“Veprimet e policisë duhet të marrin fund”- Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres dënon dhunën ndaj të rinjve: Veprimet e uniformave blu, të papranueshme!
Kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia shqiptare ndaj protestave studentore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Me anë të një postimi në X, ai kërkon respektimin e së drejtës për protestë paqësore.

Ligjvënësi amerikan shkruan se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, ndërsa policia ka detyrimin të respektojë këtë të drejtë dhe të garantojë zbatimin e ligjit.
Torres bën thirrje për uljen e tensioneve dhe qetësimin e situatës, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga shpërthimi i dhunës ndaj protestuesve në Shqipëri. Veprimet e ndërmarra nga policia shqiptare janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund. Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore; policia duhet ta respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe duhet të ruajë sundimin e ligjit. Situata duhet të qetësohet për t’i dhënë fund dhunës alarmante”, thuhet në reagimin e Ritchie Torres.
