E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendola: Politikashqiptare e lidhurme mafian dhe krimin

ROME- Ai është katolik, komunist dhe homoseksual. Tipare jo aq të zakonta për t'u mbledhur së bashku në staturën e
një lideri. Në rastin e Nichi Vendolës, President i Rajonit të Puljas që përgatitet të sfidojë Berluskonin, përzierja ka rezultuar e suksesshme. Gazetari që u bë politikan, tashmë synon të bashkojë të majtën në mbështetjen e tij si një figurë përballë kryeministrit të vendit, që vazhdon të fitojë zgjedhjet. Në një intervistë për ekskluzive për emisionin News24, ai rrëfen jo vetëm historinë e jetës dhe ambiciet e tij, por edhe lidhjet me Shqipërinë që në vogëli e njohjen me politikën në Tiranë.
Përse mbani këtë emër? Duket shumë i huaj për të qenë italian... I vetmi asociacion që mund të bëjmë me emrin Niki, është kryevepra e antikitetit grek, Niki, Fitorja e Samotrakës...
Jo, Niki është shkurtim për Nikita. Unë jam pagëzuar me emrin Nikola. Kam lindur në qytetin e Barit. Në qytetin e San Nikolës. Megjithatë, kam lindur në një epokë ku politika hynte shumë në jetën e familjeve. Në jetën e përditshme. Unë kam lindur në një familje komuniste. Ishin ato vite ku flitej shumë për Nikita Hrushovin, kreun e Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik, i cili e kishte denoncuar që në fillim kultin e personalitetit të Josif Stalinit. Në këtë mënyrë u linda si antistalinist. Linda si armik i diktatorëve, pikërisht me këtë emër Nikita që më thërrisnin tezet, ndërsa Niki që më thërrisnin për shkurt të gjithë të tjerët.
Pagëzimi me këtë emër ishte ndoshta një lloj destini, sepse që në moshën 14-vjeçare aderuat në federatën e Rinisë Komuniste...
Jo. Emrat sigurisht që mund të sinjalizojnë një lloj destini ose të japin përshtypjen se janë të lidhur me fatin e njeriut. Unë aderova në moshën 14-vjeçare në federatën e Rinisë Komuniste duke qenë se kisha pasur shumë kontakte me njerëzit e varfër të vendit tim, kisha dëgjuar dëshmitë e tyre, njihja antifashistët e vjetër të persekutuar politikisht gjatë regjimit të Musolinit. Isha një djalë mjaft kureshtar dhe gjithmonë më kanë pëlqyer të moshuarit. Të dëgjoja historitë e të moshuarve, që të mund të futesha në kohën e tyre. Të kuptoja fatin dhe vlerat e tyre. U bëra komunist për arsye edukimi. Edukimin për mirësjellje ndaj të gjithëve. Në respekt për të gjitha qeniet njerëzore. Edukimin për të jetuar me dinjitet në varfëri. Për këto arsye u bëra komunist. Nuk kam pasur asnjëherë simpati për regjimet komuniste. Kam pasur kuriozitet për Bashkimin Sovjetik, por me një lloj mospranimi të totalitarizmit të shtetit, të kampeve të përqendrimit. Nuk kam pasur kurrë asnjë lloj kureshtje për sa i përkiste regjimit komunist në Shqipëri. E cilësoja makth. Përmasa e këtij makthi ishte ajo e një komunizmi të jetuar si një arratisje nga modernizmi, jo vetëm arrati nga liria. Një lloj ecje përpara drejt së kaluarës. Një komunizëm fshataresk, një komunizëm që kishte frikë nga qytetet. I frikësuar nga civilizimi. Pastaj për mua, pamjet e bunkerëve të shpërndarë anembanë vendit, psikologji e një vendi të rrethuar, psikologji e ideuar nga një regjim jashtë bote, le të themi për shumë arsye më krijonin një barrierë të plotë edhe pse e mendoja Shqipërinë si një vend të jashtëzakonshëm, të lidhur me ne dhe historinë tonë. Si një popull me shumë ngjashmëri me popujt e tjerë mesdhetarë, ishim shumë pranë me Shqipërinë, por kur dëgjoja Radio Tiranën që i vogël...
E dëgjoje Radio Tiranën?
Po, e kapte sinjalin në Bari. Më kujtohet shprehja "Kundër social-imperializmit". E dëgjoja sepse kisha nevojë të informohesha për gjithçka.
Radio Tirana dëgjohej vetëm në familjet komuniste italiane, apo dëgjohej kudo?
Isha shumë i vogël për ta kuptuar, por shkoja te miqtë e mi, të cilët shpeshherë dëgjonin Radio Tiranën. Më kujtohet ti kem dëgjuar disa herë këto predikime ideologjike, dogmatike edhe pak komike. Ishte lavdia e vendit më të izoluar në botë; krenaria për të mos pasur asnjë lidhje me vendet e tjera të botës. Kjo ishte për mua si komunist, e kundërta e komunizmit. Për mua, komunizmi ishte rrëzimi i mureve, rrëzimi i pengesave sociale, kulturore dhe arkitekturore. Duke pasur parasysh parimet e Revolucionit Francez, "Liri, Barazi, Vëllazëri". Vëllazëria duhet t'i shembë muret dhe pengesat, ndërkohë që unë kisha një imazh të një Shqipërie të mbyllur e gjitha brenda një muri, dhe brenda tij mure të vegjël që ndanin personat dhe qytetet.
Kështu ishte kudo në vendet ish-komuniste si Bullgari, Rumani, madje edhe në Bashkimin Sovjetik gjatë periudhës së Nikita Hrushovit...
Besoj se pjesa tjetër e vendeve të Lindjes kishte një raport më pak kontradiktor me modernizmin. Kur them modernizëm, e kam fjalën për idenë e rritjes urbane. Për të drejtat themelore të njeriut. Nuk mund të them që Gjermania Lindore dhe Shqipëria ishin entitete të njëjta edhe sepse ndikimet ideologjike në Shqipëri ishin më shumë të lidhura me mitin e fshatit kundër mitit të qytetit. Ishte një lloj maoizmi i Ballkanit dhe kjo ka prodhuar një proces frenimi, ka ndaluar historinë për një kohë shumë të gjatë. Dhe cili është rreziku? Komunizmi mund të mbetet si një zbulim arkeologjik i një bote të mbyllur. Nuk duhet të harrojmë që komunizmi për miliarda qenie njerëzore, ka qenë flamuri i dinjitetit dhe lirisë, ka qenë një mënyrë për të dalë nga mizeria, nga kolonizimi, nga moszhvillimi.
