E Diel, 1 Nëntor 2026

Më ktheni tokat!

Damir Fazliç shton kërkesat në gjykatë. Prokurorët humbasin durimin, vetë në Hipotekë për sekuestrimin e dokumenteve të pronave

TIRANË - Serbo-boshnjaku Damir Fazliç i hetuar nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash, zgjeron pretendimet e tij në gjykatë. Gjatë seancës së parë gjyqësore që ka si objekt kundërshtimin e vendimit të prokurorisë për sekuestrot, avokati mbrojtës i Fazliç kërkoi heqjen e masës së sekuestros edhe për dy prona që ndodhen në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për një urdhër sekuestrimi të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës më datë 28 tetor, për dy toka që sipas Zyrës së Regjistrimit të Pasurive rezultojnë në emër të Damir Fazliç. Kundërshtimi i kësaj mase të marrë nga prokuroria ditët e fundit nuk është përfshirë në kërkesën paraprake të mbrojtjes së serbo-boshnjakut, i cili deri ditën e djeshme kishte si objekt zhbllokimin e 6 subjekteve tregtare të sekuestruara tashmë nga prokuroria, ku Fazliç është pronar dhe aksioner.

Me gjithë kërkesën e re të mbrojtjes, gjyqtari vendosi shtyrjen e seancës, pasi avokati që përfaqëson shtetasin serbo-boshnjak nuk ishte i pajisur me prokurë të posaçme nga aksionerët e tjerë të firmave tashmë të sekuestruara, siç është rasti i kompanisë “Rompetrol”. Avokati Genc Gjokutaj paraqiti para gjykatës vetëm prokurën e lëshuar nga Damir Fazliç, dokument ky i pamjaftueshëm për përfaqësimin e aksionerëve të tjerë që kanë biznese të përbashkëta me biznesmenin serbo-boshnjak. Për këtë arsye, gjykata vendosi shtyrjen e procesit për ditët në vijim, duke i lënë kështu kohë avokatit të pajiset me autorizim nga ortakët e serbo-boshnjakut, një pjesë e mirë e të cilëve nuk jetojnë në Shqipëri. Edhe pse mbrojtjes iu vu në dispozicion kohë, sigurimi i autorizimeve mbetet një problem kryesor për vijimësinë e çështjes në fjalë. Nuk është aspak çudi që mungesa e vazhdueshme e prokurave të bëhet shkak për shtyrjen e procesit gjyqësor me objekt “kundërshtimin e vendimit të prokurorisë”.

Burime pranë organit të akuzës konfirmojnë se është marrë masa e sekuestros për dy toka që ndodhen në qytetin e Durrësit, ndërsa është kërkuar informacion i detajuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive për pronat në fjalë. Edhe pse kërkesa është nisur prej ditësh, deri dje Hipotekat nuk kanë dhënë asnjë informacion për toka, njëra prej së cilave është projektuar për ndërtimin e parkut energjetik. Në këto kushte, organi i akuzës thotë se oficerët e policisë gjyqësore do të shkojnë në Hipotekë për sekuestrimin e dokumenteve, veprim ky që do të mbyllë fazën e parë të hetimit të çështjes me objekt pastrimin e produkteve të veprës penale. Sipas prokurorisë, bëhet me dije se pas grumbullimit të informacioneve të nevojshme për hetimin e çështjes, do të nisë edhe marrja në pyetje e personave të lidhur me bizneset e dyshimta të Damir Fazliç. I pari në listë sipas prokurorisë pritet të jetë vetë biznesmeni serbo-boshnjak, i cili pak kohë më parë vizitoi dhe u largua nga Shqipëria pa arritur të marrë ftesën për të dëshmuar në prokurori. Pasi tij prokuroria pritet të pyesë personat e përfolur për lidhje biznesi me Damir Fazliçin, apo përfaqësues të tij ligjorë që kanë kryer veprime juridike, duke kontribuar në shitjen e firmës “Crown Acuquisitions sh.p.k”.

Po konsumohen gjyqtarët

Kundërshtimi i vendimeve të prokurorisë për bllokimin e pronave të Damir Fazliç, apo ish-administratorit të tij Erion Isufi, mund të përkthehet edhe si “konsumim” i gjyqtarëve penalistë të Gjykatës së Tiranës. Sipas informacioneve zyrtare, rezulton se aktualisht gjykata ka shqyrtuar tri kërkesa me objekt “kundërshtimin e vendimit të prokurorisë” që kanë të bëjnë me çështjen “Fazliç”. Këto kërkesa mund të shtohen në të ardhmen, pasi ligjërisht pala mbrojtëse mund të kundërshtojë çdo vendim të prokurorisë me të cilin nuk është dakord. Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të gjyqtarëve penalistë, rezulton se ata mund të konsumohen brenda çështjes vetëm me shqyrtimin e kërkesave, duke u kthyer në një rrezik potencial për gjykimin e çështjes “Fazliç”, gjithmonë nëse organi i akuzës arrin të provojë elemente të veprës penale në çështjen hetimore me objekt “pastrimin e produkteve të veprës penale”. Ligji shqiptar thotë se një gjyqtar që jep vendime gjatë hetimeve paraprake për një çështje, nuk mund të jetë pjesë e togave të zeza që do të gjykojnë çështjen në themel. Në këtë kontekst, të paktën tre gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës përjashtohen automatikisht si anëtarë të trupit gjykues që do të shqyrtojë procesin penal, gjithmonë nëse prokuroria arrin ta dërgojë në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›