I mëson serbët për artin
Ngutet gjithnjë kur merr vesh se ndonjë shqiptar dëshiron ta takojë. Sikur harron se janë ata që duan ta takojnë Petrit Imamin, profesorin e sotëm të dramës në Beograd dhe njërin nga personalitetet më të njohura të teatrit dhe të televizionit në ish-hapësirën jugosllave. Truplartë, me një të folur gazmore, por me kalimin e viteve paksa të ngatërruar, ai menjëherë të bëhet miqësor.
Ka përgatitur breza të tërë serbësh e shqiptarësh nga Kosova, që sot janë pjesë e dramës dhe televizionin serb apo kosovar, ndonëse gjithnjë mbetet modest.
Fushat e tij të interesimit janë të gjëra. Kohë më parë ishte edhe autor i botimit serioz në serbisht të veprës “Shqiptarët dhe Serbët”, që u prit mjaft mirë atje. Ndërkaq, përveç angazhimeve të tij didaktike, emrin e tij mbajnë edhe shumë botime tjera që lidhen me problemet e artit serb. Në intervistën e tij për AKT, Imami tregon për jetën e tij dhe se si e sheh ai Shqipërinë.
Përgjigjet shumë shkurt, gjë që mirëkuptohet, për shkak të një mali angazhimesh që ka. Edhe pse i ndjek mediat shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, ngurron të flasë për problematikën e sotme teknike të artit dhe televizionit shqiptar, dhe gjithnjë është shumë i tërhequr prej vetes. Përveç Bekim Fehmiut, Imami gjatë njëzetë viteve të fundit ishte figura e dyta më e njohur e artit sllav me origjinë shqiptare.
Është një burrë serioz, por që ka shumë qejf të bisedojë dhe të shkëmbejë mendime. Por, koha dhe jeta gati 55-vjeçare e kaluar në Beograd duket se ka filluar t’ia vështirësojë pak shqipen. Kur ngacmohet për këtë, buzëqesh dhe shton me humor se e ka thjesht nga mosha. Shefi i Departamentit të Dramës, në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, nuk tregon shumë për punën e tij, edhe pse diturinë e ka shpalosur në shumë fusha, “Kujdes mos ta ekzagjerojmë”, të thotë me modesti, “unë merrem thjesht me përgatitjen e njerëzve që bëjnë skenarë filmash.
Por, duhet pasur parasysh se këtu struktura e shkollës është e ndryshme nga ju. Në departamentin tim përgatiten njerëz që shkruajnë skenarë, dhe kaq”. Gruaja e tij, Naile Mala, nga Llapashtica e Medvegjës, është lektore e shqipes në Katedrën e Gjuhës Shqipe, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Beogradit. Kanë një djalë, që është motivi më i madh i jetës së tyre, ndërkaq në kohën e luftës në Kosovë shpëtuan vetëm falë fatit. Ai vetë dikur thoshte se ishte futur në arkiva, dhe atje kishte kaluar pjesën më të madhe të agresionit ndaj republikave të tjera ish-jugosllave.
Me pak fjalë, cila është karriera juaj në Beograd dhe pozicioni juaj aktual në shkollën e dramës në Beograd?
IMAMI: Pasi kreva degën e dramaturgjisë në Fakultetin Dramës në Beograd (atëherë quhej akademi), kam punuar për disa vite si dramaturg në Televizionin e Prishtinës. Njëkohësisht, isha i angazhuar edhe për shkollimin e kuadrove të profileve të ndryshme për Televizionin e Prishtinës në këtë fakultet, diku nga fundi i viteve të 70’a të shekullit të kaluar. Gjëja vendimtare në përzgjedhjen time për docent në Fakultetin e Arteve të Dramës në Beograd ishte çmimi “Arena e Artë” në Festivalin e filmit artistik jugosllav në Pulia, në vitin 1979, për skenarin e filmit “Era e Lisi”, i cili u xhirua edhe si seri televizive në kuadër të produksionit të TV Prishtina, sipas motiveve të romanit të Sinan Hasanit dhe me regji të Besim Sahatçiut. Nga viti 1981 e deri më sot jam docent, asistent profesor dhe profesor i lëndës Dramaturgjia Filmike dhe Televizive në këtë fakultet.
Jeni krijues i shumë skenarëve. Ku e ndjeni veten më mirë, në botën e shkrimit apo në atë akademike?
IMAMI: Nuk kam krijuar shumë skenarë, përveç për disa filma, por si dramaturg dhe recensent kam bashkëpunuar në një numër dramash televizive në TV Prishtinë dhe në filma jugosllavë. Ëndrra dhe idetë krijuese personale që i kam pasur asokohe dështuan kur shpërtheu kriza politike në Kosovë, më 1981. Por, nga ana tjetër, puna pedagogjike në lëndën e shkrimit të skenarit ishte shumë tërheqëse. Metoda e punës në studimin e dramaturgjisë nënkupton edhe një frymëzim interaktiv ndërmjet studentit dhe pedagogut.
Keni bërë një cikël të mrekullueshëm të historisë mes serbëve e shqiptarëve. A paraqet historia njërën prej fushave tuaja të studimit?