Ndoshta edhe një autosugjestion?
Them se kur komunizmi ishte një kërkesë, ishte një kërkesë e madhe për lirinë dhe drejtësinë. Kur u bë një përgjigje, përgjigja e tradhtoi pyetjen dhe u shndërrua në një regjim totalitar. Vrau lirinë, krijoi një lloj barazie false dhe goditi vëllazërinë.
Për ju, komunizmi është një ide, apo një sistem?
Unë e kam besuar komunizmin si një citim të Marksit: "një lëvizje e vërtetë që shfuqizon gjendjen e gjërave ekzistuese". Domethënë, sikur kritika botërore të hidhte sytë rreth e rrotull për të parë çfarë pengon zhvillimin e pasurisë njerëzore, zhvillimin e cilësive më të mira që gjenden te çdo njëri, pra çlirimin nga vargonjtë që pengojnë çlirimin njerëzor. Pra, politikisht e kam jetuar komunizmin duke menduar se ishte kjo dhe duke e jetuar pikërisht kështu. Kërkesa e punëtorëve për të mos jetuar në një botë të huaj, kërkesa e të varfërve për të dalë nga skamja, kërkesa për ambientin apo çështja mes burrave dhe grave. E përsëris, gabimi tragjik i komunizmit që kanë kaluar vendet, është se ka transformuar ëndrrën në një ankth.
Si e shpjegoni faktin që Italia ishte vendi perëndimor, ku ndikimi i Kremlinit ishte më i fortë se kudo? Botimi i dosjes 'Mitrokhin' rreth 10 vjet më parë e dëshmon këtë...
Por, ajo dosje është mjaft e diskutuar dhe e debatueshme. Në një farë mënyre, në pallatet përreth Kremlinit ekzistonin një sërë dosjesh të vërteta apo false. Kremlini ka qenë një pikë e rëndësishme për psikologjinë e miliarda personave, sepse perceptohej si vendi ku realizohej një eksperiment revolucionar i papare në botë. Por unë jam rritur duke e parë Kremlinin si një kishë, ndërsa mua më dukej vetja si heretik dhe Partia Komuniste italiane ka pasur një lidhje me Bashkimin Sovjetik, edhe me elementë të kuptueshëm të mitologjisë.
Ekziston perceptimi se gjatë Luftës së Ftohtë, kryeministër zgjidhej një demokristian. Spekulimet flasin se kjo ndodhte nën një kujdes të veçantë të ambasadës amerikane. Pas shmangies së rrezikut komunist, a ekziston më ky ndikim i SHBA në politikën e Romës?
Besoj se ndikimi amerikan nuk ishte thjesht ai që mishërohej te ambasadorët amerikanë, të cilët ndonjëherë vepronin le të themi kështu, jashtë kornizave të funksioneve të tyre diplomatike, me qeveritarë italianë, të cilët ngjasonin më shumë si komisarë të një fuqie të huaj. Por ndikimi amerikan ishte edhe një faktor i madh kulturor. Ndikimi amerikan ishte diçka që nuk mund të përshkruhet thjeshtë duke thënë çfarë ka bërë ambasadorja Luce, apo CIA në Amerikë, e cila dimë që financonte partitë, qeverinë, edhe ndonjë parti të opozitës. Amerika ka qenë ëndrra e madhe italiane. Zbulimi i Amerikës ishte gjatë tërë periudhës së pas luftës, zbulimi i lirisë. Qysh në vitet e fashizmit, intelektualët më të rëndësishëm komunistë përkthenin letërsi amerikano-veriore. Im atë u bë komunist duke lexuar Stajnbekun apo Krunin. Amerika është shumë gjëra. Është një kaleidoskop që flet për lirinë dhe modernizimin; për nyjën lidhëse ndërmjet lirisë dhe modernizimit. Sot shërbimet sekrete, secili prej tyre do të bëjnë gjëra për llogari të qeverive të tyre, nuk di të them sa të ligjshme apo jo, as për ato amerikane, as për ato ruse, as për italianët. Është diçka që nuk ia vlen t'i kthehemi. Por është e vështirë të përfytyrohet që administrata amerikane, edhe për shkak të kulturës se Barak Obamës, të mund të ketë një lloj prirjeje për një ndërhyrje të fshehtë, në çështjet e vendeve të tjera. Në këtë orë që po flasim, ka ndodhur një orvatje për grusht shteti në Ekuador; Zonja Klinton u soll me korrektësi të jashtëzakonshme, ndërkohë që në një tjetër periudhë do të kishte qenë administrata amerikane ajo që do të kishte organizuar grushtin e shtetit në një vend si Ekuadori. Përkundrazi nuk pati ndërhyrje dhe grushti i shtetit fatmirësisht u parandalua. Sot mendoj se Barak Obama është protagonisti i daljes nga ajo strukturë politike që ishte monopolariteti amerikano-verior. Ideja që perandoria amerikane duhet të qeveriste mbarë botën, sipas prirjes, le të themi kështu luftënxitëse të familjes Bush. Sot Barak Obama rizbulon vlerën e një bote shumë polare. E natyrisht, një botë shumë polare nuk duhet të heqë dorë nga lufta për paqe dhe demokraci. Në këtë këndvështrim Obama i mban në mbikëqyrje Putinin dhe Medvedevin. Ne italianët sillemi pak keq, në kuptimin që jemi të shpenguar, me regjime në vendet e të cilave demokracia është disi e lëkundur, nëse do të shpreheshim kështu. Duhet të ishim më seriozë. Diktatorët, ose ata që kufizojnë hapësirat e demokracisë, duhen trajtuar gjithnjë me shumë maturi. Unë nuk dua të jem mik i ngushtë i një qeverie që duhet të përgjigjet në mënyra të ndryshme, për vrasjen e 200 gazetarëve. Rusia e Putinit ka 200 kufoma të dëshmitarëve të lirisë dhe të së vërtetës, të cilët janë vrarë. Mendoj se duhet të përvetësojmë një ide, atë sipas së cilës parimet universale nuk kanë mundësi përjashtimesh. Ose jeta njerëzore është gjithmonë dhe në çdo rast e shenjtë, ose e drejta e informimit është gjithmonë dhe në çdo rast e shenjtë, ose liria është një pasuri e disponueshme kudo dhe kurdoherë, ose përndryshe jemi thjesht disa hipokritë.
Politika është pak pragmatike?
