E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendos Madridi

Ndeshja e parë e së tetës së finales së Ligës së Kampionëve ndërmjet Lyonit dhe Real Madridit nuk ka sjell fitues, pasi përfundoi baras, 1:1. Spanjollët kanë shënuar me Benzeman, kurse francezët barazuan me anë të Gomis. Gjithçka nga kjo përballje do të vendoset në ndeshjen e kthimit, në Madrid. Kurse, Chelsea pothuajse kreu punë në ndeshjen e parë, pasi fitoi 2:0 ndaj Copenhagen. Nga Express më 22 shkurt 2011 në ora 23:11

Olympique Lyon dhe Real Madrid kanë luajtur baras 1:1 në Francë, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Një ndeshje mjaft emocionuese, sidomos në pjesën e dytë, nuk ka nxjerrë fitues, kështu që ekipi që do të kalojë në çerekfinale do të përcaktohet vetëm pas ndeshjes së dytë, e cila do të zhvillohet në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ në Madrid.

Pjesa e parë ka qenë e zbehtë, me francezët më të mirë për një nuancë të vogël. Mirëpo, madrilenët e kanë filluar furishëm pjesën e dytë, duke goditur shtyllën me Ronaldon (nga gjuajtja e lirë), e më pas Sergio Ramos goditi tërthorësen, pas një gjuajtje me kokë.

Trajneri Jose Mourinho ka bërë zëvendësim adekuat dhe me kohë. Portugezi nxori nga loja sulmuesin e ‘padukshëm’ Adebayor, për Karim Benzema. Ishte pikërisht francezi, i cili vetëm disa minuta më pas, më saktësisht në atë të 65-të, e gjeti golin e ekipit mysafir, duke shënuar kështu kundër ish skuadrës së tij, 0:1.

Disavantazhi nuk i ka zmbrapsur vendësit. Madje, ata kanë filluar t’i rreshtonin sulmet deri në fund të ndeshjes, duke u treguar mjaft të rrezikshëm. Mundi i tyre u shpërblye në minutën e 83-të, kur Gomis u harrua nga mbrojtja spanjolle dhe me lehtësi shënoi nga afërsia, 1:1.

Ky rezultat i shkon për shtati madrilenëve, të cilët ndeshjen e kthimit e luajnë në shtëpi. Por, francezët nuk do të shkojnë në Madrid me flamur të bardhë.

Në sfidën tjetër të së martës, Chelsea i harroi problemet që ka në Angli, pasi fitoi ndaj Copenhagen 2:0, duke e siguruar pothuajse një vend në çerekfinale, pasi ndeshjen e kthimit do ta zhvillojë në shtëpi. Nicolas Anelka ishte hero i ‘Blues’, pasi shënoi të dyja golat, njërin në pjesën e parë e tjetrin në atë të dytë.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

Rezultatet
Lyon – Real Madrid1:1
Copenhagen – Chelsea0:2

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›