IMAMI: Kriza politike në Jugosllavi, e cila dita-ditës thellohej në atë kohë, si metastazë, më ka shtyrë që të mundohem të kuptoj brendinë e ecurive të ngjarjeve që po zhvilloheshin këtu. Ajo ishte pikënisje e hulumtimeve të historisë mes serbëve e shqiptarëve. Unë s’jam historian, por si dramaturg më kanë interesuar ngjarjet dhe situatat në arenën politike, në të cilat politikanët i zhytën popujt e ish-Jugosllavisë. Kuptohet, për të shkruar librin “Serbët dhe Shqiptarët Gjatë Shekujve” është dashur të lexoja shumë studime dhe memoare të ndryshme, të shfletoja shumë gazeta dhe revista të vjetra, dhe të gjurmoja dhe të gërmoja nëpër disa arkiva historikë në Beograd. Edhe bisedat me pjesëmarrësit e disa ngjarjeve historike të shekullit XX ishin shumë interesante.
Në Beograd jeni shumë i angazhuar edhe me problemet e sotme të artit atje. Sipas mendimit tuaj, cilat janë fijet që përgjithësisht e lidhin artin ballkanas, e cilat problematikat e tij?
IMAMI: Nuk e kam lehtë të përgjigjem në këtë pyetje, pasi s’kam dijeni të plotë për zhvillimin e artit në secilin shtet të Ballkanit. Ajo që më ka rënë në sy, duke shikuar një numër filmash, është se ekziston një dëshirë e kineastëve të Ballkanit që të xhirojnë filma sipas standardeve të filmave amerikanë (atyre hollivudianë, ose të pavarur). Por, kjo ambicie ndikon që filmat të mos jenë autoktonë. Gjithashtu, bie në sy se një numër regjisorësh po xhirojnë në mënyrë rutinore, pa një frymëzim artistik të vërtetë. Si shembull mund të theksoj filmin e regjisorit Goran Paskalevic, “Muaji i Mjaltit”, i cili u xhirua si kooproduksion i Shqipërisë dhe Serbisë, e i cili nga ana e dramaturgjisë është i përciptë. Në historitë paralele të dy çifteve ngjarjet përreth tyre i ndrydhin personalitet e tyre. Është dashur që të shtjellohen emocionet e tyre në ngjarjet nëpër të cilat kalojnë. Për këtë arsye filmi nuk ka përfundim dhe shikuesi fiton përshtypjen se filmi u ndërpre, e jo që përfundoi.
Si duket një ditë e zakonshme e Petrit Imamit. Cilat janë angazhimet e tij kryesore?
IMAMI: Përveç obligimeve ndaj familjes sime, kohëve të fundit jam në përfundim të librit “Hyrje në Dramaturgjinë e Filmit Artistik”’, që përmban lëvrimet e mia dhe njohjet e dramaturgjisë së filmit, të cilat kryesisht ua përcillja gjatë studentëve orëve të mësimeve deri më tani.
Dëgjuam se e ndiqni dhe jeni vazhdimisht në dijeni të zhvillimeve shqiptare në rajon. Si e shihni problematikën e sotme në televizionet e botës shqiptare? Cilat janë, sipas jush, problemet kryesore të tyre?
IMAMI: Është e vërtetë se i ndjek me kureshtje. Tashmë kemi hyrë në një periudhë shumë dramatike në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Mua, si dramaturg, më interesojnë aktorët në këto ngjarje, gjegjësisht, se me çfarë motivesh ata iu paraprijnë ideve politike, çfarë cilësish kanë ata dhe çfarë fshihet pas veprimeve të tyre. Shkrimtari i njohur kroat, Miroslav Krleza, thotë se fjalët njeriu i përdor për t’i fshehur mendimet e veta. Në Kosovë me vëmendje po i dëgjoj këngët e grupeve rep, të cilat zbulojnë emocionet dhe koshiencën e rinisë urbane të qyteteve të Kosovës.
Si i keni parë zhvillimet e fundit në Shqipëri?
IMAMI: Zhvillimet e fundit janë pika kulminante e ballafaqimit të dy grupeve shumë të forta të interesit. Por, kriza e thellë politike është krijuar pas 21 janarit, kur u ballafaquan ashpër pushteti ekzekutiv dhe ai ligjor i Shqipërisë. Pikërisht këtë po e përcjellin me interesim të madh edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa. Tash, pushteti i Shqipërisë është i mbuluar me një monitoring shumë të fortë nga të huajt. Nëse pushteti ligjor del fitues, kjo do të jetë garanci për ta se Shqipëria do të shkojë në rrugën e integrimeve evropiane në mënyrë të mbarë.
Keni pasur ndonjë kërkesë për bashkëpunim me Shqipërinë?
IMAMI: Jo drejtpërsëdrejti. Kam pasur disa oferta që të vij për vizitë në Shqipëri. Si mysafir, e jo për bashkëpunim.
Cilat janë angazhimet tuaja momentale?
IMAMI: Në Fakultetin e Dramës në Beograd jam drejtues i Katedrës së Dramaturgjisë, kurse në Prishtinë jam duke bashkëpunuar si dramaturg me Agim Sopin, në filmin e tij të ri.