Nuk thashë se duhet të shkatërrojmë lidhjet diplomatike apo tregtare, për-kundrazi, unë ndërtoj marrëdhë-nie me shumë pjesë të botës duke përfshirë edhe me regjime ku nuk ekziston pluralizmi politik. Por ka disa qëndrime të ndryshme. Berluskoni e ka quajtur Putinin një dhuratë nga Zoti. Kjo për mua është shqetësuese. Berluskoni është i vetmi lider në botë që lejon Gedafin të ndërtojë në Romë tendat e tij. Kjo është diçka që mua më fyen, nuk hyn aspak në marrëdhëniet komerciale dhe ekonomike që janë të nevojshme të ekzistojnë sepse ato favorizojnë procesin e hapjes së tregut dhe demokracisë së këtyre vendeve, por që të jemi kaq të afërt me persona që duhet të përgjigjen për gjëra shumë të rënda, mua më duket e gabuar.
Thënia e dikurshme e Montanellit, "mbyllni hundët dhe votoni demokristianët", është zëvendësuar me "mbyllni hundët dhe votoni Berluskonin"...
Për të votuar Berluskonin nevojitet të mbyllen hundët, veshët, sytë, por të mbyllësh edhe ndërgjegjen, sepse situata ku jeton Italia sot është dramatike. Duhet përdorur një shprehje e një shkrimtari të madh si Alberto Arbasino, 'Italia sot është një vend me mungesa'. Është një vend pa shpirt publik. Është një vend pa një ide për veten, është një vend pa një mision në botë. Është një vend pa ndjenjën e ndershmërisë. Është një vend, ku mes një koalicioni fuqish mund të organizohen luftëra të vërteta civile. Është një Itali ku skandalet, dossierët, thashethemet, pushtojnë të gjithë hapësirën e jetës publike. Gjithashtu është një vend që po varfërohet. Që nuk ka perspektivë për të rinjtë. Që po humbet gjënë më të bukur që kishte, imazhin e një vendi të bukur. Nuk është më një vend që investon mbi kulturën, mbi teatrin, mbi kinemanë, mbi poezinë, apo jo? Është një vend që e shkel ekonominë e së bukurës, ekonominë e kulturës, ekonominë e kujtesës. Është një vend ku kanë ndodhur fakte të pakuptueshme. Nëse unë fle në një Itali të qytetëruar, zgjohem në një Itali ku një shkollë publike bëhet simbol i ndarjes. Jetojmë në një Itali ku sot kthehet gjuetia ndaj romëve, apo kthehet gjuha e antisemitizmit në parlament. Është një Itali e mbuluar nga plehrat dhe ato plehra që shohim në Napoli, janë metaforë e Italisë së ditëve të sotme. Është një mëkat i vërtetë. Ndiej dhimbje për atë se si jetojmë sot në vendin tonë.
Megjithatë, Berluskoni fiton mbi të gjithë...
Forca e tij sot është shumë e lidhur me dobësinë e kundërshtarit. Sot nuk do të fitonte Berluskoni po të kishte përballë qendrën e majtë. Ai fiton sepse qendra e majtë ka analizuar shumë keq efektet e Berluskonizmit, nuk ka ditur të përballet duke nxjerrë në kamp një kundërshtar të fortë kundër Berluskonizmit. Çfarë është Berluskonizmi? Është 20 vjet televizion. Me reality show dhe seriale që e kanë ndryshuar imagjinatën. E çfarë bën Berluskoni? Nuk është vetëm pronar i televizioneve, që pasurohen duke sjellë këto prodhime vulgare në qarkullim. Berluskoni sjell gjuhën e reality shoë-t në jetën publike. Jemi gjendur mes partisë së urrejtjes dhe partisë së dashurisë. Duket si një telenovelë e famshme e tipit 'Beautiful'. Me një operacion të tillë, ai pak nga pak fillon të futet në imagjinatën e madhe të këtij vendi të frikësuar, të varfëruar, duke vrarë shkollën publike në mënyrë të vazhdueshme dhe formimi i kulturës së përgjithshme të këtij vendi nuk vjen më nga katedrat e shkollës publike, por nga katedra e televizioneve rrënuese. Berluskonizmi është biri i televizionit rrënues. Shoqëria e sotme italiane është bijë e një televizioni të tillë. E kanë quajtur Videokraci ku lejohet gjithçka. Ku na mahnit shfrytëzimi i grave, por në reklamat televizive dhunohet në mënyrë ordinere dinjiteti dhe imazhi i grave. Trupi i gruas ofrohet si një zbukurim pornografik. Gruaja është një mjet për të tërhequr meshkujt. Sot jetojmë në një vend, ku klasat dominuese kanë humbur atë lloj hipokrizie që impononte një shkollim i mirë. Sot kemi një grup dominues që përdor një gjuhë kazerme, gjuhe të Carmina Burana-s, sepse besoj që siç thotë Zhozefin Art në librin e saj, turpi ikën me herën e parë. Në Itali nuk i vjen më turp njeriu kur ofendohet dinjiteti i grave. Berluskoni fiton, nuk e di sot nëse do të fitonte. Unë nuk e di nëse sot...
Kjo është duke ndodhur në të gjithë Europën. Kemi rastin e Sarkozisë, që ka filluar të kopjojë disa nga skemat e tij...
Berluskoni fiton, por nuk bind njeri. Sot, ai nuk bind më njeri.
A mund të fitojë dhe të mos bindë njeri?
Sepse nuk ka një kundërshtar të besueshëm nga ana tjetër. Që nuk ka një program alternativ që të jep shpresë. Po, Berluskoni ka qenë një shembull. Një produkt, prototip, jo vetëm politik, por edhe prototip i antropologjisë, dhe ajo çfarë ka ndodhur është, se në momente delikate ai bën viktimën dhe operacionin më klasik që bëjnë të gjitha pushtetet kur janë në vështirësi, fillojnë gjuetinë e shtrigave. Kërkojnë të gjejnë një mënyrë për të marrë frymë, duke i bërë italianët e gjorë të kuptojnë se armiku i tyre dje ishte afrikani i shkretë, pastaj ishte rumuni i shkretë, më pas për një kohë të gjatë ka qenë shqiptari i shkretë, tani janë romët e shkretë, sepse romët janë perfektë gjithmonë në historinë e njerëzimit, gjithmonë kur doje të bëje një krahasim për papastërtinë, romët ishin perfektë sepse janë të varfër, sepse janë nomadë, sepse janë ndryshe nga ne, sepse kanë një muzikë të çuditshme, kurse unë në fakt jam i dashuruar me atë kulturë të pasur të popullit rom. Sot ne jemi në mënyrë të lavdishme, injorantë, nuk dimë asgjë dhe në këtë modernizëm pak mesjetar i dizenjojmë romët si njerëzit e zinj të shumë viteve më parë, që janë gjithmonë gati për të na rrëmbyer fëmijët në thes dhe nuk po e kuptojmë se në të gjithë Europën, jemi ne që grabisim fëmijët e romëve duke i larguar nga familjet e tyre. Po jetojmë në një botë ku gjithçka është e përmbysur.
