E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendtakimi n’teatër

Nga 16 (sot) e deri më 18 qershor në Prishtinë mbahet takimi teatror “PLAYgrounds between facts and fiction”, e organizuar nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nga Albana S. Muja më 16 qershor 2011 në ora 12:19

Dramaturgë dhe ekspertë nga e gjithë bota dhe nga shtetet e Ballkanit takohen në Prishtinë, në takimin teatror “PLAYgrounds between facts and fiction”.
Pesë panele sfiduese të diskutimeve, katër shfaqje dhe sheshet e pazakonshme të lojërave për ta. Kjo është ajo që i pret në takimin teatror në Prishtinë, gjatë dy ditëve sa do të zgjas takimi ndërkombëtar.

Çka dhe ku?

Gjithçka fillon më 16 qershor, nga ora 20, në Hapësirën Manipuluese Tetris, me lexim skenik nga shfaqja “Rrëfime familjare” të Biljana Srbljanović (në gjuhën shqipe, ndërkohë që do të shpërndahet edhe teksti në gjuhën angleze) me regji të Alban Beqiraj. Dramaturgia, Biljana Srbljanovic, nga Beogradi, do të jetë po ashtu prezente në diskutimin që do të mbahet pas shfaqjes.

Një pjesë tjetër interesante do të jetë livingROOMS – një pjesë kjo interaktive e kolektivit performues Lunatiks, nga Gjermania. Shfaqja, që do të mbahet në një apartmant privat në Prishtinë, ballafaqohet me lidhshmërinë në mes privates e publikes, dhe në mes realitetit e fiksonit. Në livingROOMS bëhet fjalë për mitin më të madh gjerman: „Gemütlichkeit“ (rahatinë). Cili është kuptimi që të qëndrosh në shtëpi? Ku fillon intimiteti? Dhe, çfarë ndodh kur një i huaj ndërhyn në këtë intimitet? Vendi i saktë i mbajtjes së kësaj shfaqjeje interaktive do të komunikohet brenda ditës.

Ndërsa, në panelet tematike, që mbahen më 17 dhe 18 qershor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës (skena e vogël): “REAL-izimi i dramës – DRAMA-tizimi i realitetit”, “Shqetësimi i reales”, “Arkivimi i së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes”, “A ju kujtohet Tito?” dhe “TEKSTilet – materialet e reja për drama”, do të reflektohet mbi rolin e realitetit historik dhe social në teatër. Apo anasjelltas: Si mundet teatri të luajë lojën e tij karshi realitetit? Si mundet teatri të futet në realitetet sociale, politike dhe kulturore? Cilat janë mënyrat e mundshme dhe format e reja të shfaqjeve të cilat e shqetësojnë marrëdhënien ndërmjet publikut, shfaqjes dhe tekstit? Si munden përvojat personale të vihen në dramë, përkundër “historive të mëdha” dhe ngjarjeve të mëdha historike? Këto dhe pyetje tjera të ngjashme - rreth shesheve tjera të lojërave për teatrin ndrëmjet fakteve dhe fiksionit - do të diskutohen nga mysafirë nga Belgjika, Gjermania, Izraeli, Holanda, Polonia, SHBA’të dhe nga shtetet e Ballkanit.

Drejtoreshë artistike e takimit teatror është Lucia Zimmermann, ndërsa projekti është realizuar në bashkëpunim me Jeton Nezirajn, nga Teatri Kombëtar i Kosovës. E, disa prej pjesëmarrësve do të jenë: Pablo Ariel (Izrael), Boris Bakal (Kroaci), Christian Banzhaf (Gjermani), George Bartenieff (SHBA), Seth Baumrin (SHBA), Stefan Ҫapaliku (Shqipëri), Jens Dietrich (Gjermani), Ilir Gjocaj (Kosovë), Bernhard Herbordt/ Melanie Mohren (Gjermani), Zana Hoxha-Krasniqi (Kosovë), Goran Injac (Serbi/Poloni), Jörg Karrenbauer (Gjermani), Shkëlzen Maliqi (Kosovë), Karen Malpede (SHBA), Jeton Neziraj (Kosovë), Sanja Mitrović (Serbi/ Holandë), Stef de Paepe (Belgjikë), Filip Vujosević (Serbi), Christine Rollar (Gjermani), Maya Schöffel (Gjermani), Simona Semenić (Sloveni), Selma Spahić (Bosnie e Hercegovinë), Biljana Srbljanovic (Serbi), Filip Vujoševic (Serbi).

Projekti organizohet nga Qendra Multimedial, kurse partnerët tjerë janë Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Hapësira Manipuluese Tetris. Projekti është financuar nga Instituti Goethe, në Belgrad, Fondacioni gjerman Robert Bosch, ai suedez Olof Palme Center dhe nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›