“Vetëvendosje”: Dhunë nga truprojet e Thaçit

Lëvizja “Vetëvendosje” ka akuzuar truprojet e kryeministrit Hashim Thaçi se kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve të saj gjatë një fjalimi që ka mbajtur shefi i qeverisë kosovare në Universitetin AAB në Prishtinë.
Përmes një njoftimi për shtyp, “Vetëvendosje” ka thënë se aktivistët e saj u nxorën nga salla ku mbahej fjalimi i Thaçit “duke u grushtuar dhe shkelmuar” nga truprojet e kryeministrit, pasi atij nuk i kanë pëlqyer pyetjet që i kanë bërë pjesëtarët e këtij subjekti politik.
Subjekti i tretë më i madh politik i Kosovës vlerëson se reagimet e aktivistëve të saj të përcjella dhe me parullën, “Qeveria i ka hipur skijave”, çoi deri te reagimi i dhunshëm i truprojeve të Thaçit.
Ndërkaq reagimin e ashpër të Universitetit privat ku është mbajtur ky aktivitet i Thaçit, atij AAB, për “Vetëvendosjen”, “dëshmon edhe një herë se licenca e akreditimit është më e vlefshme sesa shpalosja e ideve, debatit dhe kritikës, siç i ka hije një universiteti.”