Vendos Grupi, Partia Socialiste nuk do të jetë të hënën në Kuvend
TIRANË- Partia Socialiste nuk do të jetë ditën e hënë, në seancën e parë parlamentare. Këtë e ka vendosur sot Grupi Parlamentar i kësaj partie, që sapo ka përfunduar mbledhjen në Hotel Tirana. (vijon)
Mbledhja e djeshme e Kryesisë: Në Kuvend me kushte
dt. 4 shtator
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë të hënën në parlament vetëm për të bërë betimin dhe për të paraqitur aty kushtet e veta, me plotësimin e të cilave do kushtëzojë edhe raportet e mëtejshme me këtë institucion. Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga kryesia e PSSH-së me shumicë votash, për ti lënë sot radhën grupit parlamentar që të japë fjalën e fundit. Për pasojë, PS-ja ka kushtëzuar marrëdhëniet e saj me institucionin e Kuvendit me qëllim rikuperimin nga deformimi, që pretendohet se i është bërë vullnetit të zgjedhësve nëpërmjet praktikave manipuluese.
Kushtet
Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dje në mbrëmje për më shumë se 2 orë e 30 minuta ka diskutuar për përcaktimin e qëndrimit të Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar kundrejt legjislativit të ri. Mbledhja, ashtu siç edhe pritej, është karakterizuar sërish nga debate të forta ku dy palët tashmë të ravijizuara në të kanë mbajtur qëndrime të kundërta për këtë çështje. Kështu, shumica e kryesisë ka mbrojtur variantin që dhe u miratua në fund, që grupi parlamentar socialist për shkak të manipulimeve zgjedhore dhe tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve, nuk mund të krijojë marrëdhënie normale me Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk kanë qenë për një bojkotim total të Kuvendit, por për një marrëdhënie, që do të varet nga aftësia e mazhorancës për të reaguar ndaj kërkesave, që socialistët kanë kundrejt një sërë çështjesh delikate. Kështu, ata do të paraqesin në seancën e së hënës një sërë kushtesh, dhe më kryesorja është krijimi i një komisioni ad-hoc PS-PD për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhënia e të drejtës Partisë Socialiste për të kërkuar dhe për t'iu vënë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore, që ajo do të kërkojë për të hetuar, me qëllim final rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në një numër të konsiderueshëm kutish në zonat zgjedhore të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Por kushtet e tyre nuk do të kenë të bëjnë thjesht dhe vetëm me procesin elektoral, por edhe me garantimin një sistemi të pavarur drejtësie, garantimin e pavarësisë së medias në ushtrimin e misionit të saj informues, sidomos të TVSH-së dhe hallkave të tjera kontrolluese të saj siç është KKRT-ja, rikthimi në punë i të gjithë punonjësve me statusin e nëpunësit civil të pushuar për shkaqe politike. Pjesë e kushteve të grupit parlamentar do të jetë dhe zbardhja e vrasjes së deputetit socialistë Fatmir Xhindi. Ndërkohë, grupi i kundërshtarëve të kryetarit Rama në kryesi të kryesuar nga deputeti Ben Blushi i kanë mëshuar fortë variantit që PS-ja duhet t'i kërkojë këto të drejta duke qenë pjesë e Kuvendit dhe jo jashtë tij.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje pas mbledhjes së kryesisë se fjala e fundit për qëndrimin ndaj Kuvendit, i takon grupit parlamentar, që pritet të mblidhet sot. "Grupi parlamentar i PS-së do të vendosë sepse është ai grup që ka fjalën e fundit. Sot kryesia e PS-së vendosi t'i përcjellë grupit, propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin", - tha Rama. Kryetari i PS-së saktësoi se në mbledhjen e kryesisë u diskutua në parim për një paketë kushtesh, që sot grupit parlamentar socialist do ti diskutoje në detaje. "Nuk bëhet fjalë për bojkot në kuptimin primitiv, por për një qëndrim të detyruar karshi të gjithë atyre qytetarëve, që dëshiruan të kthenin një fletë të historisë më 28 qershor. U bëj thirrje të gjithëve partive dhe organizatave që të bëhen pjesë e një domosdoshmërie të pashmangshme, që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne nuk mund të pranojmë që të shkojmë drejt zgjedhjeve që të jenë po të njëjtat",- tha Rama. Ndërsa deputeti i PS-së, Ben Blushi deklaroi mbrëmë pas mbledhjes se PS-ja nuk do të marrë pjesë në Kuvend për një afat të pacaktuar.
Kushtet e PS-së
Krijimi i një komisioni ad-hoc PS-PD për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit
Dhënia e të drejtës Partisë Socialiste për të kërkuar dhe për t'iu vënë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore, që ajo do të kërkojë për të hetuar
Rivlerësim dhe rinumërim votash në një sërë kutish në zonat zgjedhore Berat, Tiranë dhe Shkodër
Garantimi i një drejtësie të pavarur nga ndërhyrjet e qeverisë dhe të pushtetarëve
Garantimi i pavarësisë së medias në ushtrimin e misionit të saj informues, sidomos të TVSH-së dhe hallkave të tjera kontrolluese të saj siç është KKRT-ja
Zbardhja e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi
Rikthimi në punë i të gjithë punonjësve me statusin e nëpunësit civilë të pushuar për shkaqe politike
Debatet në kryesi
Edi Rama: Në vijim të asaj që kemi thënë për zgjedhjet shoh të arsyeshme, që të përcaktojmë një raport të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, për të kërkuar zbardhjen e së vërtetës lidhur me këtë proces zgjedhor
Ben Blushi: Unë jam kundra një opsioni të tillë, pasi ne kemi një rezolutë të miratuar nga asambleja që përcakton se ne duhet të jemi në Kuvend. Rezoluta për të cilën flisni se u miratua në kongres është e papranueshme sepse ne miratuam vetëm rezolutën e Asamblesë. Mund të na thoni se kush janë delegatët e Tropojës, që kërkuan të ndryshojë rezoluta dhe përfshirja në të e propozimit për të bojkotuar Kuvendin.
