E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova dhe Serbia, zgjidhje evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se marrëveshja politike me të cilën u bë edhe zgjedhja e saj në këtë post, ka krijuar qëndrueshmëri politike në vend. Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, presidentja Jahjaga ka shprehur bindjen se Kosova dhe Serbia do të gjejnë zgjidhje evropiane për problemet e interesit të përbashkët, por ka hedhur poshtë çfarëdo mundësie për ndarjen e veriut të Kosovës që sipas saj, është çështje e brendshme e Kosovës.
 

“Qëllimi im është që brenda këtij mandati sa do të jem, të kryejë të gjitha detyrat dhe obligimet e mia që mandatohen nga ana e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe njëherësh të mbrojë të gjithë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në BE, NATO dhe në OKB. Dhe nëse do të jem e suksesshme në këtë mision, që është ndër qëllimet kryesore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndoshta do të ishte një ndër arsyet që do të mendoja të vazhdoja më tutje si një elan shtesë për punën dhe aktivitetet e mia”, ka deklaruar presidentja Jahjaga në një intervistë ekskluzive për “Zërin e Amerikës”.
 

Ajo ka thënë se procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është një proces që është duke u mbajtur në Bruksel më ndërmjetësimin e BE-së. Sipas saj, Kosova ka pasur një qasje jashtëzakonisht pro aktive dhe e ka ngritur edhe nivelin me një përfaqësim më të lartë të shtetit të Kosovës në këtë proces të dialogut edhe me vete emërimin e zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës, zonjës Edita Tahiri si udhëheqëse të dialogut.
 

“Ky dialog, duhet të shihet si një proces normal ndërmjet dy shteteve që kanë kaluar një fazë të konfliktit dhe këto dy shtete kanë pasur të kaluarën dhe duhet të planifikojnë të ardhmen. Procesi i diskutimeve, është kryesisht një proces teknik që është duke u zhvilluar dhe se është duke u bërë në përputhje me dëshirat, vullnetin dhe interesat e qytetarëve të të dyja vendeve. Zgjidhjet që do të gjenden gjatë procesit të dialogut, do të jenë zgjidhje të pranueshme, zgjidhje evropiane, që do të duhej të ishin të pranueshme për qytetarët dhe institucioneve të të dyja vendeve, si për Republikën e Kosovës, po ashtu edhe për Republikën e Serbisë”.
 

“Çdo zgjidhje që do të ishte në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, nuk do të ishte e pranueshme. Përfaqësuesja në dialog ka mandatin e plotë në kompletimin e detyrave dhe obligimeve në mbështetje me kuadrin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës. Republika e Kosovës është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Dhe të gjitha ato shtetet që e kanë pranuar statusin apo pavarësinë e Kosovës, e kanë pranuar në tërësinë e saj territoriale, integritetin dhe sovranitetin e garantuar. Çështja e veriut është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe çdo anganzhim apo ri riangazhim tjetër do të ishte i papranueshëm...”, ka thënë ndër të tjera presidentja e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›