Vepra e Kristaq Ramës në zyrën e Berishës

Ekziston një fenomen shumë interesant psikologjik dhe viziv në zonat urbane. Pasi ke parë për një kohë të gjatë një objekt, ose një tërësi objektesh, apo dhe një monument në qytet, ka shumë mundësi që të mos e dallosh më atë, ndonëse ndodhet po aty, ku ka qenë gjithmonë. Për shembull: një pemë që ndodhet në rrugën të cilën e përshkoni çdo ditë, tanimë nuk hyn fare në sytë tuaj, pasi e keni parë aq shpesh sa është bërë pjesë e vetë rrugës dhe e rutinës suaj.
Sipas psikologëve, truri përzgjedh informacione dhe sipas gjithë gjasave ndonëse ju i kaloni fare pranë pemës, truri vendos të mos e përpunojë më atë informacion meqë nuk është informacion i ri. Kot nuk thonë: “Shikon mendja, jo syri…” Kështu, ndodh me shumë monumente në rrugët, sheshet apo parqet e Tiranës. Nuk e besoni?
1- Bazorelievi mbi godinën e Kryeministrisë, vepër e Kristaq Ramës
Nga vetë natyra ironia mund të jetë thelbësisht komike, por në Shqipëri përpos saj, mund të jetë ndonjëherë edhe thelbësisht e hidhur! Pasi ka shkaktuar një debat shumë të fortë mbi shembjen e Piramidës, një debat që kohët e fundit ka trokitur dhe në kanceleritë europiane, kryeministri Sali Berisha duket se është i pari person që vuan nga sindromi i fshirjes së imazheve rutinë dhe shmangien e tyre nga mjedisi. Ose mund të vuajë nga një sindrom tjetër që ka lidhje me madhësitë apo mungesa të tilla në trupin e vet… shumë e sqaruar kjo sindromë nga Frojd e që në vitin 1998 u ripërdor në kinematografi me filmin “Titanic”.
Themi këtë të fundit sepse duket qartë që priret të drejtojë vëmendjen ndaj monumenteve madhështorë, që zenë hapësirë shumë (terren ndërtimi?)… Sepse, fjala bie, pasi ka harxhuar aq shumë energji për afreskun e Muzeut Historik që donte ta shkatërronte e pasi bëri të njëjtën gjë me Piramidën duke shprehur kështu nevojën për eliminimin e simboleve komuniste, si nuk i shkon mendja ndonjëherë se në fasadën e ndërtesës ku ai punon çdo ditë, ka një bazoreliev me simbole komuniste?
E keni parë edhe ju me qindra e me mijëra herë atë vepër arti me të gjitha elementët e realizmit socialist. Por ngaqë ndodhet atje prej shumë vitesh, është bërë pjesë e fasadës dhe e përfytyrimit që keni për Kryeministrinë, aq sa nuk mund ta shikoni të veçuar. E shikoni, pse jo, njësoj siç mund të shikoni një dritare të zakonshme të asaj ndërtese…
Madje, njerëzia me më shumë vëmendje shikojnë sot se nga cila dritare kryeministri i vendit del herë pas here për të provokuar protestuesit në bulevard, e më pak, pothuajse aspak vëmendje nuk i kushtojmë bazorelievit që ndonëse është në anën e djathtë të ndërtesës, pra jo në qëndër të fasadës së saj, ze një vend qëndror në konceptimin arkitektonik të saj.
E dini se kush e ka bërë atë vepër arti? Kristaq Rama! Babai i Edi Ramës, të cilin kryeministri e ka shndërruar gjatë gjithë këto vite në një personazh qendror me të cilin ka kërkuar të identifikojë opozitën “on-block”, si pasardhëse shpirtërore e kulturore të komunizmit…
Pikërisht Kristaq Rama është autor i atij bazorelievi, së bashku me skulptorin Hektor Dule. Ky i fundit, ende gjallë, kur e pyetën se me cila vepra të tij krenohet më shumë, ka thënë:
“Në udhët e luftës”, e cila është në Parkun e Liqenit Artificial;
“Përmendorja e Luftës” në Mushqeta, e cila i kushtohet shpartallimit të kolonave gjermane që do të hidhnin në erë Tiranën; “Monumenti i rezistencës në Durrës” bashkë me Fuat Dushkun; figura e Shqipërisë në hollin e Pallatit të Kongreseve, e cila është në dimensione të mëdha, paraqet një figurë femre me flamurin që i mbështillet rreth trupit; relievin e Skënderbeut në Gjirokastër, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së tij;
Relievi i Kryeministrisë në bashkëpunim me Muntaz Dhramin, Shaban Hadërin dhe Kristaq Ramën, e të tjera që nuk më kujtohen”.
Do të ishte akoma më ironike, sikur pas këtij shkrimi Berisha të vendoste të hapte një tjetër polemikë e të bënte një tjetër “kurban” në kuadër të debatit për ruajtjen apo jo të trashëgimisë historike të periudhës komuniste…
2- Bunker mu në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”
Bulevardi është ndërtuar para luftës së Dytë Botërore nga arkitektët italianë të kohës. Gherardo Bosio ishte i fundit ndër këta arkitektë që vuri dorë në godinat e bulevardit nga viti 1939-1941. Ishte pikërisht ky që ndërtoi edhe hotel “Dajtin” edhe vetë selinë e Kryeministrisë që përmendëm më lart. Por komunizmi do të linte gjithashtu gjurmët e veta.
