Vepra e Azem Hajdarit do shndrisë në altarin e lirisë së shqiptarëve
Kryeministri Berisha viziton familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha
Në Ditën e Dëshmorëve, kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, vizitoi familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe të Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha. Në këto vizita ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit, Ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Prefekti i Tiranës.
Kryeministri Berisha, në një bisedë të ngrohtë me bashkëshorten e fëmijët e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme të Lëvizjes së Dhjetorit ’90-të dhe rolin vendimtar të Azem Hajdarit në të.
“Sot është një ditë e veçantë, dita e nderimit e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë, bënë gjithçka për lirinë. Në histori sa më shumë të hulumtohet, aq më shumë do të pohohet se ato që ka bërë Azem Hajdari për lirinë e shqiptarëve, ato ditë dhjetori të vitit ’90-të, nuk i ka bërë kush. Sepse ajo ishte një përballje më e pabarabarta, më e zbuluara, më e hapura. Një përballje që u fitua. Fakti që sot ai është midis nesh vjen mbi të gjitha, nga ai kontribut që ai dha në vitin ’90-të. Unë kam bindjen se vepra, kontributi i tij do të shndrisë e shkëlqejë në altarin e lirisë së shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri.
Më pas, Berisha vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha, Komandat-pilot i Regjimentit të Bazës Ajrore të Rinasit, i rënë në krye të detyrës.
“Erdha të shpreh ndermin më të thellë, të përulem me respektin më të madh para kujtimit të bashkëshortit tuaj, babit tuaj, aviatorit trim, atdhetar dhe i përkushtuar. Sot, çdo ndjenjë e mirë, e tërë dashuria e respekti u takon të rënëve për atdhe. Idriz Hoxha qëndron në krye të atyre burrave e grave, djemve e vajzave që u flijuan në emër të detyrës, të dinjitetit. Erdha sot të shpreh nderimin në emër të qeverisë”, u shpreh Kryeministri në takimin me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.