E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet besueshmëria kreditore e SHBA-së

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 12:29

Agjencia e vlerësimit të kredisë Standard & Poor uli klasifikimin nga AAA në AA+ për Shtetet e Bashkuara përherë të parë në histori, duke bërë edhe një parashikim negativ.

S&P tha se e ka bërë këtë riklasifikim, pasi plani i Kongresit për shkurtimin e deficitit buxhetor që u miratua të martën, nuk është i mjaftueshëm për të stabilizuar gjendjen debitore të vendit.

Agjencia theksoi gjithashtu se ulja e klasifikimit pasqyron pikëpamjen e saj se “efektiviteti, stabiliteti dhe parashikueshmëria e hartimit të politikave dhe institucionet politike amerikane, janë dobësuar në një kohë sfidash fiskale dhe ekonomike.

Mediat cituan zyrtarë të Shtëpisë të Bardhë, të cilët kanë thënë se S&P nuk i ka bërë mirë parashikimet për planin e shkurtimit të borxhit amerikan me dy biliardë dollarë.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe Kongresi amerikan arritën një marrëveshje para skadimit të afatit të martën për ngritjen e tavanit të borxhit prej 14.3 biliardë dollarësh, duke shmangur mospagimin e detyrimeve financiare të qeverisë.

Marrëveshja parashikon uljen e deficitit prej më shumë se dy biliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme. S&P kishte bërë thirrje për katër biliardë dollarë kursime.

Dy agjenci të tjera të vlerësimit të kredive, Moody dhe Fitch, nuk e kanë ulur deri tani vlerësimin për Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›