Si e shpjegoni faktin se jo vetëm në Itali, por kudo në Europë nuk votohet më për diferencën mes ideve të majta apo të djathta, por për ndryshim mes personalitetit të kandidatëve për kryeministër?
Ky është një fenomen i amerikanizimit të botës. Nuk ka asnjë dyshim që mes efekteve të globalizimit kemi vënë re këtë fenomenin e hyrjeve të papritura të elementëve lideristë në skenën politike. Domethënë, rënia e komunizmit ka sjellë shumë pasoja. Kur u rrëzuan komunistët, u rrëzuan edhe antikomunistët të cilët u përpoqën të mbijetojnë, por në realitet nëse nuk ka komunizëm, atëherë si mund të jetë antikomunisti? Kjo krizë e ideologjive të mëdha i ka tronditur paksa që të gjithë dhe partitë janë bërë pak a shumë si komisione elektorale, si organizues të jetës demokratike. Partia sot është sarkofagu, mumia e nëntëqindës. E kështu, televizioni ka zëvendësuar sheshin dhe në televizion shfaqen liderët karizmatikë që zëvendësojnë apo bëhen zëvendësues të partive.
Po idetë cilat janë?
Në talk-show më shumë ulërasin, më shumë zihen. Mendimet janë të vogla dhe nuk kuptohen. Le të themi që ulërimat janë anasjelltas proporcionale me thellësinë e mendimeve. Unë do të thosha që të ulërasim më pak, të zihemi më pak, të përpiqemi të na kuptojnë dhe të kuptojmë cilat janë alternativat dhe modelet ekonomike më sociale që ne propozojmë. Shpeshherëe ulërimat në talk-shoë, fshehin vetëm varfërinë e mendimit, pra kemi të bëjmë me një fyt të kthjellët, por me mendime të varfra.
Për disa dekada, e majta ishte shumë më e fuqishme. Ishte krejt ndryshe. Madje kishte arritur të kishte mbështetjen e shumë prej intelektualëve më të mëdhenj të kohës si Sartre, Camus, Prevert, Eluard. Ndërkohë, Europa po drejtohet nga e djathta. Pas disfatave të njëpasnjëshme të së majtës kudo në Europë, a është ky fundi i socialdemokracisë?
Është mirë të bëjmë dallimin midis fashizmit dhe komunizmit. Papa Gjon Pali i dytë ka propozuar një ide mjaft interesante dhe të rafinuar, e quajti komunizmin si një të keqe të domosdoshme, ndërsa nazifashizmin, si një të keqe absolute. Është një dallim i rëndësishëm. Nazizmi dhe fashizmi lindën si shkelje e dhunshme e shoqërisë me kodet e saj raciste, me kulturën ariane sipas librit "Mein Kampf". Komunizmi lindi si propozim i shkrirjes se çdo grade sociale, është një ide le të themi e njëtrajtshmërisë, ide e barazisë, pra ka qenë një utopi e vërtetë, nuk mund të themi se nazizmi ka qenë një utopi e vërtetë. Nazizmi lindi si formë e asgjësimit, ndërsa komunizmi lindi si revoltë kundër një pjese të botës e cila po reduktohej me shpejtësi, kështu që për mua, ky dallim është mjaft i rëndësishëm jo për të justifikuar gjërat e tmerrshme, por për të bërë një analizë...
Por, viktimat e komunizmit janë të shumta në numër.....
Është e vështirë të bëjmë një përllogaritje të viktimave të komunizmit, sepse nëse do të bënim një përllogaritje të viktimave të kapitalizmit, nëse e krahasojmë komunizmin me kapitalizmin, pra e shohim si një formë historike, ekonomike dhe shoqërore, kapitalizmi përfshin brenda tij edhe nazizmin. Nazizmi është bekuar nga familja Krupp, ashtu si fashizmi u bekua nga familja Agnelli, pra janë copëza të formacionit të kapitalizmit dhe në kapitalizëm duhet të kemi parasysh pesë shekuj luftë, shtypje etj, pra nuk e di nëse ia vlen të bëjnë një përllogaritje të tillë. Ne viktimat e komunizmit, duhet të kemi parasysh se çdo i vrarë është një sakatim i papranueshëm për universin, duhet të kujtojmë se komunizmi në Kinë ka qenë në tridhjetë vjetë kalimi nga feudalizmi në kapitalizëm. Pra në Kinë, brenda 30 vjetësh janë bërë hapa që në pjesën tjetër të botës janë bërë për pesë shekuj, ashtu si një pjesë e shoqërisë ruse ishte një shoqëri xhelatinoze, arkaike...Pra janë të shumtë elementët që tregojnë realitetin kriminal madje edhe tentativa për të krijuar një ide të modernizmit, përshembull dëbimet masive nga njëri vend te tjetri, të Bashkimit Sovjetik, nuk e di nëse po shpjegohem qartë, nuk ka asnjë justifikim, asnjë gjeorgjian i transferuar apo dëbuar në një vend tjetër, asnjë kulak i vrarë nuk mund të justifikohet. Vrasja kurrë nuk mund të justifikohet. Pra është e qartë se flasim për histori të ndërlikuara, unë besoj se vetëm kur të çlirohemi nga këto hipoteza, të çlirohemi nga mitologjitë e reja, vetëm atëherë mund të flasim drejt, madje edhe për të rindërtuar gjërat e mira që ishin. Komunizmi ka qenë edhe një fëmijë i pastër, por edhe ujë i ndotur. Ne shpeshherë rrezikojmë të hedhim në det fëmijën dhe të mbajmë ujin e ndotur. Unë do kisha dëshirë të hidhja në det ujin e ndotur, dhe të mbaja fëmijën.
A besoni në efiçencën e Bashkimit Europian, apo e shikoni si një perandori që drejtohet nga disa burokratë jo fort lucidë në Bruksel, e cila si të gjitha perandoritë dikur do të bjerë dhe do të zëvendësohet me shtete kombe?
