E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i pronave, Alibeaj: Ligji i ri mbyll vorbullën e kërkesave në Strasburg

Në një intervistë për “Standard”, deputeti i Partisë Demokratike dhe ish ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, tregon risitë e ligjit të ri të ardhur në Kuvend për krijimin e fondit special të kompensimit të ish pronarëve. Alibeaj shprehet se ky ligj përmbush disa detyrime të rëndësishme në raportin mes shtetit dhe subjekteve të shpronësuara. Sipas tij, tashmë me këtë ligj përmbushen edhe kërkesat që kërkon Gjykata e Strasburgut, kjo sepse kompensimi i pronës në Shqipëri, do të jetë një detyrim për shtetin shqiptar pavarësisht se kush qeveri do të jetë në pushtet.

Zoti Alibeaj, Komisioni Parlamentar i Ligjeve nisi diskutimin e projektligjit për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave. Cilat janë risitë e këtij projektligji të ri?

Janë disa risi të këtij projektligji, qoftë politike, por qoftë edhe teknike. Ajo që është risia më e madhe politike në këtë rast, është se tashmë detyrimi i shtetit për të kompensuar financiarisht subjektet e shpronësuara nuk ngelet më në dëshirën e qeverisë apo në mundësitë e saj financiare, por tashmë është një detyrim ligjor. E përkthyer në terma teknikë do të thotë se sa herë që qeveria të paraqesë në Parlament buxhetin, gjithmonë do të ketë një zë special të posaçëm, me një shumë të caktuar, që është e destinuar për kompensimin financiar për subjektet e shpronësuara. Kjo do të thotë se sa herë që përgatitet një buxhet, do të përllogaritet për burimet e të ardhurave si dhe numrin dhe masën edhe të shpërblimit financiar. Ky është detyrimi më i madh tashmë, që do ta ketë Parlamenti gjithmonë e në vazhdim derisa të mbyllet përfundimisht procesi i kompensimit të subjekteve të shpronësuara. Ky është një detyrim i cili nuk ka ardhur thjeshtë si një dëshirë e qeverisë, por ka ardhur edhe për shumë arsyeja të tjera... politike mbi të gjitha. Ka ardhur për një arsye që shteti shqiptar, dhe jo i ndonjë qeverie të caktuar, por i shtetit në tërësi, ka pasur ndaj kategorisë së subjekteve të shpronësuara. Ka një specifikë procesi i kompensimit të pronës në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të Evropës Lindore. Shteti shqiptar është i vetmi në të gjithë Lindjen që ka marrë përsipër dy parametra kryesorë. Shpërblimin e drejtë dhe shpërblimin 100 për qind të pasurisë. Të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore, si Polonia, Bullgaria, Rumania apo Gjermania Lindore që është rasti më emblematik, kur kanë aplikuar procesin e kompensimit, nuk e kanë shtrirë në masën 100 për qind të ish-pasurisë, por me përqindje të caktuara. Por jo vetëm kaq, por dhe jo kompensim fizik, por pjesërisht fizik kur ka qenë e mundur dhe pjesa tjetër financiar dhe i shtrirë në kohë. Shteti shqiptar është i vetmi që ka marrë përsipër kompensimin 100 për qind. A fizik apo financiar, këtë e kanë pasur parasysh ligjet që nga viti 1993 e deri më sot. Tashmë kemi ndërmarrë edhe këtë detyrim ligjor që nuk ngelet më në dëshirën e një qeverie.
Së dyti, fondi special që quhet, nuk do të ngelet më pa identitet, pra pa përcaktuar masën apo rrugën e mbushjes së këtij fondi. Në ligj përcaktohen mënyrat dhe mekanizmat ligjorë për mbushjen e këtij fondi financiar, siç është nga procesi i legalizimit, procesi i privatizimit, proceset e privatizimit të trojeve turistike që u miratua pak muaj më parë, si dhe me të ardhura të tjera si donacione. Përfundimisht arrihet një mekanizëm ligjor që tashmë funksionon në mënyrë të pavarur. Detyrimi është ligj, autoriteti është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, burimet financiare garantohen nga projektligji si dhe ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të shpërndahen pasi kuptohet që kërkesat janë të mëdha dhe variojnë nga njëra-tjetra.

