Prokuroria nis hetimet për vrasjen e Endri Zenelit
Mbërritja e letër-porosisë nga Italia, insistimi i babait të viktimës, por edhe urdhri i dhënë nga Gjykata e Tiranës kanë detyruar Prokurorinë e Tiranës të rihapë hetimet. Pas shtatë vitesh, akuza e kryeqytetit ka rihapur hetimet për vrasjen e të riut Endri Zeneli, krim i ndodhur në Bolonja në vitin 2003. Organi i akuzës pritet që në ditët në vazhdim të marrë në pyetje dy personat e akuzuar nga babai i të riut të vrarë, Hydajet Zeneli dhe Lediana Tare. I riu, sipas të dhënave hetimore të ardhura nga hetuesit italianë që kanë hetuar ngjarjen, është gjetur i mbytur me dhunë në një vaskë, ndërkohë që gjatë ekspertizë mjeko-ligjore të bëra pas gjetjes së trupit, përveç dhunës rezultoi se në trup kishte një sasi të konsiderueshme alkooli dhe droge. Në atë kohë kur ndodhi vrasja, Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet edhe në Shqipëri, por për shkak se nuk kishte ardhur letër-porosia nga shteti fqinj i Italisë, i pushoi ato. Por, disa vite pas ngjarjes, babai i viktimës iu drejtua gjykatës dhe kërkoi rihapje të çështjes, sepse, sipas tij, dy nga njerëzit e dyshuar për këtë krim dhe që kanë qenë ditën e ngjarjes në Bolonja ndodhen aktualisht në Shqipëri. Kërkesa drejtuar gjykatës është depozituar dhe mbrojtur me argumente nga Xhevat Zeneli, i cili ka sqaruar para togave të zeza se djali i tij kishte ikur në Itali, sepse “unë kisha një konflikt me vëllanë tim për një borxh dhe Endri iku në Itali për t’ia marrë lekët kushëririt të parë, pra nipit tim”. Kërkuesi i hapjes së hetimeve ka shpjeguar para gjykatës se atë ditë në vendngjarje rezulton të ketë qenë edhe një femër dëshmitare, e cila është shqiptare dhe tashmë ndodhet në Tiranë. “Dy të dyshuarit për vrasjen janë në Tiranë aktualisht dhe hetuesit italianë nuk patën asnjë mundësi t’i merrnin në pyetje, pasi ata u kthyen menjëherë në Shqipëri”, - ka sqaruar për gjykatën Xhevat Zeneli. Bëhet fjalë për kushëririn e parë të viktimës, Hydajet Zeneli dhe të dashurën e tij, Lediana Tare, për të cilët është kërkuar marrja në pyetje nga prokurorët shqiptarë. Kërkesa e babait të viktimës Endri Zeneli, ky i fundit i gjetur i vdekur më 23 nëntor 2003 në Bolonja të Italisë, u pranua nga trupi gjykues dhe gjykata mori vendim të urdhërojë Prokurorinë e Tiranës për rihapje të hetimeve dhe kryerje të hetimeve të mëtejshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjithashtu, gjykata urdhëroi edhe marrjen në pyetje të dy personave të dyshuar. Rihapja e hetimeve dhe hetimi i këtij krimi të dyshuar brenda familjes në Shqipëri bëhet sipas Konventës Ndërkombëtare, ku thuhet se për të njëjtën vepër penale që ka ndodhur në një shtet, ajo hetohet edhe në një vend tjetër. Ndërkohë, bëhet e ditur se nga shteti fqinj i Italisë ka mbërritur edhe letër-porosia me të dhënat hetimore të grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga hetuesit italianë, ndërkohë që skeda e vdekjes së përpiluar nga ekspertët mjeko-ligjorë thotë se kemi të bëjmë me një vdekje të dhunshme.
Detaj
7 vite më parë, Endri Zeneli u gjet i mbytur në vaskë, në një dhomë në Bolonja të Italisë
“Unë kisha një konflikt me vëllanë tim për një borxh dhe Endri iku në Itali për t’ia marrë lekët kushëririt të parë, pra nipit tim”, - ka deklaruar para gjykatës Xhevat Zeneli