Vendos gjykata: Incidenti me Rusmalin, lirohen të përndjekurit

Arkivoli te selia e të Përndjekurve ditën e ngjarjes
Prokuroria kërkon hetim në gjendje të lirë për Lirak Bejkon dhe Gjergj Ndrecën, sulmuan deputetin e PD para Kuvendit.
Gjykata e Tiranës liron nga paraburgimi dy të përndjekurit politikë, që u arrestuan tri ditë më parë pas një incidenti me deputetin e PD, Ilir Rusmali, në hyrje të Parlamentit në kryeqytet. Ditën e djeshme, shtetasit Lirak Bejko 47 vjeç dhe Gjergj Ndreca dolën para gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë. Lirak Bejko akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” ndaj deputetit të PD, Ilir Rusmali, kurse i përndjekuri tjetër, Gjergj Ndreca, akuzohet për kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë. Dy të përndjekurit dolën dje para gjykatës, pasi mbaheshin prej dy ditësh në dhomat e izolimit të Policisë së Tiranës. Në seancën e djeshme, gjykata dëgjoi Prokurorinë, e cila kërkoi lirimin e dy të akuzuarve me argumentin se ata nuk paraqesin rrezikshmëri për t’iu shmangur hetimit. Avokatët e të përndjekurve ishin dakord me kërkesën e Prokurorisë, ndërsa gjykatës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të urdhërojë lirimin nga prangat për shtetasit Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca. Bejko, i cili akuzohet se qëlloi me grusht Ilir Rusmalin, mësohet të ketë thënë në seancë se ka vepruar në gjaknxehtësi e sipër. I përndjekuri tjetër, shtetasi Gjergj Ndreca, sipas burimeve nga Gjykata mësohet se ka pretenduar të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur qëllim t’i kundërshtojë policët.
Incidenti me deputetin
Mesditën e 16 shkurtit 2012, pranë selisë së të burgosurve politikë, e cila ndodhet pak metra nga hyrja e Parlamentit të Shqipërisë, një grup të moshuarish po zhvillonin një ceremoni mortore. Të përndjekurit ishin organizuar për të varrosur shtetasin Grigor Zaharia, i dënuar politik, i cili kishte vdekur dhe kishte mbetur për 20 ditë në morg, pasi nuk kishte njeri që ta varroste. Më 16 shkurt, të përndjekurit janë organizuar për varrimin e Grigor Zaharisë. Rreth mesditës, ata kanë nxjerrë arkivolin në oborrin e selisë së tyre dhe po i bënin nderimet e fundit para nisjes për në varreza. Në këtë kohë, deputeti Ilir Rusmali me automjetin e tij ka mbërritur në hyrje të Parlamentit dhe ka parkuar aty. Sapo ka zbritur nga makina, deputeti është gjendur nën sulmin e të përndjekurit Lirak Bejko. Sipas Policisë, shkak i ngjarjes ka qenë pengimi i ceremonisë mortore që po zhvillohej në selinë e të përndjekurve politikë, por edhe pakënaqësia e kësaj kategorie për dëmshpërblimet financiare që u takojnë sipas ligjit.
2 persona u arrestuan nga policia në lidhje me incidentin me Ilir Rusmalin. Shërbimet e policisë së Komisariatit Nr.1 ndodheshin në hyrje të Parlamentit, pasi aty zhvillohej seanca plenare.
TRAZHGIM SOKOLAJ