Akuzat e Ballës ndaj prokurorit që liroi protestuesit e ndaluar, reagon Shoqata e Prokurorëve: Aludimet po cenojnë pavarësinë e magjistratit
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave.

Në një deklaratë publike, Shoqata shpreh shqetësimin për aludimet mbi lidhje të mundshme politike të prokurorit, duke theksuar se pretendime të tilla, kur lidhen me një vendimmarrje konkrete dhe nuk mbështeten në fakte, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e magjistratit.
“Pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit”, thuhet në deklaratë.
Sipas Shoqatës, thirrjet publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, krijojnë rrezikun e ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe vendimmarrjet e tij të mëtejshme.
Shoqata sqaron gjithashtu se urdhrat për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin nuk nënkuptojnë pushimin e çështjes penale.
Në deklaratë thuhet se çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi bazën e fakteve dhe sipas procedurave ligjore.
“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët”, thuhet në reagimin e tyre.
Kujtojmë se Balla, sulmoi prokurori e Tiranës, Arbër Berexha, i cili nuk dërgoi në gjykatë çështjen për ngjarjet e dhunshme gjatë protestave, ku iu vu zjarri disa institucioneve shtetërore. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se prokurori ka lidhje politike me anëtarë të grupit demokrat dhe i bëri apel Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
“Por ajo që bëri një prokuror i Tiranës, i cili dihet për lidhje politike me anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike… Kur vihet zjarr në Gjykatë të Lartë, kur vihet zjarr në të gjitha ministritë, mbi Bankën e Shqipërisë dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë unë nuk di nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në detyrë apo jo. Shpresoj që të jetë në detyrë”, tha ai.
SHOQATA E PROKURORËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DEKLARATË
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës.
Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.
Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik.
Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo.
Tiranë, më 22.10.2026