Unë mendoj dhe shpresoj se procesi i ndërtimit politik dhe demokratik të Europës të jetë një proces i pakthyeshëm. Shpresoj për të mirën e paqes dhe për të mirën e të gjithë aktorëve që marrin pjesë në Bashkimin Europian. Nëse Italia nuk do ta kishte Europën, do të ishte si një grua e çmendur në botën e globalizmit; nëse Gjermania nuk do të kishte Europën, do të ishte shumë më e dobët. Çështja sot është se jemi përpara një udhëkryqi. Mund të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe integrimit, duke pasur parasysh se ajo çfarë nuk ka funksionuar është një ndërtim i gjithi financiar i Europës, më shumë se sa një ndërtim demokratik, kulturor i Europës. Ka lindur Europa e bankiereve, ka lindur Europa e monedhës, nuk ka lindur Europa e qytetërimit europian. Vetëm brezi i të rinjve me lëvizjet e tyre mund të ndërtojnë atë ndjenjën e përkatësisë europiane, por institucionet demokratike europiane ndonjëherë bëjnë gjithçka për të parandaluar lindjen e një ndjenje europiane, të një shtëpie të përbashkët europiane. Duhet të kujtojmë se mjeshtëri më i madh, profeti më i madh i Bashkimit Europian është Altiero Spinelli, i cili ishte një kritik i mënyrave konkrete se si u lind Bashkimi Europian. Sot Europa duhet të vendosë: 1) që të krijojë një marrëdhënie mes popujve, të krijojë organe qeverisëse sovra-nacionale, që nuk janë të tipit "Këshilli i Ministrave" i qeverive europiane. Nevojitet që Parlamenti Europian i zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli europian, të ketë më shumë pushtet dhe madje të eksperimentojë një formë të vërtetë të qeverisë sovra-nacionale. 2) Është e nevojshme që Europa të pajiset me një kushtetutë, që të mund të jetë e vlefshme në mënyrë demokratike me një debat të madh europian. Është e nevojshme që Europa të plotësojë procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit...
Me cilët kufij?
Europa duhet të jetë me të gjitha vendet e Ballkanit së bashku me Turqinë, e madje edhe me anëtarësimin eventual të Izraelit. Pra, unë mendoj një Europë që i bën llogaritë me të vërtetën. E vërteta është se, gjëja më e gjallë dhe që është sot në këtë kontinent është Stambolli. Në kulturë, në arkitekturë, në stil, në dizajnin urban...sipas meje, kufiri nuk është një mur që ndan, por që bashkon, si Adriatiku që është një kufi që bashkon Pulian me Shqipërinë, nuk është një kufi që ndan. Unë mendoj se fondamentalizmi islamik mund të luftohet në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet një politike të hapjes dhe integrimit dhe jo me opsione ushtarake. Atëherë, Shqipëria brenda në Europë, Turqia brenda në Europë, sepse janë në Europë. Për të përmendur Ballkanin, Europa e ka paguar shtrenjtë miopinë e saj. Europa ka lindur dhe ka vdekur gjatë nëntëqindës në Ballkan. Kujtojmë Sarajevën, atje lindi shkëndija e parë dhe atje kemi parë flakët e fundit. Fillimi dhe mbyllja e një shekulli europian ka ardhur përreth Sarajevës, pra në rrethinat e Sarajevës ka lindur dhe ka mbaruar gjithçka, atëherë ne, që në vitet '80, pas vdekjes së Titos, e kemi parë ish-Jugosllavinë me shumë uri, duke menduar se të gjithë do të hamë nga një copëz; Gjermania të hajë Kroacinë, Rusia të hajë Serbinë, ndërsa Turqia mendohej të hante Bosnjën, e kështu një komb i madh që kishte mundur të jetonte për 50 vjet në paqe, u copëtua sepse Europa inkurajoi atë. Sot Europa duhet të inkurajojë proceset paqësore të vërteta, proceset e demokratizimit, pra nuk kemi rrugë tjetër. Madje, nëse mund të them, sot duhet të jetë momenti që të prezantojmë një propozim politik, atë të federalizmit europian. Një reformë në sektorin ushtarak që heq mbrojtjen kombëtare dhe ndërton mbrojtjen europiane, një reformë në sistemin fiskal në nivel europian, një reformë për sigurimet sociale në nivel europian, një trajtim të denjë për të rinjtë dhe të papunët në nivel europian. Politika ambientale dhe kulturore në nivel europian. Pra, këto janë pika themelore për shtëpinë e përbashkët europiane.
Po këto interesa kaq të ndryshme, a nuk mund të bashkohen në një federatë? Përshembull, italianet kanë interesa të ndryshme nga francezët, apo francezët nga gjermanët...Pra nuk kanë të gjithë interesa të njëjta...
Unë mendoj se diversiteti duhet vlerësuar. Shembulli i Amerikës së Veriut është i rëndësishëm në këtë pikëpamje, sepse Amerika e Veriut është një vend me shumë gjëra të ndryshme, shumë realitet, shumë kultura, shumë histori, pra është një shoqëri me elementë të ndryshëm të përzier mjaft mirë me raca dhe kultura dhe pluralizëm të çdo tipi dhe fenomeni, apo jo? Unë mendoj se federalizmi europian do të thotë bashkim, një qeveri e bashkuar e çështjeve fiskale, e mbrojtjes, e të drejtave, dhe kjo do të ishte që të jetoje më mirë, jo duke bërë shfaqje garash. Por si mund të jesh protagonist i globalizimit, i mbyllur brenda një gardhi provincial të një shteti komb? Si mundet të jesh protagonist? Nuk mund t'ia arrish. Sot janë një miliard e gjysmë njerëz në Kinë, rreth një miliard njerëz në Indi, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Kanadanë gjithashtu, është edhe Europa. Pra, nëse do të ishte thjesht Italia, Franca, Spanja, Gjermania, e më pas Shqipëria, Kroacia, do të ishim të destinuar të shikonim zhvillimin e amerikanëve dhe indo-kinezëve, ndërkohë që ne do të mbeteshim disa periferi që do kujtoheshim vetëm si disa vende me rëndësi në të kaluarën. Besoj se ne duhet ta kalojmë këtë pengesë. Diversitet dhe unitet brenda një dizenjimi të madh europian. Është fati ynë dhe nuk mund ta anashkalojmë.