Gramoz Ruçi: Po të kishit ndenjur gjatë gjithë kohës në kongres do kishit parë që unë i lexova propozimin e tyre para se të miratohej rezoluta. Propozimet erdhën me shkrim.
Arben Malaj: Ne nuk duhet të bojkotojmë Kuvendin, pasi jemi zgjedhur për të qenë atje. Ne duhet të shfrytëzojmë faktin, që jemi një grup shumë i madh opozitar për t'iu imponuar mazhorancës në Kuvend për plotësimin e kërkesave tona, përfshi dhe hetimin e zgjedhjeve.
Erion Braçe: Ne të gjithë duhet të kuptojmë se kjo nuk është një luftë mes nesh, por është një luftë me Sali Berishën, ndaj ne duhet ti përcaktojmë atij kushte për të hapur kutitë e votimit dhe për të parë se cila është e vërteta.
Ben Blushi: Ti (Rama) po kërkon alibi për të justifikuar humbjen në zgjedhje dhe veprimet që bëre më pas. Nëse ke vendosur të lësh shtëpinë dhe të dalësh në rrugë hajde se po të vijmë pas.
Mblidhet Kryesia e PS-së. Pritet vendimi për përfaqësimin në Kuvend
0ra: 08:00
TIRANË- Kryesia e Partisë Socialiste ka nisur mbledhjen për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahet nga kjo parti për përfaqësimin e grupit të saj parlamentar në Kuvendin e ri, të cilin deri më tani e ka cilësuar ilegjitim.
Në këtë mbledhje Partia Socialiste do të caktojë në mënyrë përfundimtare qëndrimin e saj karshi legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së grupit të saj parlamentar në të.
Ndërkohë që nesër vendimi që do të marrë kryesia do të konsultohet edhe me grupin parlamentar që pritet të mblidhet gjatë paradites.
Opsionet
Ajo që pritet të diskutohet në mbledhjen e kryesisë janë pikërisht tre opsionet që ekzistojnë dhe që janë përfolur më shumë mes vetë socialistëve dhe që kanë të bëjnë pikërisht me pozicionimin e grupit kuvendor socialist kundrejt legjislativit të ri.
Natyrisht, opsioni më i mundshëm që pritet të miratohet është ai që është mbrojtur fort gjatë këtyre ditëve edhe nga kryesocialisti Edi Rama, pra bojkotimi total i punimeve të Kuvendit.
Por, siç dihet, kjo do të jetë një alternativë, që pritet të sjellë shumë debate në kryesi, për vetë faktin se ndaj saj janë shprehur në mënyrë kategorike një pjesë e mirë e anëtarëve të këtij forumi, që janë njëkohësisht edhe deputetë. Miratimi i këtij opsioni do të përbënte dhe pozicionimin më radikal të PS-së ndaj institucioneve që prodhoi procesi elektoral i 28 qershorit.
Përballë këtij opsioni qëndrojnë grupi i anëtarëve të kryesisë, të cilët në kongres u shfaqën si kundërshtarë të kryetarit në detyrë, Edi Rama, të cilët mbështesin rezolutën e Asamblesë Kombëtare dhe jo atë të Kongresit, duke kërkuar pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në Kuvend.
Ata kanë kundërshtuar fort ditët e fundit rezolutën e Kongresit, duke bërë të ditur se radikalizmi i qëndrimit të PS-së ndaj Kuvendit nuk ndihmon PS-në për të arritur qëllimet e saj, kundrejt zbardhjes së shkeljeve të pretenduara për procesin elektoral të 28 qershorit.
Si një alternativë e mesme, që mund të përafronte dy qëndrimet e tjera, bëhet e ditur se është edhe ai i pjesëmarrjes në Kuvend ditën e hënë për të bërë betimin, si një akt që do të legjitimonte mandatet e gjithë të zgjedhurve socialistë, dhe largimin më pas deri në përmbushjen e kërkesave të PS-së për hetimin e shkeljeve elektorale.
Kushtet
Në rast se forumet partiake përgjegjëse, pra kryesia dhe grupi parlamentar, do të miratojnë alternativat e bojkotit të Kuvendit, atëherë PS-ja ka gati edhe kushtet që do t'i vërë Partisë Demokratike si mundësia e vetme për t'u kthyer në të.
Kështu, të njëjtat burime konfirmojnë se kushti i vetëm buron pikërisht nga rezoluta e miratuar nga Asambleja dhe Kongresi, dhe që ka të bëjë me hetimin parlamentar të procesit elektoral të 28 qershorit, në ato qarqe ku kjo forcë pati pretendime për manipulime.
Pra, bëhet fjalë pak a shumë për një marrëveshje paraprake me PD-në për të marrë prej saj garancinë se do të ngrejë së pari komisionin hetimor parlamentar dhe së dyti do të vërë në dispozicion të tij të gjitha materialet zgjedhore, përfshi edhe kutitë e votimit, për të kryer hetimin parlamentar.
Natyrisht, është e kuptueshme se PS-ja do të përqendrojë kërkesat e saj në ato qarqe ku dhe pati pretendime për manipulime, siç është Berati, Tirana dhe Shkodra.