Pra, do të kemi një mënyrë të re për shpërndarjen e kompensimit financiar?

Pikërisht. Kërkesat variojnë nga njëra-tjetra. Kërkesat variojnë nga trojet që kërkohen, por variojnë edhe nga koha, pasi procesi ka nisur që nga viti 1993 dhe vazhdon akoma dhe për 2 ose 3 vite të tjera për të ditur se cilët janë titujt e kompensueshëm. Ligji ka përcaktuar se do të ketë një vendim-kuadër të qeverisë, vendim i Këshillit të Ministrave, i cili do të përcaktojë njëherë e mirë se cilat do të jenë kriteret. Pra kriteret në proporcionalitet në masë dhe në kohë. Sigurisht edhe në vlerë. Pra hiqet dorë nga praktika e deritanishme që qeveria nxirrte çdo vit një vendim ku përcaktoheshin procedurat dhe kriteret. Deri tani qeveria ka kompensuar ato vendime kompensimi deri në 200 metra dhe me rregullin tjetër që të mos kishin përfituar asgjë tjetër më parë. Do të jetë një vendim-kuadër që do të përcaktojë gjithçka, duke pasur parasysh parimin e ligjshmërinë, parimin e mosdiskriminimit, parimin e proporcionaliteit në masë. Një tjetër risi, që s’po e quaj politike, por më shumë gjyqësore, është që ky proces, miratimin e këtij ligji do të përmbushë, një nga detyrimet që ka qeveria në marrëdhëniet me Konventën e të Drejtave të Njeriut me Gjykatën e Strasburgut. Madje më tepër me vendimet e fundit që Gjykatës së Strasburgut. Gjykata e Strasburgut me të gjitha aplikimet që kanë shkuar në lidhje me kërkesat e subjekteve të shpronësuara, ka thënë dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar se cilat janë masat konkrete që garantojnë këtë mekanizëm kompensimi. Ky akt përmbush të gjitha kërkesat që kërkon Gjykata e Strasburgut. Hapat dhe iniciativat konkrete që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, mazhoranca, Kuvendi dhe miratimi i këtij ligji është optimumi i një ndërmarrjeje legjislative për të përmbushur këtë detyrim. Dhe kjo do të thotë që të përmbushë këtë kërkesë që në disa vendime të Gjykatës së Strasburgut janë shkruar në arsyetimet e tyre. Këto ishin risitë politike të këtij projektligji.
Risitë teknike, në bazë të këtij ligji dhe të vendimit të qeverisë, përcaktohen rregullat, procedura, kriteret, masën dhe sa herë që të ketë buxhet në Kuvend, në korrik apo në dhjetor, do të ketë një masë që do të shpërndahet siç është përcaktuar me ligjin e të të përndjekurve politikë. Mendoj që kjo do të duhet të lërë të kënaqur masën më të madhe të subjekteve të shpronësuara. Unë besoj se kjo është një nga sfidat dhe kostot më të mëdha që një shtet merr përsipër për të rikuperuar atë që është shkaktuar nga një regjim prej 50 vjetësh.

Më tërhoqi vëmendjen fjala juaj për pjesën e Gjykatës së Strasburgut. Kjo do të thotë që Gjykata e Strasburgut të mos shprehet dhe t’u thotë subjekteve shqiptare të shpronësuara se e kanë të drejtën në Shqipëri?