Obama dhe slogani i tij "Yes, we can", ngjalli shumë shpresa kudo në botë. Por popullariteti i tij ka rënë ndje-shëm pas dy vje-tësh. Madje, shu-më analistë e konsiderojnë një produkt mediatik gati- gati një top-model mediatik që ka vetëm sipërfaqe, por jo thellësinë e një burri shteti. Sipas jush, ka dështuar modeli Obama?
Jo, sepse kemi këtu parasysh reformën në sistemin shëndetësor. Sigurisht që interesat që ai ka prekur janë gjigante, sepse në një sistem ku dominojnë kompanitë private të sigurimeve apo një sistem shëndetësor publik i tipit vetëm ekzistencial, është një model që krijon një biznes mjaft të fuqishëm, por shërbimi shëndetësor në Amerikë është një turp për të gjithë botën. Ku pothuajse rreth 50 milionë qytetarë amerikanë nuk marrin asnjë formë ndihme shëndetësore. Jetojnë në një botë ku nëse një i moshuar pëson një infarkt duke ecur rrugës, vjen ambulanca, por fillimisht kërkojnë kartën e kreditit dhe nëse nuk e ka atë, nuk ka spital që ta shërojë. Është njësoj si të jetosh brenda një halucinacioni. Obama ka goditur interesa të lobingjeve të mëdha financiare dhe të kompanive të sigurimeve, duke prezantuar parimin se sistemi shëndetësor është një e drejtë universale. Pastaj është një proces kompleks. Obama ka thënë se përballë krizës duhet të investohet në shkolla, shëndet dhe kulturë. Gjithashtu në ekonominë ambientale. Drejtuesit tanë, për shkak të krizës kanë ndërprerë investimet për arsimin, shëndetësinë, ekonominë e gjelbër, mirëqenien. Unë mendoj se Obama ka prekur nervat e zbuluar në atë botë kapitaliste, që e ka sjellë planetin buzë greminës. Unë i shoh lajmet në televizionin 'Fox', shikoj videot predikuese, shikoj dhunën që ushtron ai televizion çdo ditë kundër administratës Obama. Është mbresëlënëse, por që Obama të paguajë çmimin për çështjet e bizneseve të naftës që ishin edhe në qeverinë e Bushit, e cila ishte një qeveri e bizneseve të naftës, që ai duhet të paguajë çmimin për një industri nafte që kryen krime si ajo e Gjirit të Meksikës duke kërcënuar ekonominë e gjithë bregut të Amerikës së Veriut, më duket se është pak paradoksale. Ndoshta nuk ka kaluar aq kohë sa për të vlerësuar shenjat e ndryshimit për të cilat ai ishte angazhuar, por për mua mjafton kjo. Ishim në një botë, ku Uashingtoni shpallte luftë pafund duke të krijuar përshtypjen e një qeverie botërore dhe Uashingtoni shpallej kryeqyteti i botës, ndërsa sot kemi një Amerikë, e cila flet për paqe dhe çarmatim dhe vendos në qendër çështjen diplomatike dhe dialogun e qytetërimit që të bën të zbulosh një botë shumë polare. Janë shumë të bukura diskutimet e Obamës që kritikojnë format më të fundit të imperializmit të Amerikës së Veriut, dhe besoj se edhe kjo duhet vlerësuar duke pasur parasysh një botë që ka nevojë të marrë frymë. Kemi qenë të burgosur brenda dy fondamentalizmave, fondamentalizmi i terroristëve, e cila është një formë artizanale e luftës, dhe fondamentalizmi i luftës në bazë, që është një lloj terrorizmi në nivelin industrial. Kur flasin armët, goditet politika, goditen ëndrrat, goditen të drejtat, sepse armët justifikojnë regjimet emergjente, pezullimin e të drejtave dhe lirive, pezullimin e të drejtave të njeriut. Abu Graib është takimi mes kulturës terroristë dhe luftës në bazë. Kjo na nxjerr në pah Abu Graibin dhe është e papranueshme. Është njësoj si Shën Agustini me dishepullin e tij, kur i ky i fundit, për të bërë më shumë besimtarë, krijon një hendek në ligjet e Zotit. Kur Shën Agostini e kritikon dishepullin e tij për këtë veprim, dishepulli i përgjigjet se në këtë hendek hyjnë më lehtë këmbët e Zotit. Dhe Shën Agostini përgjigjet që në këtë hendek mund të hyjnë më lehtë edhe këmbët e djallit. Pra nuk është mirë të bësh hendeqe në listën e rregullave, sepse jeta e njeriut është e shenjtë. Jeta njerëzore duhet të jetë gjithmonë e paprekshme, sepse ndryshe nëse bëhet një përjashtim...ne themi se jemi të gjithë bijtë e Zotit, por shqiptarët ama...kështu është thënë disa herë. Kjo nuk është e pranueshme. Në sytë e Zotit dhe në sytë e civilizimit, nuk ekzistojnë raca inferiore, ekzistojnë qeniet njerëzore. Të gjithë meritojnë dinjitet.
Përse besoni se jeni ndryshe nga lidershipi tradicional i të majtës italiane? Çfarë bëni ose do të bëni ndryshe?
Nuk duhet ta them unë. Duhet ta thonë njerëzit. Mund të perceptohem si një protagonist jo normal, pikë së pari sepse populli e ndjen se jam person autentik në një politikë që ka lindur nga fiction, unë jam një person i vërtetë. Jam një person që nuk gënjen. Jam një person që përballet me problemet dhe jam një person që nuk kam frikë të rri mes njerëzve. Dhe nuk rri mes njerëzve për të dalë përpara kamerave televizive, jetoj mes njerëzve sepse më pëlqen. Kam qenë një fëmijë i varfër, kam nisur të punoj që i vogël, kam bërë çdo punë që të mund të paguaja studimet.
Çfarë punësh keni bërë?
Kam punuar si kamarier, barist, korrektor në gazetë, gazetar, kam punuar në stafe editoriale etj. Në çdo verë të adoleshencës sime kam punuar në restorante dhe çdo dimër të jetës sime kam punuar natën duke korrektuar librat, ndërsa gjatë ditës studioja. Nuk më vinte asnjëherë turp për këto eksperienca. Ndoshta kam qenë me fat sepse më është dashur të mësoj për të mirën time.
Jeni i vendosur për t'i shkuar deri në fund garës brenda qendrës së majtë, me qëllimin për të qenë kandidat për postin e Presidentit të Këshillit?
