Venezuelë, Çavez kundër emërimit të ambasadorit të ri amerikan

Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, i ka sfiduar Shtetet e Bashkuara, duke thënë se do t`i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me pasi nuk do të pranoj ambasadorin e ri të emëruar nga administrata e presidentit amerikan, Barak Obama.
Zoti Çavez mbrëmë ka përsëritur se ai nuk do ta lejoj diplomatin amerikan, Lari Palmer, që të jetë ambasador në Venezuelë.
Me këtë rast ai i ka sfiduar Shtetet e Bashkuara, që ta dëbojnë ambasadorin e Venezuelës në Uashington dhe t`i ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e tij, në shenjë hakmarrjeje ndaj vendimit për mospranimin e ambasadorit të ri Palmer.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin nominimin e diplomatit Palmer, i cili ende pret konfirmimin në Senat.
Lari Palmer e kishte zemëruar presidentin Çavez, duke sugjeruar, gjatë procesit të konfirmimit të tij, se morali në ushtrinë e Venezuelës ishte në nivel të ulët dhe se ai kishte shqetësime se kryengritësit nga Kolumbia, kishin gjetur strehim në Venezuelë.