Ajo çka unë besoj, duke mos dashur të marr aspak rolin e orakullit, por duke parë praktikën dhe precedentët e Gjykatës së Strasburgut. Sigurisht që kjo Gjykatë nuk është gjykatë që të kthen fizikisht pronën. Gjykata e Strasburgut është një monitor gjyqësor ndaj një shteti anëtari të konventës e cila analizon se çfarë hapash konkretë ndërmerren në bazë të detyrimeve që ka marrë një shtet, siç është e drejta e pronësisë që njeh një mbrojtje nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i shtetit është se duke filluar që nga viti 1993, me ligjin e parë për kthimin dhe kompensimin e pronave, ka marrë përsipër si parim të kthejë dhe të kompensojë pronat në atë masë sa fizikisht lejohet kthimi fizik ose financiar. Që nga ai moment ky shtet duhet të tregojë se çfarë hapash konkretë ka ndërmarrë për ta hequr jashtë dëshirës së një qeverie, por ta bëjë një mekanizëm vetërregullues. Ky është akti përmbyllës dhe këtë ka kërkuar Gjykata e Strasburgut. Cilat do të jetë vendimet? Unë besoj se do të jenë të tilla që të japin në verdiktin e tyre një përshkrim të plotë mbi rregullimin tërësisht në aspektin financiar dhe sigurisht që do të mbetet pjesa tjetër që është kompensimi fizik. Gjykata e Strasburgut e ka thënë gjithmonë, që kompensimi fizik do të kryhet brenda mundësive që një shtet ka. Nuk mund të vendosë Gjykata e Strasburgut mbi një kthim pasurie, mbi sipërfaqe që një shtet nuk e posedon. Besoj se këtu ne mbyllim pikërisht këtë vorbull të madhe të kërkesave që janë bërë në Gjykatën e Strasburgut.

Si ish-ministër i Drejtësisë dhe që keni ndjekur nga afër procesin, çfarë po bëhet me fondin fizik të kompensimit? Deri tani kemi një vendim qeverie ku ka krijuar një fond tokash, pyjesh e kullotash... Çfarë ka mbetur më për t’i shtuar këtij fondi?

Ligji aktual i kthimit dhe kompensimit të pronave parashikonte të dyja mënyrat, financiar dhe fizik. Por në mënyrë të natyrshme dhe të logjikshme, nuk do të mund të fillohej dot me krijimin e fondit kombëtar fizik për kthimin e pronave nëse nuk do të përfundonte procesi i kthimit fizik atje ku është e mundur. Vetëm në një moment të tillë kohor, kur ky proces është i përmbyllur, vetëm në atë moment do të jemi në gjendje të dimë numrin e subjekteve të shpronësuara që kanë një të drejtë kompensimi. Do të dimë se cilat janë ato sipërfaqe tokash, pyjesh, trojesh, livadhesh të cila janë kthyer fizikisht dhe cila është ajo sipërfaqe ende në administrimin e shtetit e aftë për t’iu nënshtruar procesit të kompensimit fizik. Është procesi i cili do të përfundojë pasi do të përfundojnë edhe 8 mijë dosjet e fundit të cilat agjencia do t’i trajtojë. Pas bërjes së këtij bilanci, i cili mund të bëhet edhe më shpejt se viti 2011, mbas këtij momenti ne do të dimë se cili do të jetë fondi disponibël i shtetit që do të destinohet për kompensim fizik dhe kjo është e logjikshme, ndërkohë që ka iniciativa konkrete të qeverisë pasi janë miratuar disa fonde parciale për kthimin fizik, në vitin 2008, dhe me vendim qeverie janë përcaktuar 70 mijë hektarë që janë destinuar për kthim fizik. Pritet edhe një akt tjetër procedural që do të përcaktojë se cila do të jetë masa, proporcionaliteti, cila do të jetë radha e përparësisë në kompensimin fizik, sepse duket që këto sipërfaqe do të jenë në bregdet dhe Agjencia po e ndjek hap pas hapi. Një nga hapat qe edhe miratimi i hartës së vlerës në vitin 2008 dhe mbetet vetëm një bilanc tërësor se cili është fondi, pasi do të bëhet edhe një bilanc i një procesi dixhitalizimi dhe në fund i jepet rrugë këtij procesi.

