E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendola një shembull dhe për Tiranën

Niki Vendola, kryetari aktual i Krahinës se Puljas nuk është një yessman në të majtën italiane dhe në Partinë Demokratike. Për muaj të tërë polemika nga më të fortat brenda të majtës donin ta përjashtonin si kandidat të saj për Krahinën e Puljas për marsin e ardhshëm. Massimo D’Alema ishte kundërshtari i tij më i ashpër brenda PD-së, por iu vunë kundër dhe kryetari i sapozgjedhur Luigi Bersani dhe gjithë lidershipi i majtë. Në luftë ishte futur dhe Pierferdinando Casini, kreu i UDC, që në pritje të një aleance me PD në krahinën e Puljas kishte vënë kushtin e tij: Jashtë komunisti Vendola. I vetëm kundër të gjithë të tijëve, Niki Vendola nuk u tërhoq nga gara e “Një anëtar Një votë” që u zhvillua dje në gjithë takën e çizmes italiane dhe fitoi me një rezultat të paparë: 70 % kundër 30% të Francesko Boccia-s, kandidatit të favorizuar të lidershipit të Partisë Demokratike. Për “zhdukjen” politike të Niki Vendolës, ishte vënë një bast, që nëse do të fitohej, kishte për plan një zbatim kombëtar, për largimin e të majtës “ekstremiste” brenda Partisë Demokratike. Me të majtë “ekstremiste” nenkuptohen ish-komunistët që pak kanë në ekstrem në fakt, sot janë ata që s’thonë vetëm “po po po” brenda partisë, por shohin më shumë interesat e njerëzve sesa të manovrave e marrëveshjeve elektorale. Niki Vendola brenda të majtës italiane do të ishte në një mënyrë siç pretendon të jetë Ben Blushi apo Arben Malaj brenda Partisë Socialiste, por me një ndryshim themelor: Vendola pranoi sfidën shkoi në votim dhe elektorati i majtë i dha besimin mbi 70 përqind, duke kundershtuar hapur kandidatin që vinte nga kryetari i Partisë. Vetëm në qytetin e Gallipolit, kështjella dhjetëravjeçare ku zgjidhet Massimo d’Alema, Vendola mori 85 % të votave kundër rivalit të preferuar nga PD. Ben Blushi dhe Arben Malaj u tërhoqën duke lënë të kuptojnë për manipulime e duke i “dhuruar” fitoren Edi Ramës. Si do ta marrim vesh se sa vlejnë “vendolianët” shqiptarë brenda Partisë Socialiste? Ndoshta duhet të kërkojmë hapen e kutive në votimet “një anëtar një votë”, ndryshe misteri dhe fantazia mund të na bëjnë të imagjinojmë të paimagjinuarën për “opozitarët” tanë. Fitorja e Niki Vendolës në primariet e organizuara në krahinën përballë Shqipërisë janë një manual i vlefshëm se si zëri opozitar brenda një partie mund të triumfojë kur është zë i njërëzve, i zgjedhësve, e kundërta ndodh kur këta zëra kundër përfaqësojnë vetëm kolltukun personal. Ua këshilloj ta studiojnë mirë tanët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›