Mund të kuptohet rëndësia e, fjala bie, Pallatit të Kongreseve! Mund dhe të admirohet godina e Ambasadës Ruse që sot shërben si selia e Presidentit të Republikës apo e zyrave të Komitetit Qëndror, një arkitekturë ruse dhe ajo që sot shërben për mbledhjet e komisioneve parlamentare, mund të kuptohet gjithashtu nevoja për ndërtimin e Piramidës.
Po nevojën dhe rëndësinë për të ndërtuar edhe një bunker, nga ata tipikët shqiptarë, mu në mes të bulevardit, a ka njeri ta shpjegojë sot? Nuk e besoni se ka një bunker betoni në bulevard? Atëherë, shikoni më vëmendje kur të kaloni herën tjetër përballë hotel “Rogner”…
Sapo lini pas vetes godinën e zyrave parlamentare, pikërisht aty, në trotuar ndodhet bunkeri. Aty ka qenë gjithmonë, por ngaqë bunkerët janë të shumtë në Shqipëri, ato janë bërë automatikisht pjesë e pandashme e mjedisit dhe e perceptimit tonë viziv.
3. Në të gjallë urreheshin, tashmë ndodhen pranë, por mungon dikush…
Një monumental më interesant i varrezave në Tiranë, është padyshim ai i varreve të Vëllezërve Frashëri në kodrat e Liqenit Artificial. Janë të shumtë ata që e njohin atë kompleks, ashtu siç dinë edhe varret e ushtarëve të Komonuellthit ngjitur me ta. Po sa vetë arrijnë të dallojnë se anash Frashërllinjve ndodhet edhe varri i Faik Konicës?
Përveç ironisë që ky personazh i shquar i historisë dhe kulturës shqiptare u varros pranë Frashërllinjve me të cilët kishte bërë një polemikë të ashpër sidomos për çështjen e alfabetit shqip, një sy i vëmendshëm (ose më saktë një tru i vëmendshëm) do të dallonte qartë se teksa Frashërllinjtë qëndrojnë në mes të kompleksit duke zënë hapësirën qëndrore dhe në të djathtë të tyre ndodhet që nga viti 1995 Konica, për cilin personazh është lënë hapësira bosh në të majtë…?
Ka mbetur edhe pak kohë në fakt, ndoshta për kryetarin e ri të Bashkisë të mendojë për ndonjë alternativë, sidomos për 100 vjetorin e Pavarësisë… Alternativat janë të pafundme po ta mendosh hollë-hollë…
Por ka shumë gjasa që në vitin 1995, atëherë kur Berisha ishte President e që bashkëpunoi për sjelljen e eshtrave të Faik Konicës nga Amerika, të mendonte se vendi në të majtë të Frashërllinjve t’i takonte pikërisht atij: demokratit Noli…
Asnjëherë nuk e mori ama, seriozisht shteti shqiptar rikthimin e eshtrave të Nolit, ndonëse në një qeveri të fundit patëm edhe një ministër “vizionar” që kërkonte të na rikthente eshtrat e Ismail Qemalit (që preheshin prej dekadash në Vlorë)… Vend paradoksesh ky i joni, vend ironish e absurditetesh, njësoj si në një Disneyland…
Në shënjestrën e Berishës
1- Mozaiku i Muzeut Kombëtar
Për muaj të tërë në Shqipëri u inicua një ndër debatet e para në lidhje me trashëgiminë historike dhe kulturore të realizuar gjatë komunizmit. Debati ishte: ta prishim apo jo mozaikun “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik? Hë për hë, nuk është prishur akoma dhe nuk dihet fati i mëtejshëm i tij. Ajo që dihet është se ky mozaik i përuruar në 28 tetor të vitit 1981 është më i madhi i realizuar në Shqipëri.
2- Piramida
Tashmë pjesë e ndërgjegjes historike dhe kulturore të kryeqytetit dhe banorëve të tij, Piramida e konceptuar fillimisht si një muze për Enver Hoxhën, është gjithashtu në shënjestrën e qeverisë për ta shembur e për të ndërtuar në të Parlamentin e ri.
Debati ka marrë përmasa ndërkombëtare, përfaqësues të BE, diplomatë të ndryshëm, por edhe studiues të shumtë të huaj e vendas, kanë shprehur shqetësimin e tyre për prishjen e këtij monumenti të arkitekturës e të historisë së qytetit.
Dalëngadalë, po fillon të konturohet për herë të parë me baza të forta ideologjike, shkencore, pragmatiste e filozofike edhe debati nëse ia vlen apo jo të ruhet trashëgimia historike e një vendi, qoftë kur kjo trashëgimi vjen nga vite të errëta të historisë? Tjetërkund, ku lloj debati nuk do të bëhej kurrsesi, pasi ëprgjigja është e qartë: ia vlen patjetër të ruhet çdo pjesë e historisë…
Dje, protestë kundër Topit për Piramidën
Kuvendi Civil protestoi dje para Presidencës për heshtjen e këtij institucioni në lidhje me ligjin që i hap rrugë shembjes së Piramidës dhe ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar në vend të saj. Përfaqësuesit e shoqërisë civile që kundërshtuan që në fillim prishjen e piramidës u shprehën se kalimi në heshtje i ligjit për prishjen e Piramidës nga ana e Presidentit ka bërë që të humbasë besimi në institucionin që ai përfaqëson. Presidenti Topi nuk e firmosi dekretimin e ligjit për prishjen e Piramidës, afati 20-ditor i të cilit përfundoi pardje. Ligji kaloi në Parlament para tri javësh vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk ishte e pranishme në seancë.
(Shekulli)