“Protestat në Shqipëri janë ndryshe nga ato në Itali e Francë” – Deputeti Kapri: Edi Rama po fshihet pas tyre! Shqiptarët kërkojnë përgjigje për qeverisjen e tij, ai u detyrohet dorëheqjen
Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri thotë se protestat në Shqipëri janë ndryshe nga ato që po zhvillohen në Francë, Itali dhe vende të tjera të Evropës, duke shtuar se kryeministri Edi Rama po fshihet pas tyre.

Përmes një videoje në rrjete sociale, ai shpjegon se asnjë nga këto vende evropiane, ku po mbahen protestat, nuk kanë një kryebashkiak në burg, duke iu referuar Erion Veliajt, asnjë ish zëvendës kryeministër që përballet me akuza të rënda sikurse Belinda Balluku apo probleme me AKSHI dhe SHISH.
“Më lejoni të shpjegoj se si protestat në Shqipëri janë ndryshe nga ato në Itali, Francë, Spanjë dhe Greqi. Parisi, Roma dhe Athina nuk kanë një kryebashkiak në burg, që e drejton vendin përmes një avatari. Kush e drejton qytetin përmes një avatari? Tirana. Franca, Spanja dhe Italia nuk kanë një zëvendëskryeministër që përballet me pesë akuza, përfshirë pastrimin e parave dhe korrupsionin. Shqipëria ka.
Asnjë nga këto vende nuk e ka kreun e shërbimit inteligjent nën arrest. Shqipëria e ka. Asnjë nga këto vende nuk ka një agjenci – e cila menaxhon të dhënat personale të qytetarëve – që përballet me akuza për përfshirje në një grup të organizuar kriminal. Shqipëria e ka. Kjo agjenci është AKSHI. Asnjë nga këto vende nuk i nderon deputetët pasi ata kanë vuajtur dënimin me burg për shkak se u kanë dhënë sekrete shtetërore trafikantëve. Edi Rama e bëri.”, tha ai.
Më tej, ai shton se shqiptarët i kërkojnë Ramës llogari për qeverisjen e tij dhe se ai iu detyrohet atyre që të japë dorëheqjen.
“Edi Rama fshihet pas protestave në Evropë. Por shqiptarët kërkojnë përgjigje lidhur me qeverisjen e tij. Ai u detyrohet atyre dorëheqjen e tij, edhe sikur asnjë person i vetëm të mos kishte dalë në rrugë.”, shtoi ai.