Unë kam vendosur t'i shkoj deri në fund sepse qendra e majtë e përdor këtë instrument të rëndësishëm, që janë zgjedhjet paraprake. Është njësoj si t'i thuash popullit, vendosni ju se kush do të jetë kandidat. Atëherë vendosni mbi një diskutim bazuar mbi programin dhe mbi idetë për të ardhmen që nuk bëhen brenda pallateve të mbyllura të pushtetit, por në mënyrë të hapur. Për këtë do të vazhdoj garën, sepse ekzistojnë zgjedhjet paraprake. Kur Berluskoni nisi të merret me politikë, u shpreh se kishte dalë në fushë ashtu si një skuadër futbolli dhe Berluskoni i ka edukuar italianët me një ide të politikës që i ngjason futbollit. Kush e bën lojën e futbollit, 11 vetë kundër 11 të tjerëve? Janë ata që luajnë. Po populli, çfarë mund të bëjë? Ata me fat mund të jenë në stadium pasi kanë paguar biletën, ndërsa të tjerët, përpara televizorit duke bërë tifozllëk. Politika nuk mund të jetë kështu. Që 11 liderë të garojnë me 11 liderë të tjerë, ndërsa populli bën tifozllëk. Besoj e keni ndjekur në të dielat sportive pushtimin e fushës nga tifozët. Politika duhet të jetë pushtim i fushës, sepse unë duhet të zgjedh si të organizoj energjinë, nëse duhet të ndërtoj një central bërthamor në vend që të ndërtoj një central diellor. Duhet të vendos nëse duhet të privatizoj ujin, apo ta lë atë për përdorimin publik. Duhet ta zgjedh me popullin. Për të zgjedhur këto, duhet të ketë një pushtim të fushës dhe jo thjesht një lojë e elitës. Atëherë zgjedhjet paraprake shërbejnë për këtë. Dhe në këto zgjedhje unë jam në dispozicion për të kandiduar. Dua të kandidoj, sepse mendoj se e majta ka vdekur dhe sepse kam filluar t'i kem më të kthjellëta idetë e mëdha dhe fjalët më të qarta për nevojën e ndryshimit.
Po nëse zgjedhjet paraprake nuk mbahen, ju do të kandidoni në mënyrë të pavarur si kryeministër edhe kundër Partisë Demokratike, apo do bëni fushatë elektorale në favor të Bersanit?
Është e pamundur të mendosh se nuk do të ketë zgjedhje paraprake nga pikëpamja ime, sepse mendoj se janë një vullnet i popullit dhe mbi të gjitha, i popullit demokratik. Ndaj më duket si hipotezë anulimi i këtyre zgjedhjeve. Nëse anulohen, atëherë duhet parë në ato rrethana se çfarë hapash duhen ndërmarrë. Nëse do të kishte një skenar për një aleancë mes disa të majtëve dhe të djathtëve, atëherë ky do të ishte një skenar shumë problematik. Kjo situatë do të vlerësohej nëse do të ndodhte një skenar i tillë. Një parti demokratike që bën aleancë me Gianfranko Finin është një politikë imagjinare, sepse Gianfranko Fini dje ka votuar për votëbesimin e Berluskonit.
E ndiqni politikën shqiptare në tërësi?
Pak po, sigurisht nuk e them atë që mendoj sepse kam detyrime institucionale, sepse do të kisha dëshirë të kem marrëdhënie të mira me qeverinë shqiptare, edhe sepse rajoni im i ka shkrirë politikat e bashkëpunimit përballë Shqipërisë, ndërkohë që për çështje të tjera kjo gjë nuk ka ndodhur. Kemi kontribuar për ndërtimin e sallës së transplanteve në spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë; kemi kontribuar financiarisht për Observatorin Kombëtar Epidemiologjik, apo fushatat e para për kontrollet për tumoret e grave. Kemi ndërmarrë disa veprime të rëndësishme në shumë sektorë dhe marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë pulieze janë të përkryera. Sigurisht që unë kam opinionet e mia mbi jetën politike të Shqipërisë, por nuk mund t'i shpreh, sepse do të krijonte marrëdhënie të sikletshme...
Politika shqiptare është bipolare, në anën e djathtë kemi Berishën, ndërsa në të majtën kemi Edi Ramën...
Flas në mënyrë të përgjithshme, pa u futur në zonën e asaj çfarë ekziston mes kryetarit të shkëlqyer të Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrit Berisha. Më shqetëson shumë fakti që ka ende lidhje mes copëzave të politikës shqiptare dhe copëzave të krimit të organizuar. Nga ato çfarë unë lexoj në gazeta, kjo gjë më shqetëson shumë, sepse kisha besuar që kjo përfshirje, bashkëjetesë me tipe të ndryshme të klaneve mafioze, ata të malit dhe detit, që kanë turbulluar në mënyrë të përgjithshme politikën shqiptare, ndoshta ishte një fakt i së kaluarës. Duke lexuar që edhe aktualisht ka pikëpyetje për sa i përket personalitetit të disa politikanëve shqiptarë dhe lidhjeve të tyre me bosë të mafias, mes të cilëve edhe puliezë, më hidhëron së tepërmi. Shpresoj që hetimet të tregojnë, nëse ka hetime, që të mos jenë të vërteta këto raportime. Nëse do të kishte lidhje të tilla, do të ishte mirë që Shqipëria të mund të çlirohej prej tyre sa më parë. Shqipëria është një vend që ka potenciale të jashtëzakonshme. Është një vend shumë i bukur, me njerëz shumë të bukur. Këta njerëz, ky vend duhet t'i bëjë llogaritë me një modernizëm që vjen dhe që shpresoj se nuk do të shkatërroje atë që është e bukur. Modernizëm do të thotë të ndërtosh dhe të skalitësh një opinion publik pluralist demokratik, duke triumfuar mbi gjithçka të drejtat e njeriut. Nuk është e mundur që në Shqipëri, nëse një djalë deklarohet hapur homoseksual, shteti dhe shoqëria shqiptare të nisë një luftë kundër tij. Është një mënyrë e tmerrshme për të bërë që të fitojë më e keqja e së kaluarës. Diversiteti në botën moderne është një pasuri, ku çdokush ka të drejtën të shprehë ndjenjat e tij, për të jetuar jetën e tij me dinjitet, në liri dhe jo duke e ndjerë veten si një lebroz, të cilin duan patjetër