E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosen arsyet e rritjes së çmimit të energjisë

25/11/2009  Vendimi i ERE-s për tarifat do të bëhet publik brenda datës 15 dhjetor

Enti Rregullator i Energjisë zhvillon seancën dëgjimore për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo kërkesë është bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, përfaqësues të të cilit shpjegojnë në një takim me aktorët e përfshirë në proces arsyet për shtrenjtimin e këtij produkti për konsumatorët. Tarifat e reja të propozuara nga OSSH-ja do të merren në shqyrtim nga ERE dhe do të bëhen publike brenda datës 15 dhjetor.

Shtrenjtimi

Sipas burimeve zyrtare nga ERE, kjo seancë dëgjimore është përcaktuar si një detyrim ligjor. Mësohet se gjatë seancës publike do të përfshihen edhe diskutimi për aplikimin e KESH-it për rritjen e çmimit të shitjes së energjisë, apo tarifa e shërbimit të transmetimit të energjisë për vitin 2010. Mendimet pro dhe kundër këtyre proceseve do të ndikojnë në marrjen e vendimit nga ana e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Një prej arsyeve pse është kërkuar shtrenjtimi i energjisë është fakti se abuzimi dhe vjedhja e energjisë elektrike nga një pjesë e qytetarëve në bashkëpunim ngandonjëherë me punonjës të OSSH-së ka sjellë në vijimësi humbje për këtë kompani. Ky fenomen ka rritur së tepërmi premisat për një padrejtësi shoqërore në raport me konsumatorët e rregullt.

Aplikimi

CEZ është kompania çeke që ka në pronësi OSSH-në dhe që ka kërkuar rritje të çmimit nga 19-31 për qind në varësi të llojit të konsumatorëve apo linjave me të cilat furnizohen ata. Mësohet se për konsumatorët familjarë, të cilët shpenzojnë nën 300 kilovat orë rritja e propozuar është në 9.15 lekë nga 7 lekë që është aktualisht. Por në të kundërt, ata konsumatorë familjarë që kanë shpenzuar mbi 300 kilovat orë do të paguajnë të njëjtin çmim, pra 9,15 lekë, nga 12 lekë që është aktualisht dhe që rezulton të jetë në ulje. Sa i takon bizneseve çmimi i propozuar është 10.43 lekë nga 8 lekë që është aktualisht. Kjo për ato biznese që furnizohen nga tensioni i mesëm, ndërsa për bizneset që furnizohen nga tensioni i ulët rritja shkon në 11.89 lekë nga 10 lekë që është aktualisht. Nëse do të ketë rritje të çmimeve për vitin e ardhshëm dhe sa do të jetë kjo rritje vetëm Enti Rregullator i Energjisë mund të vendosë, pasi kjo është një e drejtë ekskluzive e këtij institucioni.

Konsumatori

Mbrojtja e konsumatorit të energjisë elektrike është detyrë e të gjitha organeve shtetërore. Avokati i Popullit i ka kërkuar nga ERE-s që në vendimmarrjen e tij të mbajë në konsideratë të drejtat dhe interesin më të lartë të konsumatorit shqiptar, duke vepruar me paanshmëri, integritet dhe objektivitet të lartë. Vendimi për mospranimin e raportit të auditit të humbjeve parandaloi ndikimin negativ në përllogaritjen e ardhshme të shpenzimeve për energjinë nga konsumatorët.

Apeli për faturat

Abuzimi dhe vjedhja e energjisë elektrike nga një pjesë e qytetarëve është një fenomen i njohur tashmë dhe është konsideruar tepër shqetësues. Avokati i Popullit dhe kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, kanë apeluar pak kohë më parë që qytetarët jo vetëm të paguajnë faturat e energjisë, por njëkohësisht të forcohet veprimtaria e organeve të zbatimit të ligjit dhe veçanërisht Prokurorisë në çuarjen para drejtësisë pa kompromis të personave përgjegjës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›