrat Lulzim Basha në vitin 2011, është humbja juaj personale e radhës, apo sërish fitorja në imagjinatën tuaj që në realitet nuk ekziston?”- tha në deklaratën e saj zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj.
Ndërsa lidhur me deklaratat se këto fitore madhështore të z. Rama kanë tërbuar kundërshtarin politik të tij, Partisë Demokratike nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i urojë z. Rama, edhe për shumë vite të tjerë, “udhë të mbarë nga fitorja në fitore të tilla elektorale”- përfundoi deklaratën për mediat Albana Mustafaraj, zëdhënëse e Partisë Demokratike.
Harasani: Rama feston “fitoret” në PowerPoint
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputeti i saj Andis Harasani, kritikon përsëri rolin e opozitës si forcë politike ekstraparlamentare si dhe ndjeshëm jashtë jetës politike, shoqërore e sociale. Duke marrë shkas nga mbledhja e sotme e Asamblesë kombëtare të PS, ku s’u mor asnjë vendim serioz për të ardhmen politike të PS dhe as për raportet e saj me Kuvendin, Harasani sheh të arsyeshme të theksojë se opozita s’di se për çfarë feston, veç "festave" me powerpoint të Damian Gjiknurit dhe Fatmir Xhafës.
Në një status të publikuar në profilin e tij, të rrjetit social Facebook, Harasani thekson si domosdoshmëri rikthimin e PS-së në Kuvend, për përfaqësimin e qytetarëve, elektoratit socialist si dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme për integrimin. Harasani shpreh shqetësimin e tij për mungesën e opozitës në Kuvend, duke e lidhur këtë me heshtjen e madhe të deputetëve të PS-së. Kjo sipas tij, çon në zero kërkesë - llogarinë ndaj qeverisë dhe pushtetit.
“Opozita s’është në Kuvend, për të mbrojtur qytetarët, konsumatorët shqiptarë. “Opozita nuk flet, por feston “fitoret” në Powerpoint”- tha Harasani, duke ironizuar mbledhjen e Asamblesë kombëtare të PS, ku u pretendua manipulimi i procesit elektoral të 8 majit, përmes ekspozimit të një video-projektori. Edhe pse asgjë s’kuptohej, Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafa, arritën të bindin Edi Ramën si dhe rifreskojnë imagjinatën e anëtarëve të Asamblesë sw PS, se, Edi Rama fitoi në Tiranë (me minus 93 vota), por fitorja iu mohua...
...