Ish-pronarët kanë shprehur një shqetësim që përdorimi i letrave me vlerë në masën 50 për qind në procesin e legalizimeve do të reduktojë fondin për kompensimin e tyre. Mendoni se shqetësimi i tyre është real?

Unë besoj se është një merak i pavend në këtë rast, sepse mekanizmi i kompensimit financiar është një mekanizëm që ka së paku tre interlokutorë. Subjektet e shpronësuara apo pronarët që u janë kthyer sipërfaqet, janë ata që kanë bërë ndërtimet pa leje që janë duke u legalizuar dhe ajo që është bërë, është që të mos krijohet një marrëdhënie e drejtpërdrejtë mes pronarëve dhe subjekteve që kërkojnë të legalizojnë ndërtimin, sepse do të krijoheshin probleme sociale. Është futur shteti si ndërmjetës dhe marrëdhënia e kompensimit fizik apo financiar është mes pronarëve dhe shtetit. Shteti vetë ai është që ka të drejtën që personave që u legalizohen do t’u marrë 100 për qind para kesh apo 50 për qind dhe me letra me vlerë. Ky është një detyrim mes shtetit dhe pronarëve. Shteti sigurisht që ka hedhur dhe emëruar vite më parë bonot e privatizimit dhe letrat me vlerë dhe kërkon të zgjojë edhe këtë kapital. Nuk është e thënë që kompensimi financiar nuk do të funksionojë se do të rikuperohen edhe lekë edhe letra me vlerë. Ky është një detyrim që shteti e merr përsipër dhe këto letra me vlerë do t’i aplikojë në procesin e privatizimeve dhe do të nxjerrë para të tjera për pronarët. Nuk është merak që duhet ta kenë pronarët, aspak. Është një marrëdhënie e drejtpërdrejtë shtet-pronar. Pronarët do të marrin kompensimin e tyre financiar në lekë.

Mbas vitit 2011 do të fillojë procesi total i kompensimit të ish-pronarëve. Pas këtij viti, sa vite mendoni ju që i duhen shtetit shqiptar për të përmbyllur çështjen e pronësisë?

Sigurisht që unë nuk mund të bëj parashikime të sakta, por mund të bëj një arsyetim se si do të jenë procedurat nga do të shkojë ky proces dhe afërsisht pastaj mund të bëhet edhe një përllogaritje kohore. Çfarë do të duhet? Së pari do të duhet saktësisht se cila është sipërfaqja e tokës në formën e truallit, tokës bujqësore, pyjeve etj., që është e lirë. E lirë në kuptim që nuk është kthyer, gjë që unë mendoj se do të bëhet në kohë të shkurtër, pasi ndërkohë, Agjencia ka vazhduar edhe me këtë lloj inventari. Është kjo Agjenci që mund të përcaktojë. Nga ana tjetër, bilancin e pronës shtetërore të pakthyer e bën edhe një drejtori e posaçme në Ministrinë e Brendshme. Ky proces do pak kohë, pasi është pothuaj i bërë. Priten ndërkohë ato vendime që mund të jepen nga Agjencia. Pjesa tjetër që duhet bërë, është harta e vlerës, pasi dihet të dish se sa vlen toka në çdo vend. Është e kuptueshme që një metër katror në bregdet vlen më shumë se në brendësi të vendit. Së treti, kemi autoritetin dhe atë e kemi më këmbë, i cili funksionon, e cila është Agjencia Kombëtare. Unë besoj se këta tre pilarë dhe mekanizma janë të konsoliduar dhe puna është pothuaj gati. Tani pritet ky moment kohor për vendimet e kompensimit për të hapur fazën e kthimit fizik. Do të duhet të bëhen edhe procedurat e fundit teknike për të bërë verifikimet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›