E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, mbledhje me organizatat

Asambleja Kombëtare e PS

Zhvillohen takimet e të deleguarve të Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare në kryeqytet.

Kreu i PS në Twitter: Isha në Laprakë dhe Kombinat.

Kreu i PS ka marrë pjesë në dy mbledhje organizatash socialiste, në zonën e Laprakës dhe të Kombinatit. Rama nuk ka ngurruar ta publikojë dhe në adresën e tij në Twitter, duke bërë thirrje për anëtarësime të reja në PS. Mbledhje në një organizatë socialiste të Laprakës, në kuadrin e regjistrimit të ri të anëtarësisë e pranimeve të reja në PS. Anëtarësohuni! Mbledhje në një organizatë socialiste të Unazës së Re, në kuadrin e regjistrimit të ri të anëtarësisë e pranimeve të reja në PS, shkruan Rama në Twitter. Mësohet se Rama do të marrë pjesë edhe në mbledhje të tjera të organizatave socialiste, ku përveç sqarimit të disa pikave të programit, do të ftojë çdo qytetar të bëhet pjesë e këtij programi dhe anëtar i PS për ta bërë realitet atë. Rama në këto takime është shoqëruar nga kryetari i komanduar i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri. Pas vendimeve të fundit të Asamblesë Kombëtare për të verifikuar anëtarësinë, në terren ka nisur puna. Rreth 40 anëtarë të Asamblesë Kombëtare të deleguar në Tiranë, bashkë me anëtarët e Kryesisë, po zhvillojnë takime me të gjithë anëtarët e organizatave socialiste për të bërë një krehje të anëtarësisë, e cila do të bëjë eliminimin e shifrave fiktive të organizatave dhe anëtarëve të saj. Çdo i deleguar po merr takime me organizatat ku çdo anëtar socialist po plotëson formularin e anëtarit të PS, po pajiset me kartën njëvjeçare të anëtarësisë dhe po paguan kuotizacionin sipas vendimit të fundit të Asamblesë. Rregulli i ri i vendosur pas Asamblesë Kombëtare është pajisja e anëtarëve të PS-së me kartën e anëtarit çdo vit, duke bërë në këtë mënyrë edhe një verifikim të tij, të aktivitetit dhe rolit që ai ka luajtur gjatë një viti në parti. Partia Socialiste pritet të realizojë brenda këtij viti shtimin e radhëve të saj me rreth 30 për qind të saj. Këtë angazhim e ka shprehur sekretari Organizativ në këtë parti, Blendi Klosi, i cili është shprehur optimist për arritjen e këtij objektivi. Brenda kësaj jave, PS e Tiranës pritet ti japë fund dhe dilemës së garës për kreun e saj. Brenda javës pritet të mblidhet Kryesia e PS, e cila do të përcaktojë kandidatët që do ti paraqiten Asamblesë së zgjeruar të Bashkisë Tiranë për të zgjedhur drejtuesin e degës. Deri në fund të muajit shkurt duhet të bëhet regjistrimi i plotë nga e para e të gjithë anëtarësisë. Një kartelë e re anëtarësimi qarkullon tashmë në të gjitha organizatat socialiste, ku çdo anëtar duhet të hedhë të dhënat e tij për zonën ku banon, cilës qendër votimi i korrespondon, arsimimin, kualifikimin dhe vendin e punës ku punon. Pasi të jetë plotësuar kjo kartelë e anëtarit të partisë, duhet të paguhet kuotizacioni vjetor, sipas tabelës së miratuar nga Kryesia dhe Asambleja Kombëtare, e cila diferencon masën e kontributit të gjithsecilit bazuar në të ardhurat e tij. Pagesa e kontributit për partinë, ose e kuotizacionit, i cili varijon nga 200 lekë në vit për pensionistët dhe studentët e deri në 72 mijë lekë në vit për deputetë, shoqërohet me një kartë kuotizacioni që tregon se anëtari i PS-së ka paguar detyrimet e tij. Gjithashtu, në të gjitha asambletë lokale të bashkive dhe komunave po zhvillohet dhe procesi i emërimit të koordinatorëve zgjedhorë, të cilët do të përgjigjen që nga struktura më e vogël e partisë e deri tek institucioni më i lartë zgjedhor në qark, siç është KZAZ. Kështu, socialistët do të kenë koordinatorë zgjedhorë për qendrat e votimit për 66 KZAZ-të e të gjithë vendit.

Anëtarët e Asamblesë Kombëtare
Anëtarët e Asamblesë socialiste po zhvillojnë takime me organizatat socialiste, përmes të cilave po verifikojnë anëtarësinë socialiste, por po shohin edhe mundësinë e shtimit të anëtarësisë me rreth 30% deri në fund të këtij viti. Në Partinë Socialiste po bëhet regjistrimi i gjithë anëtarësisë së saj. Sekretariati i Organizimit ka hartuar një kartelë në të cilën do të plotësohen të gjitha të dhënat e anëtarit, që nga gjeneralitetet e deri te të dhënat lidhur me punësimin, arsimimin, por dhe qendrën e votimit që ai mbulon. Një regjistrim i tillë pritet të zhvillohet çdo fillimviti për të pasur një pasqyrë të saktë të lëvizjeve të anëtarësisë.

Drejtuesit e rinj
Deri në mes të muajit mars, në Partinë Socialiste do të përfundojnë zgjedhjet për drejtuesit e asambleve të komunave dhe bashkive në 117 njësi vendore. Zgjedhjet që nuk mundën të zhvilloheshin para Kongresit të 5 nëntorit, u shtynë pas tij, ndërsa mbledhja e fundit e Asamblesë la si afat mesin e muajit shkurt. Por, për shkak të kushteve
të këqija të motit dhe  mosmarrëveshjeve në disa njësi vendore, afati përfundimtar i zgjedhjeve është lënë 15 marsi. Pritet që deri atëherë të jenë zgjidhur disa përplasje mes bazës socialiste dhe drejtuesve të lartë në qendër për zgjedhjen e disa drejtuesve të kontestuar.

Braçe: Javën tjetër, sërish në Berat

Erjon Braçe

Deputeti socialist i qarkut të Beratit ka akuzuar Kryeministrin Berisha se ka lënë pa asnjë investim infrastrukturor këtë qark. Braçe analizon situatën e rrugëve në këtë qark, duke u shprehur se edhe pse e ka ngritur zërin edhe në Parlament rruga Lushnjë-Berat mbetet në gjendje të mjeruar. Rruga nga Lushnja në Berat është e shkatërruar tërësisht, e shkatërruar fare, me gropa deri në 40 centimetra thellësi! Në arkivin personal gjej se në 7 vite kam folur të paktën 63 herë për këtë rrugë! Pas meje është çjerrë Sali Berisha duke premtuar atë dhe këtë! por…., shprehet Braçe. Sipas tij, Berati është kryeqendra e fasonit në Shqipëri, me shumë ndërmarrje dhe mijëra të punësuar. Javën tjetër do masë sërish thellësinë e gjerësinë e gropave në rrugë!, shprehet Braçe, duke përsëritur se do të jetë sërish në qarkun e Beratit dhe jo atë të Korçës, ku është deleguar nga Kryesia.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›