Venizelos: Greqia do mbajë zgjedhje të reja

Evangelos Venizelos
Lideri socialist në Greqi, Evangelos Venizelos, tha se kanë dështuar bisedimet për koalicionin e ri qeveritar dhe se do të mbahen zgjedhje të reja.
Kjo deklaratë u bë pasi liderët politikë të Greqisë e kishin filluar një rund të ri të bisedimeve për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare.
Presidenti Karolos Papoulias sot përsëri ishte takuar me liderët e pesë partive të përfaqësuara në parlament për të diskutuar për propozimin për qeveri të ekspertëve.
Deri tani, prej zgjedhjeve të 6 majit, janë mbajtur disa takime për formimin e koalicionit qeverisës, por të gjitha kanë dështuar.
Asnjë parti nuk e ka fituar shumicën e duhur, kështu që partitë nuk ishin në gjendje të pajtoheshin për ndonjë koalicion, për shkak të dallimeve për masat e kursimit dhe ndihmën financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për ta shmangur falimentimin.
Kjo situatë i ka lëkundur tregjet financiare dhe i ka nxitur spekulimet se Greqia mund të largohet nga eurozona. /Europa e Lirë/
Përgatiti: E.L