ta vrasin. Asnjë burrë dhe asnjë grua në Shqipëri nuk duhet të jetojë i fshehur si një lebroz, që imagjinon të shtënat e armëve që janë drejtuar nga ai. Përse? Në të gjithë botën gjërat po ndryshojnë dhe çdo person ka të drejtën të jetojë jetën e tij. Shpresoj që modernizimi në Shqipëri të mos jetë spekulim për ndërtimin e centraleve bërthamore për korrupsionin dhe për raportet me mafian e drogës, shpresoj që modernizmi është të rritesh shumë por duke respektuar ambientin, duke respektuar punëtorët, duke respektuar gratë, duke respektuar të drejtat fetare, politike, të drejtat e lirisë, të drejtën për të zgjedhur çdokush rrugën e tij. Si një person që e do shumë Shqipërinë, që kam mësuar ta dua Shqipërinë, që e ndjen se Shqipëria është edhe një pjesë e historisë së Pulias, një histori italiane, kam ndjerë shumë emocione për familjet shqiptare, kam mësuar shumë nga familjet shqiptare në një Itali që stigmatizonte shqiptarët si një prototip kriminal, unë kam marrë leksione pastërtie dhe ligjshmërie nga familjet shqiptare. Është një kujtim shumë i bukur, nëse mund ta tregoj. Im atë, në vitet e fundit të jetës së tij të mrekullueshme, kujdesej për fëmijët e një familjeje shqiptare e veçanërisht për një djalë që ishte mjaft i zoti në shkollë. Një adoleshent mjaft i zoti në shkollë. Prindërit e tij jetonin duke bërë punë të vështira, babai i tij u sëmur dhe djali nuk mund të frekuentonte më shkollën. I mungonin paratë. Atëherë, im atë bleu një fletore dhe na kërkoi të gjithëve që të paguanim nga një taksë, unë, vëllezërit e mi, madje dhe nipërit e mi të vegjël të jepnin nga një kontribut të vogël, 10 euro në muaj dhe ai me këtë fletore bënte llogaritë për të blerë një kompjuter, librat, paguante detyrimet shkollore për këtë djalë shqiptar. Dhe bukuria morale e këtij djali shqiptar ishte historia për ata që duhet të mësojnë të dëgjojnë, për një Shqipëri që ka potenciale të jashtëzakonshme, të cilën Europa duhet ta presë me krahët hapur.
Nëse do më lejonit t'ju bëja një pyetje shumë personale, si e shpjegoni që jeni në të njëjtën kohë, katolik, komunist edhe gay?
Unë kam lindur në një familje katolike dhe katolicizmi më ka shoqëruar në formimin tim. Bekimet e Vanxhelit më kanë goditur dhe më kanë ndryshuar çdo ditë, "Beko ndërtuesit e paqes, sepse do të quhen fëmijë të Zotit, beko punonjësit e drejtësisë, beko të varfrit, janë fjalët e atij që ka ndërtuar një mbretëri të veçantë duke përdorur një fron me dy drunj të kryqëzuar, një kurorë që nuk ishte me diamante por me gjemba, dhe duke e quajtur vdekjen jo si shenjë të humbjes, por të fitores. Pra, në një botë të mbushur me pushtët, i biri i Zotit, Jezusi i Nazaretit, ndërtoi një komunikim mbi fuqinë e shenjave. Ky lloj katolicizmi është pjesë e natyrës sime. Familja ime ishte katolike dhe komuniste. Është më se normale të jesh edhe katolik dhe komunist në Itali. Kur zbarkuan shqiptarët në Pulia, kur Shqipëria u hap drejt Perëndimit, për t'i pritur ata, përveç vullnetarëve ishin të gjithë anëtarët e partisë sime. Jam gjendur përballë shqiptareve të cilët më pyesnin, "pse po na ndihmon, ti kush je?" Përgjigja ime ishte "unë jam komunist". Dhe ata më shikonin në mënyrë të çuditshme, sepse ata ishin larguar për t'ia mbathur nga komunizmi, ndërsa unë përgjigjesha se komunizmi italian është i ndryshëm nga komunizmi shqiptar. Megjithatë, në historinë e Italisë nuk ka pasur ndonjëherë polemika nëse dikush ishte edhe komunist, edhe katolik. Që të dyja kishat, si ajo komuniste dhe ajo katolike, kanë pasur të përbashkët një lloj intolerance për sa i përket të drejtave të njeriut, dhe që të dyja "kishat" kanë qenë mjaft kundërshtare ndaj homoseksualitetit. Ashtu siç kam treguar për katolicizmin dhe komunizmin, kam dashur të tregoj edhe për të tjerat sepse parimi i së vërtetës mund të rigjenerojë çdo lloj utopie, çdo lloj misioni fetar apo një botë tjetër në sensin e një shoqërie ndryshe. Parimin e së vërtetës e kam nisur nga vetja ime. Mund edhe të isha fshehur, madje kam pasur shumë histori dashurie me gra të mrekullueshme, por nuk jam përpjekur asnjëherë të fsheh zgjedhjen më të rëndësishme, që është t'i jap fund hipokrizisë. Kisha vendosur në një farë mënyre, që unë si djalë i mirë mamaje që isha, të tregoja të vërtetën për veten time, sepse ata si unë duhet të gjenin kurajën që të dilnin nga ky lloj burgu që ishte turpi, ndjenja e fajit, dënimi, poshtërimi. Askush nuk ka të drejtë ta jetojë jetën e tij në këtë mënyrë. Kemi nevojë që të gjithë ne, kur nuk i bëjmë keq asnjeriu, kur kërkojmë të dëgjohemi dhe të respektohemi, të kërkojmë të jetojmë nën dritën e diellit. Komunizmi në Shqipëri ka qenë një lloj heshtjeje totale, e ndaluar për të folur, ku njerëzit shikonin gjëra dhe nuk mund t'i thoshin dhe edukoheshin me ndjenjën e heshtjes. Një djalë gay i një vendi si Shqipëria, kërkon të rrezojë një tjetër mur në Shqipëri dhe ju shqiptarët nuk keni pse e dënoni, sepse në këtë mënyrë ai do të vazhdojë të jetojë me atë përshtypjen që Shqipëria ka jetuar për një kohë të gjatë. Si është e mundur që kërkoni ta mbani në heshtje, ju që keni njohur mjaft mirë heshtjen e shtetit, që e keni njohur privimin e lirisë, përse kërkoni ta privoni këtë të ri nga liria? Një qenie njerëzore pa liri, nuk vlen asgjë.
Falemnderit!
(Intervista eshte marre nga Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›